Takim mes ASIG dhe pedagogëve të Departamentit të Gjeodezisë
Në ambientet e sallës Europa u zhvillua një takim mes përfaqësuesve të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) të kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm znj. Vilma Tomço dhe një grupi profesorësh të Departamentit të Gjeodezisë, në Fakultetin të Inxhinierisë së Ndërtimit, të Universitetit Politeknik të Tiranës, në funksion të realizimit të doktoraturave të cilat kanë të bëjnë me Referencat Gjeodezike Horizontale dhe Vertikale.
Gjatë këtij takimi u diskutua situata aktuale e rrjeteve përbërëse të KRGJSH-së si dhe njohja me realizimin për herë të parë në Republikën e Shqipërisë të llogaritjes së gjeodit gravimetrik “ALB-Geoid23.v1”.
Përfaqësuesit e ASIG shprehën gjithashtu gatishmërinë për bashkëpunimin e vazhdueshëm me kandidatët për doktorantë nga ky departament.


Llogaritja e gjeoidit gravimetrik në Republikën e Shqipërisë
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) në funksion të realizimit të objektivave të tij për ndërtimin e rrjeteve përbërëse të Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), në kuadër të projektit “Ndërtimi i Kornizës Referuese Gjeodezike, FAZA III” zhvilloi në ambientet e Sallës Europa një takim me ekspertë të fushës së gravimetrisë dhe gjeoidit, nga Universiteti Aristotle i Selanikut (AUTh), Greqi.
Ekspertët e ASIG nga Sektori i Kornizës Referuese Gjeodezike, Drejtoria e Gjeodezisë dhe Hartografisë diskutuan me profesorët e AUTh situatën aktuale të të dhënave gravimetrike, teknikat e llogaritjes dhe vlerësimit të gjeoidit sipas metodave bashkëkohore, dhe realizimin e matjeve gravimetrike relative, për rrjetin e rendit të II-të, me qëllim llogaritjen e gjeoidit gravimetrik “ALB-Geoid23.v1”.



Takim mes ASIG dhe përfaqësuesve të International Telecommunication Union
Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Shtetëror për Informacionit Gjeohapësinor (ASIG), znj. Vilma Tomço zhvilloi një takim pune me përfaqësues të International Telecommunication Union.
Qëllimi i këtij takimi ishte mundësia e bashkëpunimit rreth përmirësimit të BroadBand Mapping në Republikën e Shqipërisë.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ekspertë të ASIG të cilët diskutuan mbi mundësitë e zhvillimit të projekteve të ndryshme për gjeoinformacionin të cilat mund të ndikojnë në sektorin e telekomunikacionit.


10 Vjet ASIG
Imazheria Satelitore dhe Aplikimet e Saj për Përmirësimin e të Dhënave Gjeohapësinore Kombëtare
Më poshtë mund të shfletoni katalogun Imazheria Satelitore dhe Aplikimet e Saj për Përmrësimin e të Dhënave Gjeohapësinore Kombëtare:
ASIG merr pjesë në Konferencën e II-të ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit të ujit dhe zhvillimin e qëndrueshëm
Në Konferencën e II-të ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit të ujit dhe zhvillimin e qëndrueshëm-WEPSD, e cila u mbajt në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më 22-23 shtator 2023, në Tiranë, morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i ASIG znj. Vilma Tomço dhe Drejtori i Drejtorisë së Përpunimit të Informacionit të Territorit me Teknologji të Avancuar, z. Dritani Prifti.
Drejtuesit e ASIG i njohën pjesëmarrësit me detyrat, funksionet dhe rolin që ASIG ka në ndërtimin e NSDI në Shqipëri si dhe me projektet e reja me fokus në teknologjinë e avancuar që ASIG po zhvillon. Gjithashtu në prezantimet e tyre ata sollën shembuj konkretë të produkteve të përftuara nga imazhet satelitore, përdorimin e tyre për analiza të cilësisë së ujit, erozionit, ndryshimeve klimatike, si dhe mundësitë që këto produkte ofrojnë në fushën e kërkimit dhe studimeve të ndryshme për botën akademike.
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin lektorë dhe grupe autorësh nga Shqipëria, Greqia, Italia, Gjermania, Bosnja-Hercegovina, Serbia, Slovenia, Kroatia, Izraeli, Turqia, Çekia, Franca, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Austria, Zvicra e të tjerë.





Publikohet informacioni gjeohapësinor për temën “Zonat me Rreziqe Natyrore”
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU) ka publikuar në Gjeoportalin Kombëtar për temën “Zonat me rreziqe natyrore”, informacionin gjeohapësinor për Hartat e rrezikut nga përmbytjet për 6 basenet kryesore.
Informacioni gjeohapësinor për këto shtresa është në përputhje me Direktivën e BE -së për përmbytjet, e cila paraqet një hartë rreziku për zonën si edhe për periudhën specifike të kohës së kthimit, thellësinë dhe shpejtësinë.
Të dhënat janë konform standardit të miratuar me VKM-në nr. 810, datë 21.10.2020, Për miratimin e dokumentit “Standardet Shtetërore për Specifikimet Teknike të Informacionit Gjeohapësinor në Shqipëri – Tema: “Zonat me Rreziqe Natyrore””.


Mbledhje e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor, datë 22.06.2023
Më 22.06.2023 u zhvillua në ambientet e Kryeministrisë mbledhja e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor (BIG), nën drejtimin e Kryetarit të këtij bordi z. Ermal Nufi, Drejtor i Kabinetit të Zëvendës Kryeministrit.
Në këtë mbledhje ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e BIG.
Z. Nufi në fjalën e tij hapëse falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre dhe theksoi rëndësinë që ka ky bord në zhvillimin e Infrastrukturës së Informacionit Gjeohapësinor si dhe prioritetin dhe vëmendjen e veçantë që Qeveria Shqiptare i ka dhënë ndjekjes së projektit mbi Shërbimet Satelitore dhe përfitimet që pritet të kenë institucionet nga ky projekt.
Drejtori i përgjithshëm i ASIG, znj. Vilma Tomço i njohu të pranishmit me strukturën e re të ASIG, ecurinë e deri tanishme të projektit “Monitorimi i territorit me teknologji të avancuar” dhe hapat e hedhur nga ASIG për krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor (NSDI).
Përgjegjësi i sektorit të GIS-it Kombëtar z. Erin Mlloja në prezantimin e tij paraqiti modulet që do të ketë në përbërje GIS-i Kombëtar si dhe të dhënat gjeohapësinore, sistemet tematike dhe shërbimet që do të bëjnë të mundur ofrimin e informacionit për përdoruesit.
Pas këtij prezantimi anëtarët e BIG shprehën aprovimin e tyre për miratimin e dokumentit Standardet Shtetërore të GIS-it Kombëtar.



ASIG merr pjesë në Takimin Bilateral të Kapitullit 27 mbi Mjedisin dhe ndryshimet klimatike
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) i përfaqësuar nga Z. Klaudio Çollaku, Drejtor i Drejtorisë së GIS-it Kombëtar dhe Gjeoportalit dhe Ivis Noçka, Drejtore e Drejtorisë së Kërkimit, Zhvillimit dhe Inovacionit, mori pjesë në Takimin Bilateral të Kapitullit 27, mbi Mjedisin dhe ndryshimet klimatike, i cili po zhvillohet në Bruksel në datat 19-23 qershor 2023.
Direktiva INSPIRE, 2007/2/EC e përafruar nga ligji nr. 72/2012, “Për Organizimin dhe Funksionimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, është pjesë e nën kapitullit Legjislacioni Horizontal, të Kapitullit 27. Z. Çollaku prezantoi në këtë takim hapat e ndërmarrë për përafrimin e legjislacionit dhe implementimin e Direktivës INSPIRE në Shqipëri.
Ai bëri një paraqitje të detajuar të gjithë ecurisë së këtij procesi duke filluar me standardet e gjeoinformacionit të miratuara me Vendim të Këshillit të Ministrave, për 31nga 35 temat e nenit 11, të ligjit nr.72/2012, punën e bërë për implementimin e këtyre standardeve, bashkëpunimin dhe suportin për autoritet publike përgjegjëse për gjeoinformacionin si dhe rolin e rëndësishëm që kanë pasur bashkëpunëtoret ndërkombëtar të ASIG në mbarëvajtjen e këtij procesi. Z. Çollaku gjithashtu prezantoi shërbimet që ofrohen në Gjeoportalin Kombëtar të ASIG, informacionin gjeohapësinor që mundësohet në këtë gjeoportal si dhe numrin gjithnjë e në rritje të përdoruesve të tij.
Në mbyllje të prezantimit u paraqitën planet dhe objektivat që ASIG ka në të ardhmen për zhvillimin e Infrastrukturës së Informacionit Gjeohapësinor.


Vijojnë takimet mbi ecurinë e implementimit të projektit “Monitorimi i territorit me teknologji të avancuar”
Vijojnë takimet e organizuara nga Drejtoria e Përpunimit të Informacionit të Territorit me Teknologji të Avancuar pranë Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, me qëllim implementimin e suksesshëm të projektit “Monitorimi i territorit me teknologji të avancuar” si dhe përfshirjen dhe rritjen e kapaciteteve teknike të autoriteteve publike përgjegjëse, përfituese të këtij projekti.
Gjatë kësaj jave kjo drejtori zhvilloi takime me institucionet si më poshtë:
- Kryeministria;
- Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore;
- Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural;
- Ministria e Brendshme;
- Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit;
- Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin;
- Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile;
- Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.




