Trajnim online me Satelogic
Drejtoria e përpunimit të të Dhënave Remote Sensing zhvilloi në datat 21, 22 dhe 24 Tetor një trajnim on-line me ekspertët e kompanisë amerikane Satelogic.
Tematikat e trajtuara gjatë këtij trajnimi ishin:
- Inteligjenca Artificiale ( AI),
- Prezantimi me Satelitin Mark V.
Pjesëtarët e stafit të kësaj drejtorie patën mundësi të diskutojnë gjatë këtij takimi on-line me ekspertët amerikan të Satelogic mbi gjendje aktuale të teknologjisë për sa i përket AI dhe rastet e përdorimit në industri.
Gjithashtu me interes të veçantë për pjesëmarrësit ishte prezantimi me Satelitin Mark V, specifikimet e tij dhe statusi aktual.
Zhvillohet workshop në kuadër të projektit “SOFTMOVE”
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), nga Sektori i Përpunimit të Imazheve Satelitore dhe Sektori i Projekteve, morën pjesë në Workshop-in “Network of all mobility actors”, të organizuar në Podgoricë, Mali i Zi, më datë 23 Tetor 2024. Ky workshop u zhvillua në kuadër të projektit “SOFTMOVE” i cili bazohet në objektivat e programit “Interreg IPA South Adriatic” dhe synon të forcojë bashkëpunimin ndërkufitar, si dhe lëvizshmërinë e qëndrueshme dhe rezistente ndaj klimës në rajon, përmes bashkëpunimit midis tre vendeve Shqipëri, Itali dhe Mali i Zi.
Pjesë e ekipit pjesëmarrës në këtë konferencë nga Shqipëria ishin gjithashtu Prof. Dr. Përparim Alikaj, ekspert i lartë për Lëndët e Para Minerale në Qendrën Rajonale Shqiptare të Inovacionit (RICEIT) dhe Prof.Asoc.Dr. Sonila Sinjari, përgjegjëse e Departamentit të Gjeografisë, Fakulteti i Histori – Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
Ky workshop ishte i organizuar në katër sesione, ku të pranishmit prezantuan perspektivat akademike të përdorimit të dronëve, vështrimet e administratës publike dhe industrisë si dhe Startup-e e Inovacione mbi teknologjinë e dronëve.
Trajnim me stafet teknike të bashkive Berat, Kuçovë dhe Dimal
Në kuadër të nismës së ndërmarrë nga ASIG me qëllim rritjen e kapaciteteve të stafeve teknike, ekspertë të ASIG zhvilluan sot trajnimin në Kukës me stafet teknike të Bashkive Berat, Kuçovë dhe Dimal.
Në këtë trajnim morën pjesë përfaqësues nga stukturat e mëposhtme:
- Drejtoria e Planifikimit Urban, Lejeve dhe Monitorimi i Investimeve;
- Drejtoria e Urbanistikës;
- Drejtoria e Bujqësisë, Administrimi i Pyjeve, Ujrave dhe Shërbimi Veterinar.
Vizitë studimore në Japoni
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) i përfaqësuar nga drejtori i Drejtorisë së Përpunimit të të Dhënave Remote Sensing z. Dritan Prifti, ishte pjesë e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC), në një vizitë studimore në Tokio, Japoni e cila u realizua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Kapaciteteve për Sistemin Kombëtar të Informacionit për Zjarret në Pyje (NFFIS), dhe Zgjidhjet e Bazuara në Natyrë për Zvogëlimin e Risqeve nga Fatkeqësitë (NbS-DRR)” mbështetur nga JICA. Gjithashtu pjesë e këtij delegacioni ishin dhe përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Pyjeve (AKP), Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO), dhe Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT).
Qëllim i kësaj vizite ishte shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira në menaxhimin e pyjeve dhe zbatimin e metodave për zvogëlimin e risqeve natyrore. Gjatë kësaj vizite përfaqësuesit shqiptar morën pjesë në trajnime intensive me ekspertët japonezë, të cilët prezantuan strategjitë më të përparuara për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve në pyje, në një vend si Japonia ku 70% e sipërfaqes përbëhet nga pyje. Këto trajnime përfshinin teknika për përdorimin e zgjidhjeve të bazuara në natyrë, për zvogëlimin e risqeve nga fatkeqësitë, si dhe për aplikimin e teknologjive të reja për mbrojtjen e burimeve natyrore.
Grupi shqiptar vizitoi institucione si Agjencia e Pyjeve dhe Agjencia e Menaxhimit të Zjarreve dhe Fatkeqësive, ku u prezantuan projekte për mbrojtjen e pyjeve dhe metodat për kontrollin e erozionit, si dhe u demonstruan aktivitetet më të fundit për menaxhimin dhe parandalimin e fatkeqësive natyrore.
Trajnim me stafet teknike të Bashkive Skrapar dhe Poliçan
Në kuadër të nismës së ndërmarrë nga ASIG me qëllim rritjen e kapaciteteve të stafeve teknike të njësive të qeverisjes vendore, ekspertë të ASIG zhvilluan sot trajnimin me stafet teknike të Bashkive Skrapar dhe Poliçan.
Tematikat e trajtuara në këtë trajnim ishin:
- Njohja me funksionalitetet e Gjeoportalit Kombëtar;
- Mbledhja e të dhënave sipas temave të gjeoinformacionit për: Njësitë administrative dhe fshatrat në përbërje të tyre (rendi 4 dhe 5), Rrjeti i transportit rrugor lokal;
- Prezantimi i produkteve të përftuara nga projekti i Shërbimit Satelitor.
Vizitë studimore në ASIG
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor pritën ditën e premte më 18.10.2024, në ambientet e ASIG, grup profesorësh dhe studentësh nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara Saxion i Holandës.
Qëllimi i kësaj vizite studimore ishte përzgjedhja e ASIG si rast praktik lidhur me projektet e ndryshme që ky grup po zhvillon në lidhje me ndërtimin e shtëpive brenda kontekstit të zhvillimit të qëndrueshëm të zonave urbane, ku me interes të veçantë për ta ishin të dhënat dhe shërbimet që ASIG ofron në Gjeoportalin Kombëtar.
Drejtori i GIS-it Kombëtar dhe Gjeoportalit pasi bëri një prezantim të arritjeve të ASIG në fushën e gjeoinformacionit, hapat e hedhur në ndërtimin e NSDI, dhe projektet e ardhshme të institucionit tonë, i njohu gjithashtu vizitorët më në detaje me të dhënat dhe shërbimet e publikuara në Gjeoportalin Kombëtar të ASIG.
Trajnim me stafin teknik të Bashkisë Fushë-Arrëz
Vijojnë trajnimet për rritjen e kapaciteteve të stafeve teknike të bashkive të vendit nga ekspertët e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor.
U zhvillua sot, në ambientet e Bashkisë Fushë-Arrëz, trajnimi i radhës me pjesëmarrjen e stafeve teknike nga:
- Drejtoria e Urbanistikës dhe Emergjencave Civile;
- Drejtoria e Emigracionit dhe Çështjeve Sociale;
- Drejtoria e Administrimit të Pyjeve dhe Kullotave;
- Drejtoria e Shërbimeve Publike;
- Drejtoria Juridike;
- Bordi i Kullimit dhe Bujqësisë.
Trajnim me stafin teknik të Bashkisë Pukë
Ekspertë të ASIG nga sektorët e GIS-it Kombëtar, Standardeve të Gjeoinformacionit dhe Sektori i Përpunimit të Imazheve Satelitore ishin dje pranë stafit teknik të Bashkisë Pukë, në vijim të nismës së ndërmarrë nga ASIG, me qëllim rritjen e kapaciteteve të stafeve teknike të Njësive të Qeverisjes Vendore në përdorimin e gjeoinformacionit.
Gjatë këtij trajnimi ekspertët e ASIG i ofruan të pranishmëve asistencë të drejtpërdrejtë në përdorimin e gjeoinformacionit si dhe njohuri të reja mbi:
- Funksionalitetet e Gjeoportalit Kombëtar;
- Mbledhjen e të dhënave sipas temave të gjeoinformacionit për: Njësitë Administrative dhe fshatrat në përbërje të tyre (rendi 4 dhe 5), Rrjeti i transportit rrugor lokal; Identifikimi i pikave të interesit;
- Prezantimin e produkteve të përftuara nga projekti i Shërbimit Satelitor.
Publikohet informacion gjeohapësinor për temën “Infrastruktura urbane shërbimet qeveritare”
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në rolin e autoritetit publik përgjegjës për temën “Infrastruktura urbane dhe shërbimet qeveritare”, ka publikuar në Gjeoportalin Kombëtar informacionin gjeohapësinor për shtresën “ALBGaz”.
Rrjeti i shpërndarjes së Gazit – ALBGaz përfaqëson rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror në Republikën e Shqipërisë. Nënshtresat e publikuara për këtë shtresë janë:
- Pajisje makineri;
- Pika evidentimi;
- Puseta;
- Tubacioni;
- Pajisje stacioni;
- Pika evidentimi stacione;
- Godina e stacioneve;
- Tubacione të brendshme.
Këto të dhëna janë përftuar nga Raporti i vlerësimit të aseteve, i realizuar nga konsulentë të kontraktuar, të specializuar për dhënien e shërbimeve të tilla. Të dhënat disponohen dhe administrohen nga ALBGaz. Data modeli i këtyre të dhënave është konform standardit të miratuar me VKM-në nr. 998, datë 09.12.2020, Për miratimin e dokumentit “Standardet Shtetërore për Specifikimet Teknike të Informacionit Gjeohapësinor në Shqipëri – Tema: “Infrastruktura urbane dhe shërbimet qeveritare””, ndërsa saktësia e të dhënave është deklaruar dhe përftuar nga krijuesi i të dhënës.
Retreat në Bylis
ASIG zhvilloi më 03 Tetor 2024, në qytetit antik të Bylisit një retreat me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe motivimin mes kolegëve në një mjedis ku ndërthuret antikiteti dhe inovacioni.
Ky aktivitet ishte një mundësi shumë e mirë për të forcuar marrëdhëniet, për të rritur kreativitetin në ekip, për t’u larguar nga ambienti i zakonshëm i punës dhe për të krijuar një atmosferë relaksuese, e cila mund të gjenerojë ide të reja.
Një ditë e kaluar në natyrë, e mbushur me aktivitete dhe diskutime mbi arritjet dhe sfidat për të ardhmen, duke identifikuar mënyrat se si mund të punojnë më mirë së bashku.
Ky proces njohjeje kontribuon në motivimin e stafit të ri dhe integrimin e tyre në dinamikat e institucionit tonë, duke e bërë më të lehtë arritjen e qëllimeve të përbashkëta.