Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes ASIG dhe ASHK

U nënshkrua sot në ambientet e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG),  marrëveshja e bashkëpunimit me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK).

Ky hap siguron shkëmbimin në kohë reale të të dhënave gjeohapësinore, jo vetëm për parcelat kadastrale dhe ndërtesat, por pjesë e hartave të cilat do të publikohen në Gjeoportalin Kombëtar do të jenë edhe parcelat  pyjore e kullotat.

Një tjetër objektiv i rëndësishëm i kësaj marrëveshjeje është trajnimi sistematik i stafeve për të garantuar përdorimin efektiv të të dhënave gjeohapësinore. Përmirësimi dhe përditësimi i vazhdueshëm i të dhënave do të rrisë transparencën dhe aksesin për publikun e gjerë.

 

ASIG merr pjesë në simpoziumin EUREF 2024

Përfaqësues të Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) nga Sektori i Kornizës Referuese Gjeodezike dhe Sektori i Infrastrukturës së Sistemeve CORS morën pjesë në Simpoziumin EUREF 2024 i cili u zhvillua në Barcelonë të Spanjës, në datat 5-7 Qershor 2024.

Në këtë konferencë u diskutuan tema me rëndësi të veçantë siç janë realizimi, mirëmbajtja dhe përdorimi i sistemeve evropiane ETRS89, EVRS dhe Rrjetit Permanent Evropian EPN si dhe mbështetja dhe rekomandimet e tyre mbi zhvillimin dhe mirëmbajtjen e Kornizave Referuese Gjeodezike Kombëtare.

ASIG si përfaqësues i Shqipërisë,  një nga vendet e pllakës Euroaziatike, prezantoi në këtë simpozium statusin aktual dhe objektivat për të ardhmen lidhur me Rrjetet e KRGJSH-së, me fokus kryesor Gjeoidin Gravimetrik 2023v.1 dhe përmirësimin e tij në të ardhmen, në funksion të përcaktimit të Referencës Gjeodezike Vertikale në Shqipëri në përputhje me standardet EU (CRS-EU).

Takim në kuadër të projektit  “Krijimi i qendrës së gjeoinformacionit në Ballkanin Perëndimor”

Në takimin e organizuar sot nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, në  kuadër të projektit “Krijimi i qendrës së gjeoinformacionit në Ballkanin Perëndimor”  mori pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor znj. Vilma Tomço.

Ky projekt po zhvillohet nga Universiteti Bujqësor i Tiranës në bashkëpunim me Institutin Gjerman IAMO dhe me financim të Qeverisë Gjermane, misioni i  krijimit të kësaj qendre është të mbështesë sektorët bujqësor të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e anëtarësimit në BE përmes përmirësimit të kapaciteteve njerëzore në analizën e të dhënave gjeohapësinore, përdorimin e Sistemeve të Informacionit Gjeografik (GIS) dhe teknologjive remote sensing.

Znj. Tomço në fjalën e saj bëri një paraqitje të hapave të hedhur nga ASIG në krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor në Shqipëri, duke theksuar gjithashtu bashkëpunimin gjithnjë e në rritje të ASIG me botën akademike.

 

   

Leksion i hapur me studentët e universitetit POLIS

Ekspertët e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilluan në ambientet e sallës Europa, më 11.03.2024, leksion të hapur më studentët e vitit të parë, master profesional për “Planifikim Urban dhe GIS”, të Universitetit POLIS.

Tema e këtij leksioni ishte “Gjeoportali Kombëtar dhe përdorimi i tij” dhe u drejtua nga ekspertët e ASIG, z. Kristaq Qirko dhe z. Erin Mlloja të cilët shpjeguan rëndësinë e gjeoinformacionit dhe mundësitë e shumta të përdorimit të tij nëpërmjet Gjeoportalit Kombëtar gjatë planifikimit urban dhe menaxhimit të territorit.

   

   

ASIG merr pjesë në Konferencën “NSDI Day 2024” në Shkup, Maqedonia e Veriut

Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në konferencën “NSDI Day 2024” e cila u zhvillua në Shkup, Maqedonia e Veriut, më 21 – 22 Shkurt.

Kjo konferencë u organizua nga Agjencia e Kadastrës për Pasuri të Paluajtshme e Maqedonisë së Veriut (AREC) dhe kishte në fokus tendencën dhe risitë rajonale në fushën e infrastrukturës kombëtare për të dhënat gjeohapësinore. Konferenca u organizua në 5 sesione, ku pjesëmarrës nga vendet e rajonit si Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Sllovenia, Bosnje -Hercegovina dhe Kroacia, prezantuan zhvillimet e tyre në fushën e NSDI.

Përfaqësuesit e ASIG nga Sektori i Koordinimit dhe Çështjeve Ligjore dhe Sektori i GIS-it Kombëtar prezantuan në këtë konferencë përmbushjet e objektivave sipas fushave strategjike duke përfshirë kornizën ligjore, infrastrukturën, bashkëpunimin dhe koordinimin me institucionet përgjegjëse, ndërtimin e Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare, zhvillimin dhe përditësimin i GIS-it dhe Gjeoportalit Kombëtar. Gjithashtu u evidentuan risitë në fushën e gjeoinformacionit duke përfshirë monitorimin e territorit me teknologji të avancuar, projektet në vazhdim si dhe planet dhe objektivat e ASIG për të ardhmen për zhvillimin e infrastrukturës së informacionit gjeohapësinor në Shqipëri.

   

ASIG merr pjesë në workshop-in e 4-ët ndërkombëtar me temë “Cilësia e të dhënave gjeohapësinore”

Në workshop-in e 4-ët ndërkombëtar për “Cilësinë e të dhënave gjeohapësinore” i cili u zhvillua më 11 – 12 Tetor 2023, në Bruksel, nga EuroGeographics dhe EuroSDR, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), nga Sektori i Standardeve për Gjeoinformacionin.

Qëllimi i këtij workshop-i ishte njohja e pjesëmarrësve me praktikat më të mira për rritjen e besueshmërisë së burimit të të dhënave gjeohapësinore dhe cilësisë së tyre.

Përfaqësuesit e ASIG në prezantimin e tyre sollën për të pranishmit informacion mbi cilësinë e të dhënave gjeohapësinore, mënyrën se si kontrollohen këto të dhëna, software-ët që përdoren, si dhe objektivat e së ardhmes mbi rritjen e sigurisë së të dhënave gjeohapësinore.

Twitter

ASIG merr pjesë në workshop-in me temë “Integrimi i të dhënave gjeohapësinore dhe statistikore”

Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor morën pjesë në Workshopin e organizuar nga UNECE, Eurostat dhe UN-GGIM Europe, me temë “Integrimi i të dhënave gjeohapësinore dhe statistikore”, i cili u zhvillua më 04-05 Tetor 2023, në Beograd. Ky workshop ishte i fokusuar në prezantimin dhe ndarjen e praktikave inovative, nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet agjencive kombëtare gjeohapësinore dhe statistikore, në promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar duke pëdorur standarde të përbashkëta, si dhe identifikimin e fushave për bashkëpunimet e ardhshme.

Temat që u trajtuan në këtë workshop ishin;

  • Qeverisja efektive,
  • Të dhënat dhe teknologjia,
  • Publiku dhe partneritetet.

ASIG si pjesë e Task Forcës “Problematika e Standardizimi”, paraqiti në këtë workshop prezantimin mbi Infrastrukturën Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor për zhvillimin e sektorit të statistikave në Shqipëri.

Twitter

ASIG merr pjesë në Konferencën Rajonale për Kadastrën dhe Infrastrukturën e të Dhënave Gjeohapësinore

Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, nga sektorët e Standardeve për Gjeoinformacionin dhe Sektori i Përpunimit të Imazheve Satelitore, morën pjesë në Konferencën Rajonale për Kadastrën dhe Infrastrukturën e të Dhënave Gjeohapësinore e cila u zhvillua në Beograd, në datat 04 – 06 Shtator 2023.

Tematikat e trajtuara në këtë konferencë ishin:

  • Kontributi i NSDI në tranzicionin e gjelbër dhe qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike,
  • Mbështetja e tregut të Pasurive të Paluajtshme dhe e-planifikimit,
  • Avancimi i të dhënave dhe shërbimeve gjeohapësinore,
  • Bashkëpunimi rajonal i NSDI-së – Diskutim në panel.

Gjatë punimeve të kësaj konference u theksua rëndësia që kanë të dhënat gjeohapësinore në planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e arritjeve për një zhvillim të qëndrueshëm të shoqërisë.

Përfaqësuesit e ASIG, në prezantimet e tyre i njohën të pranishmit me ecurinë e krijimit të NSDI-së në Shqipëri, rolin dhe e ndikimin që ka NSDI në vendimmarrje për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, si dhe objektivat e ASIG në fushën e gjeoinformacionit, për të ardhmen.

Twitter