
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) ka realizuar aplikacionin digjital “Monitorimi i serrave bujqësore 2023-2025”, për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ky aplikacion është i dedikuar vetëm për përdorim nga institucionet, duke garantuar akses të kontrolluar dhe përdorim në funksion të ushtrimit të funksioneve të tyre.
Dashboard-i “Monitorimi i serrave bujqësore 2023–2025” ofron një analizë të detajuar të zhvillimit të serrave bujqësore në Shqipëri. Ky produkt është rezultat i përpunimit dhe analizimit të imazheve satelitore me rezolucion të lartë dhe aplikimit të modeleve të inteligjencës artificiale për detektimin automatik të serrave bujqësore, me një saktësi prej 70%.
Ai ofron një pasqyrë të detajuar mbi numrin dhe sipërfaqen e serrave për çdo bashki, ndryshimet ndër vite dhe tendencat e zhvillimit të aktivitetit bujqësor.
Përmes filtrimit dinamik, hartave interaktive dhe vizualizimeve grafike, platforma shërben si një mjet mbështetës për institucionet publike në planifikimin dhe analizën e politikave bujqësore, si dhe në proceset e vendimmarrjes bazuar në të dhëna.
Në videon më poshtë gjeni një tutorial ilustrues mbi përdorimin e këtij aplikacioni.
