Analizimi i imazheve satelitore për zonat e prekura nga zjarri
Vijon asistenca nga ekspertët e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), Drejtorisë së Përpunimit të të Dhënave Remote Sensing, për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), në kryerjen e analizimeve mbi ndryshimet e ndodhura në ngjarjen e fatkeqësisë natyrore nga zjarri për zonat:
Lutaj, Mirditë; Mali i Tërbunit, Pukë; Dobër, Malësi e Madhe.
Nëpërmjet krahasimit të imazheve satelitore dhe të dhënave të mbulesës së tokës para dhe pas zjarrit, janë evidentuar sipërfaqet e dëmtuara dhe kategoritë kryesore të prekura:
- Sipërfaqe pyjore;
- Sipërfaqe me pemëtore;
- Sipërfaqe me bimësi;
- Sipërfaqe pa bimësi;
- Infrastrukturë rrugore dhe elemente të tjerë brenda zonave të analizuara.
Për çdo zonë janë përgatitur harta tematike, statistika të sipërfaqeve të prekura dhe analiza krahasuese para dhe pas zjarrit, duke krijuar një pasqyrë të qartë të ndikimit të zjarreve në territor.
Nëpërmjet këtyre produkteve synohet monitorimi dhe vlerësimi i dëmeve në territor si dhe vendimmarrja institucionale, duke shfrytëzuar potencialin e teknologjive Remote Sensing dhe GIS në menaxhimin e situatave emergjente.
Analizimi i imazheve satelitore në zonën e prekur nga zjarri Selishtë, Dibër
Vijon puna e ekspertëve të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në mbështetje të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) për përgatitjen e hartës tematike për zonën e prekur nga zjarri, bazuar në analizimin dhe interpretimin e imazheve satelitore.
Nga analizimi i imazheve satelitore, nëpërmjet përdorimit të teknologjive të avancuara, është përgatitur një hartë landcover (Mbulesë e Tokës) e cila evidenton zonat e prekura nga zjarri, duke bërë një analizim të gjithë shtresave të dëmtuara për zonën e interesit Selishtë, Dibër.
Kjo analizë mundëson evidentimin dhe dokumentimin e sipërfaqeve të prekura, duke ofruar informacion të vlefshëm për monitorimin e situatës dhe vlerësimin e ndikimit të zjarrit në territor.
Zona e dëmtuar rezulton me një sipërfaqe të djegur prej rreth 48.57 ha, e ndarë sipas kategorive të lancover (Mbulesës së Tokës) në:
- 12.84 ha sipërfaqe me bimësi;
- 23.93 ha sipërfaqe pa bimësi;
- 11.8 ha sipërfaqe pyjore.
Nis fotografimi i ri ajror i territorit të Shqipërisë
Sot ka nisur zyrtarisht procesi i fotografimit të ri ajror të territorit të Republikës së Shqipërisë, një projekt me rëndësi të veçantë i cili realizohet në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), me synim përditësimin e informacionit gjeohapësinor dhe forcimin e kapaciteteve për monitorimin, planifikimin dhe administrimin e territorit të Republikës së Shqipërisë.
Faza e parë e projektit ka nisur me fotografimin ajror të 680 km² të zonave urbane, duke sjellë një nivel të ri cilësie dhe saktësie në mbledhjen e të dhënave gjeohapësinore.
Risia e këtij projekti është përdorimi i teknologjive me rezolucion shumë të lartë, 5 cm GSD si dhe skanimi LIDAR me densitet 10 pika/m².
Qëllimi kryesor i projektit është përditësimi dhe zhvillimi i Hartës Bazë për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, e cila mundëson krijimin e një informacioni hartografik të saktë, të detajuar dhe të përditësuar.
Për herë të parë në këtë projekt do të përfshihet edhe fotografimin ajror oblik, i cili mundëson krijimin e produkteve të avancuara gjeohapësinore, përfshi modele dhe imazhe 3D të zonave urbane (3D City). Këto të dhëna krijojnë mundësi të reja për analizën, vizualizimin dhe administrimin e hapësirave urbane, mjedisit, bujqësisë etj.
Analizimi i imazheve satelitore për zonat e prekura nga zjarri
Në mbështetje të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), ekspertë të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) nga Drejtoria e Përpunimit të të Dhënave Remote Sensing kanë realizuar harta tematike, me analiza gjeohapësinore për disa nga zonat e prekura nga zjarret në territorin e vendit: Krujë; Halil,Krujë, Mali i Dardhës, Librazhd; Ribë, Mallakastër; Lurë, Dibër dhe Kavajë.
Nëpërmjet krahasimit të imazheve satelitore dhe të dhënave të mbulesës së tokës para dhe pas zjarrit, janë evidentuar sipërfaqet e dëmtuara dhe kategoritë kryesore të prekura, si:
- Sipërfaqet pyjore;
- Sipërfaqet me pemëtore;
- Sipërfaqet me bimësi;
- Sipërfaqet pa bimësi;
- Infrastruktura rrugore dhe elemente të tjerë brenda zonave të analizuara.
Për çdo zonë janë përgatitur harta tematike, statistika të sipërfaqeve të prekura dhe analiza krahasuese para dhe pas zjarrit, duke krijuar një pasqyrë të qartë të ndikimit të zjarreve në territor.
Nëpërmjet këtyre produkteve synohet monitorimi dhe vlerësimi i dëmeve në territor si dhe vendimmarrja institucionale, duke shfrytëzuar potencialin e teknologjive Remote Sensing dhe GIS në menaxhimin e situatave emergjente.
ASIG zhvillon takim pune në kuadër të zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Specializimit Inteligjent (S3)
Në vijim të zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Specializimit Inteligjent (S3) dhe Planit të Veprimit, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilloi sot takimin e parë të punës me fokus Aktivitetin A.3, i cili synon krijimin e një platforme të përbashkët bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe biznesit.
Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), me qëllim diskutimin mbi mundësitë e bashkëpunimit, konsolidimin e ideve dhe evidentimin e nevojave institucionale për zhvillimin e nismave të përbashkëta në kuadër të prioriteteve të Strategjisë Kombëtare të Specializimit Inteligjent.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e integrimit të të dhënave inteligjente gjeohapësinore me prioritetet strategjike të zhvillimit, si një element i rëndësishëm për nxitjen e inovacionit, zhvillimit teknologjik dhe ekonomik të Shqipërisë deri në vitin 2030.
Ky bashkëpunim synon krijimin e një mjedisi të favorshëm për identifikimin dhe zhvillimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian, duke rritur përdorimin e teknologjive të reja dhe të informacionit gjeohapësinor në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm.
ASIG në EUREF 2026
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) po merr pjesë në Simpoziumin EUREF 2026, një nga aktivitetet më të rëndësishme vjetore në fushën e gjeodezisë evropiane i cili po zhvillohet në Paris, Francë, nga data 23–25 Qershor 2026, me pjesëmarrjen e ekspertëve dhe institucioneve evropiane të fushës së gjeodezisë.
Përfaqësuesit e ASIG nga Sektori i Kornizës Referuese Gjeodezike prezantuan dhe diskutuan në këtë simpozium zhvillimet, projektet dhe progresin e Kornizës Referuese Gjeodezike të Shqipërisë (KRGJSH), në kuadër të modernizimit të saj sipas standardeve evropiane.
Fokusi kryesor i prezantimit të tyre ishte:
- Llogaritja e gjeoidit në Shqipëri, si bazë për referencën e re moderne vertikale të vendit,
- Përcaktimi i vektorëve të shpejtësive për 27 stacionet ALBCORS, në bashkëpunim me EUREF Working Group on “EPN Densification”, si dhe integrimi i tyre në European Dense Velocity Model.
Gjithashtu gjatë EUREF 2026 u trajtuan temat më me interes të momentit në fushën e gjeodezisë si:
- Sistemet referuese evropiane ETRS89/ETRF dhe EVRF,
- Rrjetin EUREF Permanent Network (EPN),
- Teknologjitë GNSS,
- Gravimetrinë kuantike dhe nivelimin me orë atomike,
- Raportet kombëtare mbi zhvillimin e infrastrukturave gjeodezike në vendet evropiane.
Pjesëmarrja e ASIG në këtë aktivitet përfaqëson një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave me komunitetin evropian të gjeodezisë, si dhe për të qenë pjesë e diskutimeve mbi zhvillimet më të fundit në fushën e sistemeve të referencës gjeodezike, teknologjive moderne dhe informacionit gjeohapësinor.
Zhvillohet një vizitë studimore në Itali mbi vlerësimin e dëmeve dhe humbjeve pas fatkeqësive natyrore
Në datat 17–19 Qershor 2026, një përfaqësues i Autoritetit Shtetëror të Informacionit Gjeohapësinor mori pjesë në aktivitetin ndërkombëtar “Damage and Loss Assessment in Emergency Context after Flood Events”, organizuar nga Departamenti Italian i Mbrojtjes Civile, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Palestina.
Në fokus të këtij aktiviteti ishte menaxhimi i proceseve të vlerësimit të dëmeve dhe humbjeve pas përmbytjeve, procedurave ligjore dhe institucionale të menaxhimit të emergjencave, si dhe praktikat e planifikimit dhe koordinimit ndërinstitucional në fazën pas emergjencës.
Gjatë kësaj vizite studimore pjesëmarrësit u njohën me sistemin kombëtar italian të mbrojtjes civile, procedurat për shpalljen e gjendjes së emergjencës, mekanizmat e vlerësimit të nevojave dhe masave për tejkalimin e situatave emergjente.
Programi vijoi në Rajonin Emilia-Romagna dhe Val di Sambro ku delegacioni zhvilloi takime institucionale me Agjencinë Rajonale të Mbrojtjes Civile dhe vizita në zonat e prekura nga përmbytjet e viteve 2023–2024. Pjesëmarrësit u njohën nga afër me ndërhyrjet e realizuara në lumenjtë Idice dhe Lamone, proceset e vlerësimit pas ngjarjes, praktikat e koordinimit mes autoriteteve lokale dhe rajonale si dhe menaxhimin e rrëshqitjeve të dheut dhe masat e marra për reduktimin e rrezikut.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet kontribuon në forcimin e kapaciteteve profesionale të institucioneve pjesëmarrëse në fushën e vlerësimit të dëmeve, planifikimit të rimëkëmbjes dhe menaxhimit të rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore.
Zhvillohet takim mbi ecurinë e projektit të fotografimit ajror në Shqipëri
U zhvillua dje në ambientet e ASIG takimi i radhës ndërmjet përfaqësuesve të kompanisë turke “Mescioğlu Mühendislik ve Müşavirlik A.Ş.” dhe grupit të punës përgjegjës nga ASIG, në kuadër të projektit “Fotografimi ajror digjital i territorit të Republikës së Shqipërisë, prodhimi i imazheve ajrore të orientuara nadir dhe oblik, skanimin LIDAR, DTM, trueOrtofoto, ortofoto”.
Në takim morën pjesë Drejtoresha e Përgjithshme e ASIG, znj. Vilma Tomço, si dhe Drejtoresha e Përgjithshme e AZHBR, znj. Ardita Kuçi.
Gjatë takimit u prezantua ecuria e deritanishme e projektit si dhe aktivitetet e planifikuara për realizimin e projektit.
Projekti i fotografimit ajror përbën një hap të rëndësishëm për krijimin, përditësimin dhe përmirësimin e të dhënave gjeohapësinore në Shqipëri, duke mbështetur projekte strategjike dhe proceset e planifikimit e zhvillimit në nivel kombëtar.
Diskutimet gjithashtu u fokusuan edhe në mundësinë e mbështetjes së institucioneve të tjera publike dhe veçanërisht AZHBR dhe projektit të saj LPIS për administrimin e parcelave bujqësore.
ASIG merr pjesë në asamblenë e përgjithshme “EU Space Networks General Assembly 2026”
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në asamblenë e përgjithshme “EU Space Networks General Assembly 2026” e cila u zhvillua më 27–28 maj 2026, në Nikozia, Qipro.
Në fokus të asamblesë këtë vit ishin zhvillimet më të fundit në sektorin hapësinor evropian, bashkëpunimi ndërmjet rrjeteve të BE-së dhe përdorimi i teknologjive satelitore në fusha të ndryshme.
Ky aktivitet bëri bashkë përfaqësues të institucioneve evropiane të gjeoinformacionit, organizatave ndërkombëtare dhe botës akademike për të diskutuar temat kryesore që lidhen me sigurinë, inteligjencën artificiale, komunikimet satelitore dhe menaxhimin e trafikut hapësinor.
Një temë e rëndësishme e aktivitetit ishte zhvillimi i Inteligjencës Artificiale dhe përdorimi i saj për përpunimin e të dhënave të vëzhgimit të tokës (Earth Observation), duke prezantuar projekte dhe modele inovative për analizën e të dhënave satelitore.
Programi i asamblesë u përmbyll me zhvillimin e vizitave teknike në stacionin satelitor të marrjes së të dhënave pranë “Eratosthenes Centre of Excellence”, ku pjesëmarrësit u njohën me aktivitetet operacionale, infrastrukturat e përdorura për monitorimin dhe përpunimin e të dhënave satelitore, si dhe vizita në infrastrukturën satelitore të GOVSATCOM në Kofinou, ku u ofrua një pasqyrë praktike mbi shërbimet evropiane të komunikimit satelitor të sigurt dhe aplikimet e tyre në fushën e sigurisë dhe menaxhimit të emergjencave.
Zhvillohet workshop-i “Albania Satellite Service Workshop”
Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) mori pjesë në workshop-in me temë “Albania Satellite Service Workshop” të organizuar nga kompania Satellogic, më 26.05.2026, në ambientet e Xheko Imperial, Tiranë.
Qëllimi i këtij workshop-i ishte prezantimi dhe diskutimi i ecurisë së shërbimit satelitor në Shqipëri, arritjet e programit ASIG–Satellogic gjatë periudhës 2022–2026, si dhe mundësitë e mëtejshme për zgjerimin e përdorimit të të dhënave satelitore nga institucionet publike.
Në këtë workshop ASIG prezantoi arritjet e shërbimit satelitor në Shqipëri, duke theksuar përvojën e krijuar për monitorim satelitor, përdorimin e dy satelitëve të dedikuar për territorin shqiptar, rritjen e kapaciteteve për përpunim të pavarur të të dhënave satelitore në sistemet GIS, si dhe infrastrukturën teknologjike të avancuar për analizimin dhe përpunimin e të dhënave.
Ky aktivitet shërbeu si një platformë teknike për shkëmbimin e informacionit ndërmjet ASIG, Satellogic, AKMC dhe stafeve teknike të institucioneve përfituese, me fokus kryesor te kapacitetet aktuale të shërbimit satelitor, si dhe tek produktet e krijuara nga ASIG nëpërmjet këtij shërbimi.
Gjithashtu përfaqësues të Satellogic prezantuan profilin e kompanisë, kapacitetet teknike dhe produktet kryesore të shërbimeve satelitore që ofron kjo kompani.





















