Telefon: +355 4 223 6762

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) po merr pjesë në Simpoziumin EUREF 2026, një nga aktivitetet më të rëndësishme vjetore në fushën e gjeodezisë evropiane i cili po zhvillohet në Paris, Francë, nga data 23–25 Qershor 2026, me pjesëmarrjen e ekspertëve dhe institucioneve evropiane të fushës së gjeodezisë.
Përfaqësuesit e ASIG nga Sektori i Kornizës Referuese Gjeodezike prezantuan dhe diskutuan në këtë simpozium zhvillimet, projektet dhe progresin e Kornizës Referuese Gjeodezike të Shqipërisë (KRGJSH), në kuadër të modernizimit të saj sipas standardeve evropiane.
Fokusi kryesor i prezantimit të tyre ishte:

  • Llogaritja e gjeoidit në Shqipëri, si bazë për referencën e re moderne vertikale të vendit,
  • Përcaktimi i vektorëve të shpejtësive për 27 stacionet ALBCORS, në bashkëpunim me EUREF Working Group on “EPN Densification”, si dhe integrimi i tyre në European Dense Velocity Model.

Gjithashtu gjatë EUREF 2026 u trajtuan temat më me interes të momentit në fushën e gjeodezisë si:

  • Sistemet referuese evropiane ETRS89/ETRF dhe EVRF,
  • Rrjetin EUREF Permanent Network (EPN),
  • Teknologjitë GNSS,
  • Gravimetrinë kuantike dhe nivelimin me orë atomike,
  • Raportet kombëtare mbi zhvillimin e infrastrukturave gjeodezike në vendet evropiane.

Pjesëmarrja e ASIG në këtë aktivitet përfaqëson një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave me komunitetin evropian të gjeodezisë, si dhe për të qenë pjesë e diskutimeve mbi zhvillimet më të fundit në fushën e sistemeve të referencës gjeodezike, teknologjive moderne dhe informacionit gjeohapësinor.