Workshop mbi “BESTSDI Albania”

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), në bashkëpunim me Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit (FIN), organizoi në datë 03.07.2019, në ambientet e ASIG , salla “Evropa”, workshop-in me temë “BESTSDI Albania”. Në këtë workshop morën pjesë drejtues të ASIG si dhe studentë e pedagogë të Departamentit të Gjeodezisë në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit (FIN).

Qëllimi i këtij workshop-i ishte të evidentonte hapat e hedhura për ndërtimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor (NSDI) në Republikën e Shqipërisë, në kuadër të implementimit të direktivës INSPIRE, si dhe përdorimin e të dhënave dhe shërbimeve gjeohapësinore nga profesionistët e fushës dhe studentët e gjeodezisë.

Drejtori i Përgjithshëm I ASIG, z. Lorenc Çala, në prezantimin e tij bëri një ekspoze të hapave dhe arritjeve të ASIG në krijimin e NSDI-së bazuar në rregullat dhe standardet e direktivës INSPIRE dhe nevojën për një zhvillim të mëtejshëm të fushës së gjeoinformacionit bazuar në nevojat e përdoruesve. Për të bërë të mundur ndjekjen e zhvillimeve teknologjike u theksua nevoja e përshtatjes së kurikulave të studimit, për fushën e gjeoinformacionit.

Drejtues të ASIG prezantuan temat kryesore në SDI-së, Gjeoportalin Kombëtar dhe ofrimin e shërbimeve të tij në përputhje me standardet e INSPIRE, modelimi i të dhënave sipas standardeve të miratuara dhe harmonizimi i të dhënave ekzistuese si dhe bashkëpunimi me projektet e financuara nga donatorët e huaj, veçanërisht roli dhe ndihmesa e projektit IMPULS në ndërtimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor në Shqipëri.

Twitter

Vizitë e studentëve të fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në ambientet e ASIG

Profesorë dhe studentë të Universitetit të Tiranës, të fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Departamenti i Gjeografisë,

në programin e studimit Master Profesional (GIS i aplikuar), bënë një vizitë në ambientet e Autoritetit Shtetëror për Informacion Gjeohapësinor (ASIG).

Drejtori i përgjithshëm i ASIG z. Lorenc Çala, pasi i falënderoi për vizitën, i njohu ata me rolin dhe përgjegjësitë e ASIG në krijimi e NSDI në Shqipëri, gjithashtu në fjalën e tij z. Çala vuri theksin në domosdoshmërinë që ka sot bashkëpunimi me botën akademike për të nxjerrë profesionistë të zotë në fushën e gjeoinformacionit, për të cilën ka aq shumë nevojë tregu.

Drejtori i drejtorisë së Gjeodezisë dhe Hartografisë i prezantoi studentët me projektet e kësaj drejtorie mbi ndërtimin e Kornizës Referuese Gjeodezike (KRGJSH) dhe Hartës Bazë të Shqipërisë.

Ndërsa drejtori i drejtorisë së GIS-it Kombëtar dhe Gjeoportalit, prezantoi të dhënat dhe shërbimet që ASIG ofron në Gjeoportalin Kombëtar, gjithashtu ai i njohu studentët me rolin dhe përgjegjësitë e ASIG në hartimin dhe zbatimin e standardeve sipas direktivës INSPIRE si dhe për rolin dhe përgjegjësitë e Autoriteteve Publike Përgjegjëse në mbledhjen, përpunimin dhe përditësimin e informacionit gjeohapësinor.

Twitter

Takim mbi projektin “Informacioni Gjeohapësinor për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit në zonën me intensitet të lartë zhvillimi Tiranë-Durrës” me JICA

Nën organizimin e JICA(Japan International Cooperation Agency), u mbajt më 23.05.2019, në ambientet e sallës Europa, takimi mbi ecurinë e projektit “Informacioni Gjeohapësinor për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit në zonën me intensitet të lartë zhvillimi Tiranë-Durrës”. Në këtë takim ishin të pranishëm, shkëlqesia e tij ambasadori i Japonisë, Makoto Ito, përfaqësues të zyrës për Ballkanin të JICA, stafi i Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), si dhe profesorë dhe studentë të Universitetit Politeknik të Tiranës nga departamenti i Gjeodezisë.

Qëllimi i këtij takimi ishte paraqitja e ecurisë së projektit që ASIG po zhvillon me JICA, si dhe eksperienca që studentët praktikantë pranë ASIG, po marrin nga ky bashkëpunim në lidhje me ofrimin e njohurive bazë në fushën e hartografisë, fotogrametrisë dhe përdorimit të teknologjive bashkohore në fushën e gjeoinformacionit.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i përgjithshëm i ASIG z. Lorenc Çala falënderoi ekipin e JICA për punë e bërë deri tani në lidhje me këtë projekt, listoi disa arritje të finalizuara nga ky bashkëpunim, si dhe theksoi domosdoshmërinë që kanë shkëmbime të tilla eksperiencash si kjo me qeverinë japoneze, jo vetëm për institucionin e ASIG, por edhe për fushën akademike dhe brezin e ri të studentëve të gjeodezisë.

Shkëlqesia e tij ambasadori i Japonisë, Makoto Ito, në fjalën e tij vlerësoi mbështetjen që qeveria japoneze ka dhënë dhe do të japë për Shqipërinë, përgëzoi të dy ekipet e JICA dhe ASIG për punën e bërë në lidhje me projektin në fjalë, si dhe rëndësinë e krijimit të mundësive për eksperienca praktike për studentët e sapo diplomuar.

Në këtë takim përshëndetën gjithashtu përfaqësues të Universitetit Politeknik të Tiranës si dhe studentë të këtij universiteti të cilët me anë të një prezantimi paraqitën eksperiencën e tyre gjatë praktikës mësimore pranë ASIG, me ekipin e JICA.

Twitter

Workshop me temë, “ Hartëzimi i vlerësimit të riskut nga fatkeqësitë ”

Në workshop-in me temë, “ Hartëzimi i vlerësimit të riskut nga fatkeqësitë”, organizuar në kuadër të programit IPA-DRAM, në datat, 23–24 Prill 2019, në ambientet e Hotel Tirana International, morën pjesë edhe specialistë të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) nga sektori i Standardeve të Gjeoinformacionit.

Qëllimi i këtij projekti është krijimi i sistemeve kombëtare efektive, koherente dhe të orientuara drejt BE-së, për grumbullimin e të dhënave, për humbjet në raste fatkeqësish natyrore, vlerësimi dhe hartëzimi e riskut si dhe shtrirja dhe integrimi në mekanizmin e mbrojtjes civile të Unionit Evropian.

Ky workshop kishte në fokus:

• Rishikimin dhe zhvillimin e 3 skenarëve për përmbytjet, tërmetet dhe zjarret.

• Diskutimin dhe konsolidimin e skenarëve për NDRA(Vlerësim i Riskut për Katastrofat Kombëtare).

• Përcaktimin e masave zbutëse në lidhje me skenarët e përcaktuar që shihen nga studimi i OSBE 2016.

• Hapat për përgatitjen e dokumentit formal, NDRA.

Twitter

Mblidhet Komiteti Koordinues i projektit me JICA

Në ambientet e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), u mblodh më 11.04.2019, Komiteti Koordinues,

në kuadër të projektit me temë: ”Informacioni Gjeohapësinor, për një zhvillim të qëndrueshëm të tokës në zonën Tiranë-Durrës”.

Ky takim u mbajt nën drejtimin e z. Lorenc Çala, Drejtor i Përgjithshëm i ASIG, si dhe në prani të një përfaqësuesi të Zyrës së Kryeministrisë, përfaqësuesve të Ambasadës së Japonisë, përfaqësuesve të Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), si dhe të ekipeve të projektit ASIG dhe JICA.

Në këtë takim u prezantuan objektivat kryesore të projektit, u shqyrtua ecuria e tij e deritanishme, plani i ardhshëm i punës si dhe u shkëmbyen mendime lidhur me problematika të ndryshme dhe miratimin e raportit të përkohshëm.

Twitter

Punësimi i ekselentëve dhe praktikat e punës në ASIG

Bazuar në vendimin nr. 766, datë 26/12/2018, pika 4, të Këshillit të Ministrave, “Për punësimin e studentëve të ekselencës në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil, për vitin 2019”, Departamenti i Administratës Publike shpalli procedurat për shprehjen e interesit për punësimin e studentëve të ekselencës, në pozicionet specialist dhe të barasvlershëm, në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil, konkretisht pranë Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), u publikuan 5 pozicione vakante.

Në përfundim të këtij procesi, për pozicionet vakante, është shpallur fitues studenti Xhesian Balili, i cili është emëruar në pozicionin e specialistit, në Sektorin e GIS-it Kombëtar, në Drejtorinë e GIS-it Kombëtar dhe Gjeoportalit, në ASIG.

Gjithashtu në bazë të Vendimit nr. 395 të Këshillit të Ministrave, datë 29.04.2015 “Për miratimin e programit kombëtar të praktikave të punës në administratën shtetërore dhe institucionet e tjera publike”, i ndryshuar dhe thirrjes së katërt të Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, ASIG pasi përfundoi procesin e vlerësimit të kandidatëve të interesuar, kualifikoi 3 fitues me të cilët janë nënshkruar marrëveshjet për zhvillimin e praktikës së punës pranë ASIG.

Ky program synon ofrimin e mundësive për aftësimin e shprehive të tyre në njohjen me sistemin administrativ publik, nëpërmjet zbatimit në praktikë të dijeve teorike të marra gjatë studimeve, zhvillimin e aftësive profesionale dhe orientimin drejt tregut të punës. Kohëzgjatja e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës është tre muaj.

Twitter

Pjesëmarrje në konferencën “Faster, Smarter, Safer”

Specialistë të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), nga drejtoria e GIS-it Kombëtar dhe Gjeoportalit, morën pjesë në konferencën “Faster, Smarter, Safer” të mbajtur më 02.04.2019, në ambientet e Hotel “Hilton Garden Inn”, organizuar nga “InfoSoft Systems” në bashkëpunim me “Cisco” dhe “F5”.

Çështjet kryesore që u trajtuan në këtë konferencë ishin:

1. Hyrje në “F5 Networking & InfoSoft Systems”.

2. “Why application security is new must, F5 Networks”.

3. “Security’s new frontier- The Cloud”.

Twitter

Pjesëmarrje në workshop-in final të projektit SPATIAL

Drejtues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) morën pjesë në takimin përmbyllës, të projektit SPATIAL, të mbajtur në datat 12-13.03.2019, në Podgoricë të Malit të Zi. Ky takim organizohej në kuadër të projekti “Përforcimi i qasjes profesionale për të informuar rreth tokës (SPATIAL) në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, i cili është pjesë e programit të para-pranimit në BE.

Tema e këtij workshop-i ishte, “Bashkëpunimi i ardhshëm dhe planifikimi i strategjive” dhe qëllimi i tij ishte ndarja e përvojave në planifikimin e strategjive dhe diskutimin për një bashkëpunim të ardhshëm midis Holandës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor për çështjet që kanë të bëjnë me informacionin mbi tokën.

Projekti synon të forcojë marrëdhëniet ndërmjet institucioneve publike në lidhje me hartografinë, regjistrin e tokës dhe kadastrën si dhe të sjellë përvojën holandeze në këto fusha.

Twitter

Workshop mbi standardizimin dhe harmonizimin e të dhënave gjeohapësinore

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), në bashkëpunim me projektin IMPULS, organizoi më 28.02.2019, në ambientet e Hotel Tirana Internacional Workshop-in me temë: “Standardizimi dhe harmonizimi i të dhënave gjeohapësinore”.

Në këtë workshop morën pjesë përfaqësues të autoriteteve publike përgjegjëse, për temat e nenit 11, të ligjit Nr 72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”. Qëllimi i këtij workshop-i ishte ndihma ndaj këtyre autoriteteve, për të harmonizuar sipas standardit të hartuar, të dhënat gjeohapësinore që ata disponojnë.

Ekspertët suedezë dhe kroatë të projektit IMPULS, prezantuan standardet e INSPIRE, për harmonizimin e të dhënave gjeohapësinore, rëndësinë e këtij procesi për krjimin e NSDI, si dhe arritjet dhe eksperiencën e agjencive të tyre, të cilat luajnë rolin e autoritetit koordinues në Suedi dhe Kroaci.

Ekspertët e ASIG demostruan në këtë workshop procesin e harmonizimit të të dhënave gjeohapësinore për temat, “Emërtimet gjeografike” dhe “Hidrografia” me anë të software-ve të ndryshëm.

Twitter

THIRRJA #4: PROGRAMI KOMBËTAR I PRAKTIKAVE TË PUNËS

Në mbështetje të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 395, datë 29.04.2015 “Për miratimin e programit kombëtar të praktikave të punës në administratën shtetërore

dhe institucionet e tjera publike”, i ndryshuar, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë shpall hapjen e thirrjes së katërt të Programin Kombëtar të Praktikave të Punës.

Afati për aplikim është nga data 8 shkurt deri më datë 28 shkurt 2019.

Aplikimi është i hapur për të rinjtë profesionistë nga mosha 21 deri 26 vjeç, të cilët zotërojnë minimalisht një diplomë Bachelor ose të barasvlefshme.

Kohëzgjatja e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës do të jetë tre muaj.

Profilet e kërkuara, numrin e pranimeve si dhe detaje të tjera i gjeni në linkun e posaçëm: http://praktika.arsimi.gov.al/.

Pjesëmarrësit do të përfshihen në një eksperiencë pune të integruar e në ndërveprim me profesionistë karriere në administratën publike, me qëllim përfitimin e një përvoje kualifikuese që ndikon në zhvillimin e aftësive të tyre profesionale e të shprehive të tyre në praktikë.

Dokumentet për aplikim:

a-CV e aplikantit;

b-Diploma e përfundimit të studimeve të shkollës së lartë;

c-Lista e notave;

d-Një letër motivimi.

Aplikimi do të bëhet online në linkun si më poshtë:

http://praktika.arsimi.gov.al/. 

Twitter