ASIG, në bashkëpunim me ASPA, zhvillojnë trajnimin “Aplikimet e Imazherisë Satelitore për Përmirësimin e të Dhënave Gjeohapësinore”
U zhvillua sot më datë 25 qershor 2026, ASIG, në bashkëpunim me ASPA trajnimi me temë “Aplikimet e Imazherisë Satelitore për Përmirësimin e të Dhënave Gjeohapësinore”, në kuadër të forcimit të kapaciteteve profesionale të administratës publike në fushën e gjeoinformacionit. Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me integrimin e të dhënave satelitore me sistemet GIS për krijimin e hartave tematike dhe zhvillimin e analizave hapësinore. Vëmendje e veçantë iu kushtua përdorimit të imazherisë satelitore për identifikimin, analizimin dhe përmirësimin e të dhënave gjeohapësinore, në funksion të nevojave institucionale.
Nëpërmjet shembujve praktikë u trajtuan zbatimi i indekseve spektrale dhe metodave të klasifikimit për interpretimin e vegjetacionit, trupave ujorë, ndërtimeve dhe ndryshimeve në mbulesën e tokës. Gjithashtu, pjesëmarrësit u njohën me analizën e ndryshimeve territoriale në kohë dhe përdorimin e produkteve gjeohapësinore për mbështetjen e vendimmarrjes në planifikim territorial, menaxhim mjedisor dhe monitorim të fenomeneve natyrore.
Trajnimi synoi rritjen e aftësive praktike të pjesëmarrësve për përdorimin e të dhënave satelitore si burim i vlefshëm informacioni për analizë, përditësim të të dhënave dhe vendimmarrje të bazuar në evidencë.
ASIG dhe ASPA organizojnë trajnimin “Hyrje në Remote Sensing”
Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), më 22 qershor 2026 u zhvillua trajnimi me temë: “Hyrje në Remote Sensing”.
Ky aktivitet bëri bashkë përfaqësues të institucioneve të administratës publike, me synim rritjen e njohurive dhe aftësive të tyre mbi përdorimin e teknologjisë Remote Sensing në analizën e të dhënave gjeohapësinore dhe në mbështetje të vendimmarrjes së bazuar në të dhëna.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me parimet bazë të teknologjisë Remote Sensing, funksionin e saj në mbledhjen dhe analizën e informacionit mbi sipërfaqen e Tokës, si dhe me komponentët kryesorë të këtij sistemi, përfshirë sensorët, platformat dhe ndërveprimin e rrezatimit elektromagnetik me objektet dhe fenomenet territoriale.
Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të spektrit elektromagnetik në identifikimin dhe interpretimin e mbulesës së tokës, përdorimit të të dhënave satelitore në analizat territoriale, si dhe ndikimit të atmosferës në cilësinë dhe saktësinë e të dhënave të përftuara nga teknologjitë e vrojtimit nga distanca.
Nëpërmjet trajtimit të këtyre tematikave, u evidentua rëndësia e Remote Sensing si një instrument bashkëkohor për monitorimin e territorit, analizën e fenomeneve natyrore dhe njerëzore, përmirësimin e informacionit gjeohapësinor dhe mbështetjen e proceseve të planifikimit dhe vendimmarrjes në administratën publike. Pjesëmarrësit në këtë trajnim do të pajisen me certifikatë nga ASPA.
Zhvillohet trajnimi ASIG–ASPA me temë “Infrastruktura Kombëtare e Ofrimit të të Dhënave dhe Shërbimeve Gjeohapësinore”
Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), më 11 qershor 2026 u zhvillua trajnimi me temë: “Infrastruktura Kombëtare e Ofrimit të të Dhënave dhe Shërbimeve Gjeohapësinore”.
Ky aktivitet bëri bashkë përfaqësues të institucioneve të administratës publike, me synim rritjen e njohurive dhe aftësive të tyre në administrimin, përdorimin dhe shkëmbimin e informacionit gjeohapësinor.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me parimet themelore të Direktivës INSPIRE, standardet e gjeoinformacionit, autoritetet publike përgjegjëse, si dhe kuadrin ligjor dhe rregullator në Shqipëri për Infrastrukturën Kombëtare të të Dhënave Gjeohapësinore.
Vëmendje e veçantë iu kushtua Gjeoportalit Kombëtar, katalogut të metadatave, të dhënave gjeohapësinore dhe shërbimeve të rrjetit. Në pjesën praktike, pjesëmarrësit përdorën funksionalitetet e Gjeoportalit Kombëtar për aksesimin, vizualizimin, shkarkimin dhe përdorimin e të dhënave gjeohapësinore.
Nëpërmjet trajtimit të këtyre tematikave u evidentua rëndësia e standardizimit, ndërveprueshmërisë dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në mbështetje të planifikimit dhe vendimmarrjes së bazuar në të dhëna gjeohapësinore. Pjesëmarrësit në këtë trajnim do të pajisen me certifikatë nga ASPA.
ASIG zhvillon trajnim për stafet teknike të Shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Berat
Ekspertë të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilluan më 26 maj 2026, një trajnim me stafet teknike të Shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Berat, në kuadër të mbështetjes për rritjen e kapaciteteve në përdorimin dhe administrimin e të dhënave gjeohapësinore.
Trajnimi u fokusua në rëndësinë e mbledhjes, strukturimit dhe publikimit të të dhënave sipas standardeve teknike të gjeoinformacionit, me vëmendje të veçantë tek standardi “Infrastruktura Urbane dhe Shërbimet Qeveritare”. Gjithashtu, pjesëmarrësit u njohën me funksionalitetet kryesore të Gjeoportalit Kombëtar, si instrument për aksesimin, kërkimin dhe menaxhimin e informacionit gjeohapësinor.
Përmes këtij trajnimi, ASIG synon të mbështesë institucionet në përmirësimin e cilësisë së të dhënave, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe forcimin e praktikave të standardizuara në administrimin e informacionit gjeohapësinor në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve.
Trajnim për stafet teknike të Shoqërisë Ujësjellës – Kanalizime Tiranë
Ekspertët e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilluan sot, më 12 maj 2026, një trajnim të dedikuar për stafet teknike të Shoqërisë Ujësjellës – Kanalizime Tiranë.
Trajnimi synoi rritjen e kapaciteteve teknike në menaxhimin dhe administrimin e informacionit gjeohapësinor, duke u fokusuar në proceset e mbledhjes, organizimit dhe publikimit të të dhënave në sektorin e ujësjellës – kanalizimeve. Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit u njohën me kërkesat e standardit teknik të gjeoinformacionit “Infrastruktura Urbane dhe Shërbimet Qeveritare”, si edhe me përdorimin e Gjeoportalit Kombëtar në administrimin e të dhënave gjeohapësinore, përfshirë funksionalitetet e tij për aksesimin, kërkimin dhe menaxhimin e informacionit të publikuar.
Ky trajnim kontribuon në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe në rritjen e ndërveprueshmërisë ndërmjet institucioneve, duke mbështetur administrimin e standardizuar të informacionit gjeohapësinor në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve.
Trajnim për stafet teknike të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës–Kanalizime Sarandë
Ekspertët e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilluan më 7 – 8 prill 2026, në qytetin e Sarandës, një trajnim dyditor me stafet teknike të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës–Kanalizime Sarandë. Aktiviteti synoi forcimin e kapaciteteve teknike në menaxhimin e informacionit gjeohapësinor, me fokus të veçantë te mbledhja, strukturimi dhe publikimi i të dhënave që lidhen me rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve. Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me kërkesat e standardit teknik të gjeoinformacionit “Infrastruktura Urbane dhe Shërbimet Qeveritare”, si edhe me procedurat që lidhen me përdorimin e Gjeoportalit Kombëtar për administrimin dhe shpërndarjen e të dhënave gjeohapësinore.
Pjesa praktike e trajnimit u përqendrua në organizimin e shtresave tematike, kontrollin e cilësisë së të dhënave, plotësimin e metadatave dhe harmonizimin e skemave sipas kërkesave teknike për publikim. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe hapave që duhen ndjekur për integrimin e të dhënave në Gjeoportalin Kombëtar, në funksion të rritjes së ndërveprueshmërisë dhe përputhshmërisë me kuadrin ligjor në fuqi.
Në vijim, ASIG do të ofrojë asistencë teknike për konsolidimin e mëtejshëm të skemave të të dhënave dhe për integrimin e plotë të tyre në Gjeoportalin Kombëtar.
ASIG dhe ASPA organizojnë trajnimin “Hyrje në Remote Sensing”
Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilloi më 26 mars 2026, trajnimin me temë “Hyrje në Remote Sensing”, me pjesëmarrjen e stafeve teknike të institucioneve publike.
Trajnimi u organizua si pjesë e angazhimit të ASIG për forcimin e kapaciteteve profesionale në fushën e gjeoinformacionit, përmes programeve të specializuara të hartuara me kontributin e ekspertëve të institucionit. Në fokus të këtij aktiviteti ishte krijimi i një kuptimi të qartë mbi bazat teorike dhe praktike të teknologjisë Remote Sensing dhe rolin që ajo luan në mbështetjen e proceseve institucionale. Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me elementët kryesorë të kësaj teknologjie, duke përfshirë spektrin elektromagnetik, tipologjitë e sensorëve, ndikimin e atmosferës në përftimin e të dhënave, si edhe mënyrën e përzgjedhjes së produkteve më të përshtatshme sipas nevojave konkrete të institucioneve.
Nëpërmjet këtij trajnimi, ASIG synon të nxisë përdorimin më të gjerë të teknologjive Remote Sensing në fusha si planifikimi urban, menaxhimi i mjedisit dhe monitorimi i territorit, duke kontribuar në vendimmarrje më të informuar dhe të mbështetur në të dhëna të besueshme. Në përfundim të trajnimit, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatë nga ASPA.
Trajnim në kuadër të bashkëpunimit ASIG-ASPA “Aplikimet e Imazherisë Satelitore për Përpunimin e të Dhënave Gjeohapësinore”
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), zhvilloi më datë 12.03.2026 trajnimin me temë “Aplikimet e Imazherisë Satelitore për Përpunimin e të Dhënave Gjeohapësinore”, me pjesëmarrjen e stafeve teknike nga institucione të administratës publike.
Ky trajnim është pjesë e kurrikulave të specializuara të hartuara nga ekspertët e ASIG për rritjen e kapaciteteve të administratës publike në përdorimin dhe menaxhimin e të dhënave gjeohapësinore.
Gjatë sesioneve të këtij trajnimi, u trajtuan konceptet kryesore të imazherisë satelitore dhe aftësimi i stafeve teknike të institucioneve pjesëmarrëse, në përdorimin praktik dhe analizimin e këtyre imazheve përmes metodave të avancuara dhe integrimit të tyre me sistemet GIS.
Ekspertët e ASIG zhvilluan trajnimin në mbështetje të administratës publike në drejtim të zhvillimit të aftësive të avancuara për analizë, interpretim dhe përdorim të të dhënave gjeohapësinore në funksion të vendimmarrjes së bazuar në evidencë.
Të gjithë pjesëmarrësit në trajnim do të pajisen me certifikatë nga ASPA.
Trajnim me stafet teknike të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nismës për rritjen e kapaciteteve në menaxhimin dhe përdorimin e informacionit gjeohapësinor, zhvilloi sot më 12.03.2026, një trajnim të dedikuar për stafin teknik të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK). Qëllimi i trajnimit ishte të forconte kapacitetet e stafit për menaxhimin dhe standardizimin e të dhënave gjeohapësinore në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, në përputhje me kuadrin ligjor dhe standardet e gjeoinformacionit.
Gjatë trajnimit u trajtua përdorimi i funksionaliteteve të Gjeoportalit Kombëtar për aksesimin e të dhënave të publikuara, analiza dhe harmonizimi i të dhënave ekzistuese nga dokumentet e planifikimit dhe shoqëritë rajonale, standardizimi i të dhënave për rrjetin e shpërndarjes së ujit dhe kanalizimeve, si dhe përdorimi praktik i modulit Editor për krijimin dhe përditësimin e të dhënave.
Trajnim në kuadër të bashkëpunimit ASIG-ASPA “Infrastruktura Kombëtare e Ofrimit të të Dhënave dhe Shërbimeve Gjeohapësinore”
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), zhvilloi më datë 05.03.2026 trajnimin me temë “Infrastruktura Kombëtare e Ofrimit të të Dhënave dhe Shërbimeve Gjeohapësinore”, me pjesëmarrjen e stafeve teknike nga institucione të administratës publike dhe njësive të vetëqeverisjes vendore.
Ky trajnim është pjesë e kurrikulave të specializuara të hartuara nga ekspertët e ASIG për rritjen e kapaciteteve të administratës publike në përdorimin dhe menaxhimin e të dhënave gjeohapësinore. Gjatë sesionit u trajtuan konceptet kryesore mbi funksionimin e Infrastrukturës Kombëtare të të Dhënave Gjeohapësinore (NSDI), rolin e saj në standardizimin dhe shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve, si dhe rëndësia e metadatave dhe e shërbimeve të rrjetit për publikimin dhe shpërndarjen e të dhënave gjeohapësinore.
Në pjesën praktike të trajnimit u prezantuan funksionalitetet kryesore të Gjeoportalit Kombëtar, duke përfshirë kërkimin, vizualizimin dhe përdorimin e të dhënave gjeohapësinore. Të gjithë pjesëmarrësit në trajnim do të pajisen me certifikatë nga ASPA.






































