ASIG merr pjesë në Workshop-in GovStack rritja e kapaciteteve
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) morën pjesë në workshop-in e organizuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU) në kuadër të projektit të Bujqësisë Digjitale dhe Transformimit Rural (DART), në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në datat 20-22 Tetor, në ambientet e Tirana International Hotel.
Ky workshop ishte i fokusuar në rritjen e kapaciteteve institucionale për modernizimin e shërbimeve publike përmes përdorimit të teknologjive të standardizuara dhe qasjes ndërkombëtare të GovStack. Gjatë 3 ditëve të workshop-it u trajtuan temat kyçe që lidhen me konceptin e qeverisjes digjitale dhe qasjen e unifikuar të ndërtimit të shërbimeve publike. Pjesëmarrësit u njohën me metodologjinë ‘Service Blueprint’, e cila ndihmon në projektimin e shërbimeve të përqendruara tek qytetari dhe në integrimin e blloqeve digjitale sipas nevojave të secilit institucion. Gjithashtu, u prezantuan shembuj praktikë nga vende që kanë aplikuar me sukses modelin GovStack.
Qëllimi programit GovStack ishte të ndihmonte qeverinë shqiptare në krijimin e shërbimeve publike digjitale përmes përdorimit të ‘Building Blocks’, module softuerike të hapura, të ndërlidhura dhe të ri përdorshme që ofrojnë funksione bazë si identifikimi digjital, pagesat, regjistrat elektronikë, komunikimet institucionale dhe nënshkrimi elektronik.
Këto komponentë lehtësojnë bashkëpunimin ndërinstitucional, sigurojnë ndërveprim midis sistemeve publike dhe ulin kostot e zhvillimit të shërbimeve të reja.
ASIG merr pjesë në Konferencën “Avancimi në Digjitalizimin e Shërbimeve Kadastrale”
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor morën pjesë në konferencën “Avancimi në Digjitalizimin e Shërbimeve Kadastrale” e cila u organizua nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, më 20 dhe 21 Nëntor, në Prizren, Kosovë.
Kjo konferencë do të shërbejë si një platformë unike për shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe zgjidhjeve inovative, duke udhëhequr drejt një sistemi kadastral digjital e konkurrues, jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë e më gjerë.
Gjatë dy ditëve të kësaj konference u zhvilluan sesione të ndryshme me prezantime e diskutime mes ekspertësh e profesionistësh të ndryshëm të fushës së kadastrës dhe gjeoinformacionit si më poshtë;
- Diskutime për avancimet më të fundit në fushën e kadastrës,
- Idetë dhe praktikat më të mira nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë,
- Ngritja e bashkëpunimit dhe lidhjeve profesionale,
- Panele diskutimi me profesionistë lider të industrisë.
Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes ASIG dhe ASHK
U nënshkrua sot në ambientet e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), marrëveshja e bashkëpunimit me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK).
Ky hap siguron shkëmbimin në kohë reale të të dhënave gjeohapësinore, jo vetëm për parcelat kadastrale dhe ndërtesat, por pjesë e hartave të cilat do të publikohen në Gjeoportalin Kombëtar do të jenë edhe parcelat pyjore e kullotat.
Një tjetër objektiv i rëndësishëm i kësaj marrëveshjeje është trajnimi sistematik i stafeve për të garantuar përdorimin efektiv të të dhënave gjeohapësinore. Përmirësimi dhe përditësimi i vazhdueshëm i të dhënave do të rrisë transparencën dhe aksesin për publikun e gjerë.



ASIG merr pjesë në simpoziumin EUREF 2024
Përfaqësues të Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) nga Sektori i Kornizës Referuese Gjeodezike dhe Sektori i Infrastrukturës së Sistemeve CORS morën pjesë në Simpoziumin EUREF 2024 i cili u zhvillua në Barcelonë të Spanjës, në datat 5-7 Qershor 2024.
Në këtë konferencë u diskutuan tema me rëndësi të veçantë siç janë realizimi, mirëmbajtja dhe përdorimi i sistemeve evropiane ETRS89, EVRS dhe Rrjetit Permanent Evropian EPN si dhe mbështetja dhe rekomandimet e tyre mbi zhvillimin dhe mirëmbajtjen e Kornizave Referuese Gjeodezike Kombëtare.
ASIG si përfaqësues i Shqipërisë, një nga vendet e pllakës Euroaziatike, prezantoi në këtë simpozium statusin aktual dhe objektivat për të ardhmen lidhur me Rrjetet e KRGJSH-së, me fokus kryesor Gjeoidin Gravimetrik 2023v.1 dhe përmirësimin e tij në të ardhmen, në funksion të përcaktimit të Referencës Gjeodezike Vertikale në Shqipëri në përputhje me standardet EU (CRS-EU).




Takim në kuadër të projektit “Krijimi i qendrës së gjeoinformacionit në Ballkanin Perëndimor”
Në takimin e organizuar sot nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, në kuadër të projektit “Krijimi i qendrës së gjeoinformacionit në Ballkanin Perëndimor” mori pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor znj. Vilma Tomço.
Ky projekt po zhvillohet nga Universiteti Bujqësor i Tiranës në bashkëpunim me Institutin Gjerman IAMO dhe me financim të Qeverisë Gjermane, misioni i krijimit të kësaj qendre është të mbështesë sektorët bujqësor të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e anëtarësimit në BE përmes përmirësimit të kapaciteteve njerëzore në analizën e të dhënave gjeohapësinore, përdorimin e Sistemeve të Informacionit Gjeografik (GIS) dhe teknologjive remote sensing.
Znj. Tomço në fjalën e saj bëri një paraqitje të hapave të hedhur nga ASIG në krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor në Shqipëri, duke theksuar gjithashtu bashkëpunimin gjithnjë e në rritje të ASIG me botën akademike.

Leksion i hapur me studentët e universitetit POLIS
Ekspertët e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilluan në ambientet e sallës Europa, më 11.03.2024, leksion të hapur më studentët e vitit të parë, master profesional për “Planifikim Urban dhe GIS”, të Universitetit POLIS.
Tema e këtij leksioni ishte “Gjeoportali Kombëtar dhe përdorimi i tij” dhe u drejtua nga ekspertët e ASIG, z. Kristaq Qirko dhe z. Erin Mlloja të cilët shpjeguan rëndësinë e gjeoinformacionit dhe mundësitë e shumta të përdorimit të tij nëpërmjet Gjeoportalit Kombëtar gjatë planifikimit urban dhe menaxhimit të territorit.


ASIG merr pjesë në Konferencën “NSDI Day 2024” në Shkup, Maqedonia e Veriut
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në konferencën “NSDI Day 2024” e cila u zhvillua në Shkup, Maqedonia e Veriut, më 21 – 22 Shkurt.
Kjo konferencë u organizua nga Agjencia e Kadastrës për Pasuri të Paluajtshme e Maqedonisë së Veriut (AREC) dhe kishte në fokus tendencën dhe risitë rajonale në fushën e infrastrukturës kombëtare për të dhënat gjeohapësinore. Konferenca u organizua në 5 sesione, ku pjesëmarrës nga vendet e rajonit si Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Sllovenia, Bosnje -Hercegovina dhe Kroacia, prezantuan zhvillimet e tyre në fushën e NSDI.
Përfaqësuesit e ASIG nga Sektori i Koordinimit dhe Çështjeve Ligjore dhe Sektori i GIS-it Kombëtar prezantuan në këtë konferencë përmbushjet e objektivave sipas fushave strategjike duke përfshirë kornizën ligjore, infrastrukturën, bashkëpunimin dhe koordinimin me institucionet përgjegjëse, ndërtimin e Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare, zhvillimin dhe përditësimin i GIS-it dhe Gjeoportalit Kombëtar. Gjithashtu u evidentuan risitë në fushën e gjeoinformacionit duke përfshirë monitorimin e territorit me teknologji të avancuar, projektet në vazhdim si dhe planet dhe objektivat e ASIG për të ardhmen për zhvillimin e infrastrukturës së informacionit gjeohapësinor në Shqipëri.

ASIG merr pjesë në workshop-in e 4-ët ndërkombëtar me temë “Cilësia e të dhënave gjeohapësinore”
Në workshop-in e 4-ët ndërkombëtar për “Cilësinë e të dhënave gjeohapësinore” i cili u zhvillua më 11 – 12 Tetor 2023, në Bruksel, nga EuroGeographics dhe EuroSDR, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), nga Sektori i Standardeve për Gjeoinformacionin.
Qëllimi i këtij workshop-i ishte njohja e pjesëmarrësve me praktikat më të mira për rritjen e besueshmërisë së burimit të të dhënave gjeohapësinore dhe cilësisë së tyre.
Përfaqësuesit e ASIG në prezantimin e tyre sollën për të pranishmit informacion mbi cilësinë e të dhënave gjeohapësinore, mënyrën se si kontrollohen këto të dhëna, software-ët që përdoren, si dhe objektivat e së ardhmes mbi rritjen e sigurisë së të dhënave gjeohapësinore.



ASIG merr pjesë në workshop-in me temë “Integrimi i të dhënave gjeohapësinore dhe statistikore”
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor morën pjesë në Workshopin e organizuar nga UNECE, Eurostat dhe UN-GGIM Europe, me temë “Integrimi i të dhënave gjeohapësinore dhe statistikore”, i cili u zhvillua më 04-05 Tetor 2023, në Beograd. Ky workshop ishte i fokusuar në prezantimin dhe ndarjen e praktikave inovative, nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet agjencive kombëtare gjeohapësinore dhe statistikore, në promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar duke pëdorur standarde të përbashkëta, si dhe identifikimin e fushave për bashkëpunimet e ardhshme.
Temat që u trajtuan në këtë workshop ishin;
- Qeverisja efektive,
- Të dhënat dhe teknologjia,
- Publiku dhe partneritetet.
ASIG si pjesë e Task Forcës “Problematika e Standardizimi”, paraqiti në këtë workshop prezantimin mbi Infrastrukturën Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor për zhvillimin e sektorit të statistikave në Shqipëri.



ASIG merr pjesë në Konferencën Rajonale për Kadastrën dhe Infrastrukturën e të Dhënave Gjeohapësinore
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, nga sektorët e Standardeve për Gjeoinformacionin dhe Sektori i Përpunimit të Imazheve Satelitore, morën pjesë në Konferencën Rajonale për Kadastrën dhe Infrastrukturën e të Dhënave Gjeohapësinore e cila u zhvillua në Beograd, në datat 04 – 06 Shtator 2023.
Tematikat e trajtuara në këtë konferencë ishin:
- Kontributi i NSDI në tranzicionin e gjelbër dhe qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike,
- Mbështetja e tregut të Pasurive të Paluajtshme dhe e-planifikimit,
- Avancimi i të dhënave dhe shërbimeve gjeohapësinore,
- Bashkëpunimi rajonal i NSDI-së – Diskutim në panel.
Gjatë punimeve të kësaj konference u theksua rëndësia që kanë të dhënat gjeohapësinore në planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e arritjeve për një zhvillim të qëndrueshëm të shoqërisë.
Përfaqësuesit e ASIG, në prezantimet e tyre i njohën të pranishmit me ecurinë e krijimit të NSDI-së në Shqipëri, rolin dhe e ndikimin që ka NSDI në vendimmarrje për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, si dhe objektivat e ASIG në fushën e gjeoinformacionit, për të ardhmen.






















