
Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), më 22 qershor 2026 u zhvillua trajnimi me temë: “Hyrje në Remote Sensing”.
Ky aktivitet bëri bashkë përfaqësues të institucioneve të administratës publike, me synim rritjen e njohurive dhe aftësive të tyre mbi përdorimin e teknologjisë Remote Sensing në analizën e të dhënave gjeohapësinore dhe në mbështetje të vendimmarrjes së bazuar në të dhëna.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me parimet bazë të teknologjisë Remote Sensing, funksionin e saj në mbledhjen dhe analizën e informacionit mbi sipërfaqen e Tokës, si dhe me komponentët kryesorë të këtij sistemi, përfshirë sensorët, platformat dhe ndërveprimin e rrezatimit elektromagnetik me objektet dhe fenomenet territoriale.
Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të spektrit elektromagnetik në identifikimin dhe interpretimin e mbulesës së tokës, përdorimit të të dhënave satelitore në analizat territoriale, si dhe ndikimit të atmosferës në cilësinë dhe saktësinë e të dhënave të përftuara nga teknologjitë e vrojtimit nga distanca.
Nëpërmjet trajtimit të këtyre tematikave, u evidentua rëndësia e Remote Sensing si një instrument bashkëkohor për monitorimin e territorit, analizën e fenomeneve natyrore dhe njerëzore, përmirësimin e informacionit gjeohapësinor dhe mbështetjen e proceseve të planifikimit dhe vendimmarrjes në administratën publike. Pjesëmarrësit në këtë trajnim do të pajisen me certifikatë nga ASPA.
