Telefon: +355 4 223 6762

Në datat 17–19 Qershor 2026, një përfaqësues i Autoritetit Shtetëror të Informacionit Gjeohapësinor mori pjesë në aktivitetin ndërkombëtar “Damage and Loss Assessment in Emergency Context after Flood Events”, organizuar nga Departamenti Italian i Mbrojtjes Civile, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Palestina.

Në fokus të këtij aktiviteti ishte menaxhimi i proceseve të vlerësimit të dëmeve dhe humbjeve pas përmbytjeve, procedurave ligjore dhe institucionale të menaxhimit të emergjencave, si dhe praktikat e planifikimit dhe koordinimit ndërinstitucional në fazën pas emergjencës.

Gjatë kësaj vizite studimore pjesëmarrësit u njohën me sistemin kombëtar italian të mbrojtjes civile, procedurat për shpalljen e gjendjes së emergjencës, mekanizmat e vlerësimit të nevojave dhe masave për tejkalimin e situatave emergjente.

Programi vijoi në Rajonin Emilia-Romagna dhe Val di Sambro ku delegacioni zhvilloi takime institucionale me Agjencinë Rajonale të Mbrojtjes Civile dhe vizita në zonat e prekura nga përmbytjet e viteve 2023–2024. Pjesëmarrësit u njohën nga afër me ndërhyrjet e realizuara në lumenjtë Idice dhe Lamone, proceset e vlerësimit pas ngjarjes, praktikat e koordinimit mes autoriteteve lokale dhe rajonale  si dhe menaxhimin e rrëshqitjeve të dheut dhe masat e marra për reduktimin e rrezikut.

Pjesëmarrja në këtë aktivitet kontribuon në forcimin e kapaciteteve profesionale të institucioneve pjesëmarrëse në fushën e vlerësimit të dëmeve, planifikimit të rimëkëmbjes dhe menaxhimit të rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore.