ASIG merr pjesë në workshop-in e organizuar nga EUROSEA
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), mori pjesë në workshop-in e organizuar online, në kuadër të projektit EUROSEA, projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian i cili ka për synim koordinimin në shkallë të gjerë, në kontinentin Evropian të agjencive kombëtare që menaxhojnë të dhënat oqeanografike dhe detare, duke kombinuar kapacitetet dhe përmbushur mangësitë ekzistuese në funksion të një sistemi vëzhgues ndërkombëtar.
Ky ishte edicioni i dytë i cili u zhvillua online më 4 dhe 5 maj në bashkëpunim me European Global Ocean Observing System (EuroGOOS). Nga ASIG morën pjesë në këtë workshop specialistë të sektorit të Kornizës Referuese Gjeodezike dhe sektorit të Infrastrukturës së Sistemeve CORS.
Gjatë këtij eventi u trajtuan çështjet e mëposhtme:
- Pasqyra globale e rrjeteve, bazës së të dhënave dhe portaleve të të dhënave;
- Statusi dhe mundësitë e ardhshme të teknikës GNSS-IR;
- Rastet studimore të bazuara në të dhënat e matësve të baticës-zbaticës (Zona e Mesdheut);
- Kontrolli automatik i cilësisë dhe përpunimit të të dhënave (në kohë reale dhe modaliteti i vonesës).
Grupi i specialistëve të ASIG që morri pjesë në këtë event u njoh me të rejat më të fundit, situatën e përgjithshme dhe angazhimet në të ardhmen duke vendosur gjithashtu kontakte me homologët e tjerë pjesëmarrës në këtë workshop.





Trajnimi i autoriteteve publike përgjegjëse mbi përdorimin e Gjeoportalit Kombëtar dhe standardizimin e të dhënave gjeohapësinore
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) pas përfundimit me sukses të projektit për përmirësimin e sistemit të Gjeoportalit Kombëtar,ka ndërmarrë nismën për rritjen e kapaciteteve teknike të stafeve të autoriteteve publike përgjegjëse për gjeoinformacionin.
Trajnimi fokusohet në tematikat e mëposhtme:
- Përdorimin e moduleve dhe funksionaliteteve të reja të sistemit të përmirësuar të Gjeoportalit Kombëtar;
- Përdorimin e shtresave bazë për krijimin dhe përditësimin e të dhënave gjeohapësinore nga aplikimet GIS duke përdorur shërbimet e rrjetit të Gjeoportalit Kombëtar;
- Harmonizimin dhe standardizimin e të dhënave gjeohapësinore sipas temave të gjeoinformacionit;
- Ndërveprimin e gjeoportalit me sistemet GIS që autoritetet publike administrojnë.
Ekspertë të ASIG nga sektorët e GIS-it Kombëtar, Gjeoportalit Kombëtar dhe Standardet e Gjeoinformacionit, në vijim të kësaj nisme kanë zhvilluar trajnime me autoritetet publike përgjegjëse si më poshtë:
- Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU);
- Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN);
- Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC);
- Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM);
- Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK);
- Institutin e Gjeoshkencave (IGJEO).



