ASIG anëtarësohet në Copernicus Relay
Në fillim të muajit shkurt Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), është bërë pjesë e rrjetit Copernicus Relay.
Anëtarët e këtij komuniteti të ri janë përfaqësuesit e Copernicus në terren dhe do të promovojnë përfitimet e programit të BE-së për vëzhgimin e Tokës.
Si pjesë e Strategjisë Hapësinore për Evropën, Komisioni Evropian ka krijuar këtë rrjet të ambasadorëve të Copernicus i cili ekziston që prej vitit 2017.
Anëtarët e këtij rrjeti veprojnë si pika kontakti lokale dhe rajonale duke koordinuar dhe promovuar aktivitetet në të gjithë programin Copernicus, si dhe përfitimet dhe mundësitë e tij për bizneset dhe publikun vendas.
Mbledhje e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor, datë 01.02.2023
U zhvillua në ambientet e sallës Europa, më 01.02.2023, nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të ASIG, znj. Vilma Tomço, mbledhja e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor (BIG).
Në mbledhje ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor.
Ekspertët e ASIG me anë të prezantimeve të tyre i njohën anëtarët e BIG me ndryshimet e fundit ligjore të cilat prekin fushën e veprimtarisë së ASIG, projektin e shërbimeve satelitore dhe risitë e Gjeoportalit Kombëtar.
Zhvillohet takim mes ASIG dhe përfaqësuesve të Satellogic USA Inc
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, të kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm znj. Vilma Tomço, në datën 19.01.2023, zhvilluan një takim me përfaqësuesit e kompanisë Satellogic, në kuadër të realizimit të projektit “Për realizimin e Shërbimit Satelitor për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Republikës së Shqipërisë”.
Në këtë takim u diskutua për ecurinë e bashkëpunimit, aktivitetet e realizuara deri më tani, dhe hapat që duhet të ndiqen në të ardhmen për plotësimin e nevojave të institucioneve shqiptare, për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Republikës së Shqipërisë.
Lëshohen në hapësirë satelitët Albania 1 dhe Albania 2
Më 03 Janar 2023, nga baza e Cape Canaveral në Florida, u realizua nisja në hapësirë e satelitëve Albania 1 dhe Albania 2, nga kompania SpaceX me Falcon 9 në misionin e përbashkët Transporter-6, Space Launch Complex 40 (SLC-40).
Bazuar në kontratën e nënshkruar në shtator të vitit 2022 mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe operatorit ekonomik “Satellogic Inc” e cila konsiston në përdorimin ekskluziv të dy satelitëve, për një periudhë tre vjeçare, për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë me teknologji të avancuar satelitore, për herë të parë në vendin tonë do të sigurohet informacion gjeohapësinor i përditësuar si dhe do të ofrohen produkte të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj nga satelitët e dedikuar Albania-1 dhe Albania-2 .
Trajnime nga Satellogic mbi shërbimet satelitore
Në zbatim të kontratës “Për realizimin e “Shërbimit Satelitor për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Republikës së Shqipërisë””, nga data 5 dhjetor, në ambientet e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, ASIG, po zhvillohet trajnimi nga operatori ekonomik Satellogic USA Inc. dhe GDI i personelit teknik që do të përgjigjet për realizimin e këtij shërbimi.
Disa prej moduleve të këtij trajnimi janë:
- Shërbimet satelitore;
- Produktet që do të përftohen;
- Hyrje në GIS dhe ArcGIS;
- ArcGIS online: Elementet thelbësore në rrjedhën e punës;
- ArcGIS në institucionin tuaj;
- ArcGIS pro: Elementet thelbësore në rrjedhën e punës;
- Njohuri të thelluara mbi mjetet e imazherisë;
- Menaxhimi i të dhënave Raster duke përdorur ArcGIS;
Albanian Space System
Ditën e mërkurë më datë 5 korrik 2023, në ambientet e “Maritim Hotel Plaza” në Tiranë, u organizua nga Ministria e Mbrojtjes eventi “Albanian Space System”, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Z. Edi Rama.
Skuadra e satelitëve e kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm Znj. Vilma Tomço, në bashkëpunim me Autoritetet Publike Përgjegjëse, përfituese të projektit me satelitët, sollën për të pranishmit produktet e krijuara nga mbledhja dhe përpunimi i imazheve të dy satelitëve “Albania 1” dhe Albania 2”, me një mbulim mbi 13 mijë kilometra katrorë.
Ekspertë nga ASIG, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Mjedisit prezantuan këto produkte për të evidentuar përfitimet në kosto logjistike dhe analitike, burime njerëzore, si dhe shkurtimin e kohës së vendimmarrjes për implementimin e protokolleve të emergjencave civile dhe jo vetëm.
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij vuri theksin në rëndësinë që ka ky projekt për vendin tonë, vëmendjen dhe përkushtimin që Qeveria Shqiptare po tregon për mbarëvajtjen e tij, si dhe koordinimin e të gjitha Autoriteteve Publike Përgjegjëse për bashkërendimin e punës me ASIG.
Video informuese mbi paraqitjen tre dimensionale (3D) të ndërtesave në Gjeoportalin Kombëtar
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor në kuadër të projektit për krijimin e hartës bazë topografike 1:2 000, ka publikuar në Gjeoportalin Kombëtar paraqitjen 3D të ndërtesave për zonën urbane Tiranë, Durrës dhe Krujë.
Me realizimin e paraqitjes 3D, ASIG ju vjen në ndihmë të gjithë të interesuarve për të eksploruar qytetet tashmë edhe në lartësinë e tyre si nga ana vizuale ashtu edhe për llogaritje e aplikime të ndryshme.
Përdorimi i këtij aplikacioni i lejon përdoruesit të përfshihet në një perspektivë krejtësisht të re që konsiston në njohuri dhe vizualizime më të detajuara dhe të sakta mbi veçoritë fizike të një zone, duke përfshirë informacionin dhe paraqitjen reale të relievit të tokës, lartësinë dhe dizajnin e ndërtesave, veçoritë ujore, rrugët dhe informacionin topografik, studime mbi ndërtimet masive si dhe analiza të ndryshme mjedisore. Këto detaje do të jenë të dobishme për një gamë të gjerë aplikimesh.
Për t’iu njohur më shumë me mënyrën e përdorimit të këtij aplikacioni më poshtë gjeni videon informuese të përgatitur nga ASIG.
Video informuese mbi paraqitjen3D të ndërtesave
Përdorimi i shërbimeve satelitore për evidentimin e dëmeve nga zjarri
Ekspertët e ASIG, në mbështetje të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) me qëllim vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga ngjarja e fatkeqësisë natyrore nga zjarri i cili preku zonën e Peshtanit në Fier, gjatë muajit Korrik 2023, realizuan hartën e mëposhtme tematike.
Falë teknologjisë së avancuar dhe inteligjencës artificiale kjo hartë ju vjen në ndihmë ekspertëve përkatës për analizimin dhe vlerësimin e zonës së prekur nga zjarri, sipërfaqeve të djegura si dhe bimësisë së dëmtuar.
Organizohet workshop-i me temë “Përdorimi i imazheve hiperspektrale”
Në kuadër të implementimit të projektit “Monitorimi i territorit me teknologji të avancuar”, Drejtoria e Përpunimit të Informacionit të Territorit me Teknologji të Avancuar (DPITTA) pranë Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), në bashkëpunim me ekspertët e kompanisë Satellogic, organizuan në datat 12-14 shtator workshop-in me temë “Përdorimi i imazheve hiperspektrale”..
Ekspertët e Satellogic gjatë këtyre tre ditëve i njohën më nga afër stafin e DPITTA si dhe stafet teknike të autoriteteve publike përgjegjëse, përftuese të këtij projekti nga MBZHR, AKMC, AISM, AMBU, AZHBR, AKM me imazhet hiperspektrale me 29 banda si dhe;
- Karakteristikat e imazheve Hiperspektrale
- Specifikimet e imazheve Hiperspektrale
- Paketa e dorëzimit
- Menaxhimi i imazheve Hiperspektrale
- Procesimi i imazheve Hiperspektrale
- Produkte të përftuara nga imazhet Hiperspektrale
- Përdorimi i imazheve Hiperspektrale
Me fokus në rritjen e kapaciteteve tona teknike dhe dhënien e asistencës së duhur autoriteteve publike përgjegjëse, ASIG vijon punën për krijimit e produkteve të përftuara nga imazhet satelitore në varësi të Use Case-ve të ndryshme për fushat që mbulojnë autoritetet publike përgjegjëse pjesëmarrëse në këtë workshop.