Trajnim me stafin teknik të Bashkive Vorë, Shijak dhe Krujë
Me qëllim rritjen e kapaciteteve të stafeve teknike të bashkive të vendit, ekspertët e ASIG nga sektori e GIS-it Kombëtar, Sektori i Standardeve për Gjeoinformacionin dhe Sektori i Përpunimit të Imazherive Satelitore, vijuan trajnimin me stafin teknik të bashkive Vorë, Shijak dhe Krujë.
Zhvillohet takim mes ASIG dhe përfaqësuesve të Satellogic
Në kuadër të mbarëvajtjes së projektit “Shërbimi satelitor” u zhvillua në ambientet e ASIG, takim me përfaqësuesit e Satellogic USA Inc.
Në këtë takim u trajtuan temat e mëposhtme:
- Përmirësimet e produktit (Multispektral dhe Hiperspektral);
- Hapat e mëtejshme të zhvillimit të projektit;
- Asistencë teknike për krijimin e modeleve AI (Artificial Intelligence).
U zhvillua asambleja e përgjithshme e Eurogeographics për vitin 2024
Në Asamblenë e Përgjithshme të EuroGeographics për vitin 2024, e cila u zhvillua në Sevilje, Spanjë, me mbështetjen e Institutit Kombëtar Gjeografik të Spanjës, morën pjesë mbi 110 delegatë, nga 40 vende anëtare, ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Ekipi i Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) u kryesua nga Drejtori i Përgjithshëm znj. Vilma Tomço, e cila moderoi sesionin “E ardhmja e informacionit gjeohapësinor”. Fjalimi kryesor i këtij sesioni u mbajt nga Prof. Dr. Paul Becker, President i Agjencisë Federale për Hartografi dhe Gjeodezi (BKG) Gjermani.
Diskutimet e kësaj Asambleje kishin në fokus të dhënat gjeohapësinore të vendeve anëtare dhe rolin e tyre në ofrimin e informacionit themelor për të gjetur zgjidhje mbi sfidat e ndryshme globale.
Gjithashtu gjatë kësaj Asambleje u realizuan takime dhe diskutime në nivel teknik dhe menaxherial ku u diskutua mbi rritjen e bashkëpunimit për projekte të ndryshme me përfaqësues nga vendet anëtare të EuroGeographics.
Asambleja vijoi punimet me votimin e buxhetin vjetor të vitit të ardhshëm, zgjedhjen e anëtarëve të Bordit Drejtues dhe Presidentit, si dhe miratimin e aplikimeve për anëtarësimet e reja.
Trajnim me stafin teknik të Bashkisë Kamëz
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor vijon trajnimet me qëllim rritjen e kapaciteteve të stafeve teknike të bashkive të vendit. Ekspertët e ASIG zhvilluan sot trajnimin me stafin teknik të Bashkisë Kamëz me pjesëmarrje të përfaqësuesve nga:
- Drejtoria e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit
- Drejtoria e Kadastrës, Bordi i Kullimit, Pyjeve dhe Kullotave dhe Menaxhimit dhe Administrimit të Aseteve
- Drejtoria e Projekteve dhe Investimeve
- Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit.
Trajnim me stafin teknik të Bashkisë Tiranë
Në kuadër të nismës së ndërmarrë nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) me qëllim rritjen e kapaciteteve të stafeve teknike të bashkive të vendit, u zhvillua sot trajnimi në Bashkinë Tiranë.
Trajnimi kishte për qëllim ofrimin e njohurive për stafet teknike të bashkisë në përdorimin e Gjeoportalit Kombëtar dhe aplikime GIS, në funksion të krijimit, përditësimit dhe publikimit të të dhënave gjeohapësinore në Gjeoportalin Kombëtar si dhe njohuri mbi produktet e përftuara nga projekti Shërbimi Satelitor.
Tematikat e trajtuara në këtë trajnim janë:
- Njohja me funksionalitetet e Gjeoportalit Kombëtar; :
- Mbledhja e të dhënave sipas temave të gjeoinformacionit për: Njësitë administrative dhe fshatrat në përbërje të tyre (rendi 4 dhe 5), Rrjeti i transportit rrugor lokal;
- Prezantimi i produkteve të përftuara nga projekti i Shërbimit Satelitor.
Të pranishmit në këtë trajnim u njohën me:
- Përdorimin e moduleve dhe funksionaliteteve të reja të sistemit të përmirësuar të Gjeoportalit Kombëtar si: moduli i editorit, moduli i gjeoreferimit, funksionalitetet e hartës, katalogu i metadatave, shërbimet e rrjetit, etj.
- Përdorimin e shtresave bazë për krijimin dhe përditësimin e të dhënave gjeohapësinore nga aplikimet GIS duke përdorur shërbimet e rrjetit të Gjeoportalit Kombëtar.
- Asistencën teknike të kërkesave specifike në lidhje me sistemet dhe të dhënat në fushën e gjeoinformacionit.
- Harmonizimin dhe standardizimin e të dhënave gjeohapësinore sipas temave të gjeoinformacionit.
- Përdorimi i imazheve satelitore për çështje të veçanta në interes të bashkive.
Leksion i hapur me studentët e universitetit POLIS
Ekspertët e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilluan në ambientet e sallës Europa, më 11.03.2024, leksion të hapur më studentët e vitit të parë, master profesional për “Planifikim Urban dhe GIS”, të Universitetit POLIS.
Tema e këtij leksioni ishte “Gjeoportali Kombëtar dhe përdorimi i tij” dhe u drejtua nga ekspertët e ASIG, z. Kristaq Qirko dhe z. Erin Mlloja të cilët shpjeguan rëndësinë e gjeoinformacionit dhe mundësitë e shumta të përdorimit të tij nëpërmjet Gjeoportalit Kombëtar gjatë planifikimit urban dhe menaxhimit të territorit.
ASIG merr pjesë në workshop-in rajonal mbi “Forcimin e aksesit profesional në informacionin rreth tokës, në rajonin e Ballkanit Perëndimor”
Përfaqësues të ASIG marrin pjesë në workshop-in rajonal i cili po zhvillohet në Mostar të Bosnje Hercegovinës, mbi “Forcimin e aksesit profesional në informacionin rreth tokës, në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, i organizuar nga Agjencia Kadastrale dhe Hartografike Hollandeze, Kadaster, në kuadër të projektit SAPTIAL II.
Në këtë workshop marrin pjesë agjenci kadastrale dhe të gjeoinformacionit nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ekspertët e ASIG të pranishëm në këtë workshop prezantuan projektet e zhvilluara në fushën e Remote Sensing duke u përqendruar në projektin e “Shërbimeve Satelitore”.
Workshop-i vijon me prezantime dhe diskutime mbi strategjitë e ndarjes së të dhënave gjeohapësinore.
Takim i ASIG me përfaqësues të “WhereTech” dhe “Up to you”
Drejtues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilluan në ambientet e sallës EUROPA një takim me përfaqësues të kompanive italiane “WhereTech” Srl dhe “Up to you” Srl që punojnë në fushën e gjeoinformacionit.
Ky takim kishte në fokus shkëmbimin e eksperiencave mbi krijimin dhe përpunimin e informacionit gjeohapësinor nëpërmjet metodave me teknologji të avancuara të remote sensig dhe krijimin e hartave bazë.
Në këtë takimi të pranishmit diskutuan mbi mundësitë e bashkëpunimit për zhvillimin e projekteve ndryshme në fushën e gjeoinformacionit.
ASIG merr pjesë në Konferencën “NSDI Day 2024” në Shkup, Maqedonia e Veriut
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në konferencën “NSDI Day 2024” e cila u zhvillua në Shkup, Maqedonia e Veriut, më 21 – 22 Shkurt.
Kjo konferencë u organizua nga Agjencia e Kadastrës për Pasuri të Paluajtshme e Maqedonisë së Veriut (AREC) dhe kishte në fokus tendencën dhe risitë rajonale në fushën e infrastrukturës kombëtare për të dhënat gjeohapësinore. Konferenca u organizua në 5 sesione, ku pjesëmarrës nga vendet e rajonit si Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Sllovenia, Bosnje -Hercegovina dhe Kroacia, prezantuan zhvillimet e tyre në fushën e NSDI.
Përfaqësuesit e ASIG nga Sektori i Koordinimit dhe Çështjeve Ligjore dhe Sektori i GIS-it Kombëtar prezantuan në këtë konferencë përmbushjet e objektivave sipas fushave strategjike duke përfshirë kornizën ligjore, infrastrukturën, bashkëpunimin dhe koordinimin me institucionet përgjegjëse, ndërtimin e Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare, zhvillimin dhe përditësimin i GIS-it dhe Gjeoportalit Kombëtar. Gjithashtu u evidentuan risitë në fushën e gjeoinformacionit duke përfshirë monitorimin e territorit me teknologji të avancuar, projektet në vazhdim si dhe planet dhe objektivat e ASIG për të ardhmen për zhvillimin e infrastrukturës së informacionit gjeohapësinor në Shqipëri.