Takim mes ASIG dhe përfaqësuesve të International Telecommunication Union

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Shtetëror për Informacionit Gjeohapësinor (ASIG), znj. Vilma Tomço zhvilloi një takim pune me përfaqësues të International Telecommunication Union.

Qëllimi i këtij takimi ishte mundësia e bashkëpunimit rreth përmirësimit të BroadBand Mapping në Republikën e Shqipërisë.  

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ekspertë të ASIG të cilët diskutuan mbi mundësitë e zhvillimit të projekteve të ndryshme për gjeoinformacionin të cilat mund të ndikojnë në sektorin e telekomunikacionit.

ASIG merr pjesë në Konferencën e II-të ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit të ujit dhe zhvillimin e qëndrueshëm

Në Konferencën e II-të ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit të ujit dhe zhvillimin e qëndrueshëm-WEPSD, e cila u mbajt në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më 22-23 shtator 2023, në Tiranë, morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i ASIG znj. Vilma Tomço dhe Drejtori i Drejtorisë së Përpunimit të Informacionit të Territorit me Teknologji të Avancuar, z. Dritani Prifti.

Drejtuesit e ASIG i njohën pjesëmarrësit me detyrat, funksionet dhe rolin që ASIG ka në ndërtimin e NSDI në Shqipëri si dhe me projektet e reja me fokus në teknologjinë e avancuar që ASIG po zhvillon. Gjithashtu në prezantimet e tyre ata sollën shembuj konkretë të produkteve të përftuara nga imazhet satelitore, përdorimin e tyre për analiza të cilësisë së ujit, erozionit, ndryshimeve klimatike, si dhe mundësitë që këto produkte ofrojnë në fushën e kërkimit dhe studimeve të ndryshme për botën akademike.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin lektorë dhe grupe autorësh nga Shqipëria, Greqia, Italia, Gjermania, Bosnja-Hercegovina, Serbia, Slovenia, Kroatia, Izraeli, Turqia, Çekia, Franca, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Austria, Zvicra e të tjerë.

Twitter

Publikohet informacioni gjeohapësinor për temën “Zonat me Rreziqe Natyrore”

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU) ka publikuar në Gjeoportalin Kombëtar për temën “Zonat me rreziqe natyrore”, informacionin gjeohapësinor për Hartat e rrezikut nga përmbytjet për 6 basenet kryesore.

Informacioni gjeohapësinor për këto shtresa është në përputhje me Direktivën e BE -së për përmbytjet, e cila paraqet një hartë rreziku për zonën si edhe për periudhën specifike të kohës së kthimit, thellësinë dhe shpejtësinë.

Të dhënat janë konform standardit të miratuar me VKM-në nr. 810, datë 21.10.2020, Për miratimin e dokumentit “Standardet Shtetërore për Specifikimet Teknike të Informacionit Gjeohapësinor në Shqipëri – Tema: “Zonat me Rreziqe Natyrore””.


Twitter

Mbledhje e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor, datë 22.06.2023

Më 22.06.2023 u zhvillua në ambientet e Kryeministrisë mbledhja e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor (BIG), nën drejtimin e Kryetarit të këtij bordi z. Ermal Nufi, Drejtor i Kabinetit të Zëvendës Kryeministrit.

Në këtë mbledhje ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e BIG.

Z. Nufi në fjalën e tij hapëse falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre dhe theksoi rëndësinë që ka ky bord në zhvillimin e Infrastrukturës së Informacionit Gjeohapësinor si dhe prioritetin dhe vëmendjen e veçantë që Qeveria Shqiptare i ka dhënë ndjekjes së projektit mbi Shërbimet Satelitore dhe përfitimet që pritet të kenë institucionet nga ky projekt.

Drejtori i përgjithshëm i ASIG, znj. Vilma Tomço i njohu të pranishmit me strukturën e re të ASIG, ecurinë e deri tanishme të projektit “Monitorimi i territorit me teknologji të avancuar” dhe hapat e hedhur nga ASIG për krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor (NSDI).

Përgjegjësi i sektorit të GIS-it Kombëtar z. Erin Mlloja në prezantimin e tij paraqiti modulet që do të ketë në përbërje GIS-i Kombëtar si dhe të dhënat gjeohapësinore, sistemet tematike dhe shërbimet që do të bëjnë të mundur ofrimin e informacionit për përdoruesit.

Pas këtij prezantimi anëtarët e BIG shprehën aprovimin e tyre për miratimin e dokumentit Standardet Shtetërore të GIS-it Kombëtar.

Twitter

ASIG merr pjesë në Takimin Bilateral të Kapitullit 27 mbi Mjedisin dhe ndryshimet klimatike

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) i përfaqësuar nga Z. Klaudio Çollaku, Drejtor i Drejtorisë së GIS-it Kombëtar dhe Gjeoportalit dhe Ivis Noçka, Drejtore e Drejtorisë së Kërkimit, Zhvillimit dhe Inovacionit, mori pjesë në Takimin Bilateral të Kapitullit 27, mbi Mjedisin dhe ndryshimet klimatike, i cili po zhvillohet në Bruksel në datat 19-23 qershor 2023.

Direktiva INSPIRE, 2007/2/EC e përafruar nga ligji nr. 72/2012, “Për Organizimin dhe Funksionimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, është pjesë e nën kapitullit Legjislacioni Horizontal, të Kapitullit 27. Z. Çollaku prezantoi në këtë takim hapat e ndërmarrë për përafrimin e legjislacionit dhe implementimin e Direktivës INSPIRE në Shqipëri.

Ai bëri një paraqitje të detajuar të gjithë ecurisë së këtij procesi duke filluar me standardet e gjeoinformacionit të miratuara me Vendim të Këshillit të Ministrave, për 31nga 35 temat e nenit 11, të ligjit nr.72/2012, punën e bërë për implementimin e këtyre standardeve, bashkëpunimin dhe suportin për autoritet publike përgjegjëse për gjeoinformacionin si dhe rolin e rëndësishëm që kanë pasur bashkëpunëtoret ndërkombëtar të ASIG në mbarëvajtjen e këtij procesi. Z. Çollaku gjithashtu prezantoi shërbimet që ofrohen në Gjeoportalin Kombëtar të ASIG, informacionin gjeohapësinor që mundësohet në këtë gjeoportal si dhe numrin gjithnjë e në rritje të përdoruesve të tij.

Në mbyllje të prezantimit u paraqitën planet dhe objektivat që ASIG ka në të ardhmen për zhvillimin e Infrastrukturës së Informacionit Gjeohapësinor.



Twitter

Vijojnë takimet mbi ecurinë e implementimit të projektit “Monitorimi i territorit me teknologji të avancuar”

Vijojnë takimet e organizuara nga Drejtoria e Përpunimit të Informacionit të Territorit me Teknologji të Avancuar pranë Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, me qëllim implementimin e suksesshëm të projektit “Monitorimi i territorit me teknologji të avancuar” si dhe përfshirjen dhe rritjen e kapaciteteve teknike të autoriteteve publike përgjegjëse, përfituese të këtij projekti.

Gjatë kësaj jave kjo drejtori zhvilloi takime me institucionet si më poshtë:

  1. Kryeministria;
    • Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore;
  2. Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural;
  3. Ministria e Brendshme;
    • Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit;
    • Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin;
    • Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile;
    • Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

ASIG merr pjesë në konferencën e Rrjetit Panevropian të Arsimit dhe Kërkimit, TNC23

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor mori pjesë në një nga aktivitetet e organizuara në kuadër të konferencës 5-ditore të Rrjetit Panevropian të Arsimit dhe Kërkimit, TNC23, ku këtë vit ishin pjesëmarrës rreth 730 përfaqësues nga 58 shtete të ndryshme të botës.

Ky aktivitet u organizua më 9 qershor, në ambientet e Universitetit Politeknik të Tiranës nga Rrjeti Akademik Shqiptar i cili ishte edhe mikpritësi i TNC23, një nga rrjetet më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm në fushën teknologjisë së informacionit.

Fokusi i këtij aktiviteti ishte përdorimi i platformave të ndryshme digjitale në Shqipëri.

Drejtori i drejtorisë së GIS-it Kombëtar dhe Gjeoportalit z. Klaudio Çollaku, i njohu të pranishmit me funksionalitet e Gjeoportalit Kombëtar të ASIG dhe lehtësirat që krijojnë shërbimet që ofron kjo platformë për të gjithë përdoruesit e gjeoinformacionit.

Twitter

Ecuria e implementimit të projektit “Monitorimi i territorit me teknologji të avancuar”

Drejtoria e Përpunimit të Informacionit të Territorit me Teknologji të Avancuar pranë Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, me qëllim implementimin e suksesshëm të projektit “Monitorimi i territorit me teknologji të avancuar” si dhe në kuadër të nismës për përfshirjen dhe rritjen e kapaciteteve teknike të autoriteteve publike përgjegjëse përfituese të projektit, zhvilloi në ambientet e sallës Europa, më 08.06.2023 një takim me autoritetet publike në lidhje me ecurinë e implementimit të këtij projekti.

Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësues të institucioneve të cilat kanë shprehur interes për projektin e shërbimit satelitor, si më poshtë:

  • Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes ;
  • Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile;
  • Agjencia Kombëtare e Mjedisit;
  • Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura;
  • Agjencia Shtetërore e Kadastrës;

Grupi i punës i kryesuar nga Drejtori i Drejtorisë së Përpunimit të Informacionit të Territorit me Teknologji të Avancuar z. Dritan Prifti i njohu të pranishmit me:

  • Ecurinë e implementimit të projektit “Monitorimi i territorit me teknologji të avancuar”.
  • Analizimin e avancuar të imazheve me anë të inteligjencës artificiale;
  • Përdorimin e imazheve satelitore për çështje të veçanta.
  • Vizualizimin e të dhënave nga autoritetet publike përgjegjëse.

Gjatë këtij takimi pati diskutime interaktive mbi gjendjen aktuale të infrastrukturës teknike të institucioneve të interesuara mbi projektin e shërbimit satelitor.

Twitter