ASIG merr pjesë në eventin e mbylljes së projektit IMPULS
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), të kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm z. Lorenc Çala, morën pjesë në eventin e mbylljes së projektit IMPULS, i cili u mbajt më datë 13 Nëntor 2019, në Banja Luka të Bosnje-Hercegovinës.
Qëllimi kryesor i kësaj konference ishte prezantimi i arritjeve dhe rezultateve kryesore të projektit IMPULS nga koordinatorët dhe drejtuesit rajonalë, të institucioneve përgjegjëse për hartografinë dhe kadastrën nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, respektivisht nga Kosova, Shqipëria, Maqedonisë së Veriut, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Serbia, Sllovenia dhe Kroacia.
Objektivat kryesore të projektit ishin:
· Implementimi i Direktivës INSPIRE në rajonin e Ballkanit Perëndimor duke i ndihmuar vendet përftuese të plotësojnë kërkesat e BE- së në fushën e gjeoinformacionit si dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik, transparencën dhe luftën kundër korrupsionit.
· Kontributi i sektorit të gjeoinformacionit nëpërmjet ndërveprimit të të dhënave dhe shërbimeve, në zhvillimin e E-Qeverisjes së shteteve pjesëmarrëse në nivel qendror dhe vendor.
ASIG merr pjesë në Konferencën XII Rajonale për Kadastrën dhe Infrastrukturën e Informacionit Gjeohapësinor
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), të kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm z. Lorenc Çala, morën pjesë në Konferencën e 12-të Rajonale për Kadastrën dhe Infrastrukturën e Informacionit Gjeohapësinor në Ballkanin Perëndimor e cila u mbajt më 5 dhe 6 shtator 2019, në Neum të Bosnje-Hercegovinës.
Qëllimi kryesor i kësaj konference ishte nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit dhe mirëkuptimit midis institucioneve përgjegjëse për hartografinë dhe kadastrën nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, respektivisht nga Kosova, Shqipëria, Republika e Maqedonisë së Veriut, Mali i Zi, Bosnie-Hercegovina, Serbia, Sllovenia dhe Kroacia.
Kjo marrëveshje synon ngritjen e shkallës së bashkëpunimit mes institucioneve respektive në fushat e interesit të përbashkët, duke përfshirë avancimin e bashkëpunimit në kadastër, gjeodezi dhe hartografi, në zhvillimin dhe ndërveprueshmërinë e sistemeve GNSS, në zhvillimin e rrjeteve gravimetrike dhe trigonometrike, në harmonizimin dhe hapjen e të dhënave gjeohapësinore konform politikave dhe direktivave të BE-së.
Kjo marrëveshje pati mbështetje edhe nga autoritetet në fushën e hartografisë dhe kadastrës të Suedisë, Norvegjisë, Holandës, si dhe organizatat ndërkombëtare, Banka Botërore dhe JICA, të cilat ishin njëkohësisht edhe promotorë të arritjes së kësaj marrëveshjeje.
Workshop mbi “BESTSDI Albania”
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), në bashkëpunim me Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit (FIN), organizoi në datë 03.07.2019, në ambientet e ASIG , salla “Evropa”, workshop-in me temë “BESTSDI Albania”. Në këtë workshop morën pjesë drejtues të ASIG si dhe studentë e pedagogë të Departamentit të Gjeodezisë në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit (FIN).
Qëllimi i këtij workshop-i ishte të evidentonte hapat e hedhura për ndërtimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor (NSDI) në Republikën e Shqipërisë, në kuadër të implementimit të direktivës INSPIRE, si dhe përdorimin e të dhënave dhe shërbimeve gjeohapësinore nga profesionistët e fushës dhe studentët e gjeodezisë.
Drejtori i Përgjithshëm I ASIG, z. Lorenc Çala, në prezantimin e tij bëri një ekspoze të hapave dhe arritjeve të ASIG në krijimin e NSDI-së bazuar në rregullat dhe standardet e direktivës INSPIRE dhe nevojën për një zhvillim të mëtejshëm të fushës së gjeoinformacionit bazuar në nevojat e përdoruesve. Për të bërë të mundur ndjekjen e zhvillimeve teknologjike u theksua nevoja e përshtatjes së kurikulave të studimit, për fushën e gjeoinformacionit.
Drejtues të ASIG prezantuan temat kryesore në SDI-së, Gjeoportalin Kombëtar dhe ofrimin e shërbimeve të tij në përputhje me standardet e INSPIRE, modelimi i të dhënave sipas standardeve të miratuara dhe harmonizimi i të dhënave ekzistuese si dhe bashkëpunimi me projektet e financuara nga donatorët e huaj, veçanërisht roli dhe ndihmesa e projektit IMPULS në ndërtimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor në Shqipëri.
Vizitë e studentëve të fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në ambientet e ASIG
Profesorë dhe studentë të Universitetit të Tiranës, të fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Departamenti i Gjeografisë,
në programin e studimit Master Profesional (GIS i aplikuar), bënë një vizitë në ambientet e Autoritetit Shtetëror për Informacion Gjeohapësinor (ASIG).
Drejtori i përgjithshëm i ASIG z. Lorenc Çala, pasi i falënderoi për vizitën, i njohu ata me rolin dhe përgjegjësitë e ASIG në krijimi e NSDI në Shqipëri, gjithashtu në fjalën e tij z. Çala vuri theksin në domosdoshmërinë që ka sot bashkëpunimi me botën akademike për të nxjerrë profesionistë të zotë në fushën e gjeoinformacionit, për të cilën ka aq shumë nevojë tregu.
Drejtori i drejtorisë së Gjeodezisë dhe Hartografisë i prezantoi studentët me projektet e kësaj drejtorie mbi ndërtimin e Kornizës Referuese Gjeodezike (KRGJSH) dhe Hartës Bazë të Shqipërisë.
Ndërsa drejtori i drejtorisë së GIS-it Kombëtar dhe Gjeoportalit, prezantoi të dhënat dhe shërbimet që ASIG ofron në Gjeoportalin Kombëtar, gjithashtu ai i njohu studentët me rolin dhe përgjegjësitë e ASIG në hartimin dhe zbatimin e standardeve sipas direktivës INSPIRE si dhe për rolin dhe përgjegjësitë e Autoriteteve Publike Përgjegjëse në mbledhjen, përpunimin dhe përditësimin e informacionit gjeohapësinor.
Takim mbi projektin “Informacioni Gjeohapësinor për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit në zonën me intensitet të lartë zhvillimi Tiranë-Durrës” me JICA
Nën organizimin e JICA(Japan International Cooperation Agency), u mbajt më 23.05.2019, në ambientet e sallës Europa, takimi mbi ecurinë e projektit “Informacioni Gjeohapësinor për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit në zonën me intensitet të lartë zhvillimi Tiranë-Durrës”. Në këtë takim ishin të pranishëm, shkëlqesia e tij ambasadori i Japonisë, Makoto Ito, përfaqësues të zyrës për Ballkanin të JICA, stafi i Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), si dhe profesorë dhe studentë të Universitetit Politeknik të Tiranës nga departamenti i Gjeodezisë.
Qëllimi i këtij takimi ishte paraqitja e ecurisë së projektit që ASIG po zhvillon me JICA, si dhe eksperienca që studentët praktikantë pranë ASIG, po marrin nga ky bashkëpunim në lidhje me ofrimin e njohurive bazë në fushën e hartografisë, fotogrametrisë dhe përdorimit të teknologjive bashkohore në fushën e gjeoinformacionit.
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i përgjithshëm i ASIG z. Lorenc Çala falënderoi ekipin e JICA për punë e bërë deri tani në lidhje me këtë projekt, listoi disa arritje të finalizuara nga ky bashkëpunim, si dhe theksoi domosdoshmërinë që kanë shkëmbime të tilla eksperiencash si kjo me qeverinë japoneze, jo vetëm për institucionin e ASIG, por edhe për fushën akademike dhe brezin e ri të studentëve të gjeodezisë.
Shkëlqesia e tij ambasadori i Japonisë, Makoto Ito, në fjalën e tij vlerësoi mbështetjen që qeveria japoneze ka dhënë dhe do të japë për Shqipërinë, përgëzoi të dy ekipet e JICA dhe ASIG për punën e bërë në lidhje me projektin në fjalë, si dhe rëndësinë e krijimit të mundësive për eksperienca praktike për studentët e sapo diplomuar.
Në këtë takim përshëndetën gjithashtu përfaqësues të Universitetit Politeknik të Tiranës si dhe studentë të këtij universiteti të cilët me anë të një prezantimi paraqitën eksperiencën e tyre gjatë praktikës mësimore pranë ASIG, me ekipin e JICA.
Workshop me temë, “ Hartëzimi i vlerësimit të riskut nga fatkeqësitë ”
Në workshop-in me temë, “ Hartëzimi i vlerësimit të riskut nga fatkeqësitë”, organizuar në kuadër të programit IPA-DRAM, në datat, 23–24 Prill 2019, në ambientet e Hotel Tirana International, morën pjesë edhe specialistë të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) nga sektori i Standardeve të Gjeoinformacionit.
Qëllimi i këtij projekti është krijimi i sistemeve kombëtare efektive, koherente dhe të orientuara drejt BE-së, për grumbullimin e të dhënave, për humbjet në raste fatkeqësish natyrore, vlerësimi dhe hartëzimi e riskut si dhe shtrirja dhe integrimi në mekanizmin e mbrojtjes civile të Unionit Evropian.
Ky workshop kishte në fokus:
• Rishikimin dhe zhvillimin e 3 skenarëve për përmbytjet, tërmetet dhe zjarret.
• Diskutimin dhe konsolidimin e skenarëve për NDRA(Vlerësim i Riskut për Katastrofat Kombëtare).
• Përcaktimin e masave zbutëse në lidhje me skenarët e përcaktuar që shihen nga studimi i OSBE 2016.
• Hapat për përgatitjen e dokumentit formal, NDRA.
Mblidhet Komiteti Koordinues i projektit me JICA
Në ambientet e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), u mblodh më 11.04.2019, Komiteti Koordinues,
në kuadër të projektit me temë: ”Informacioni Gjeohapësinor, për një zhvillim të qëndrueshëm të tokës në zonën Tiranë-Durrës”.
Ky takim u mbajt nën drejtimin e z. Lorenc Çala, Drejtor i Përgjithshëm i ASIG, si dhe në prani të një përfaqësuesi të Zyrës së Kryeministrisë, përfaqësuesve të Ambasadës së Japonisë, përfaqësuesve të Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), si dhe të ekipeve të projektit ASIG dhe JICA.
Në këtë takim u prezantuan objektivat kryesore të projektit, u shqyrtua ecuria e tij e deritanishme, plani i ardhshëm i punës si dhe u shkëmbyen mendime lidhur me problematika të ndryshme dhe miratimin e raportit të përkohshëm.
Punësimi i ekselentëve dhe praktikat e punës në ASIG
Bazuar në vendimin nr. 766, datë 26/12/2018, pika 4, të Këshillit të Ministrave, “Për punësimin e studentëve të ekselencës në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil, për vitin 2019”, Departamenti i Administratës Publike shpalli procedurat për shprehjen e interesit për punësimin e studentëve të ekselencës, në pozicionet specialist dhe të barasvlershëm, në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil, konkretisht pranë Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), u publikuan 5 pozicione vakante.
Në përfundim të këtij procesi, për pozicionet vakante, është shpallur fitues studenti Xhesian Balili, i cili është emëruar në pozicionin e specialistit, në Sektorin e GIS-it Kombëtar, në Drejtorinë e GIS-it Kombëtar dhe Gjeoportalit, në ASIG.
Gjithashtu në bazë të Vendimit nr. 395 të Këshillit të Ministrave, datë 29.04.2015 “Për miratimin e programit kombëtar të praktikave të punës në administratën shtetërore dhe institucionet e tjera publike”, i ndryshuar dhe thirrjes së katërt të Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, ASIG pasi përfundoi procesin e vlerësimit të kandidatëve të interesuar, kualifikoi 3 fitues me të cilët janë nënshkruar marrëveshjet për zhvillimin e praktikës së punës pranë ASIG.
Ky program synon ofrimin e mundësive për aftësimin e shprehive të tyre në njohjen me sistemin administrativ publik, nëpërmjet zbatimit në praktikë të dijeve teorike të marra gjatë studimeve, zhvillimin e aftësive profesionale dhe orientimin drejt tregut të punës. Kohëzgjatja e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës është tre muaj.
Pjesëmarrje në konferencën “Faster, Smarter, Safer”
Specialistë të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), nga drejtoria e GIS-it Kombëtar dhe Gjeoportalit, morën pjesë në konferencën “Faster, Smarter, Safer” të mbajtur më 02.04.2019, në ambientet e Hotel “Hilton Garden Inn”, organizuar nga “InfoSoft Systems” në bashkëpunim me “Cisco” dhe “F5”.
Çështjet kryesore që u trajtuan në këtë konferencë ishin:
1. Hyrje në “F5 Networking & InfoSoft Systems”.
2. “Why application security is new must, F5 Networks”.
3. “Security’s new frontier- The Cloud”.
Pjesëmarrje në workshop-in final të projektit SPATIAL
Drejtues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) morën pjesë në takimin përmbyllës, të projektit SPATIAL, të mbajtur në datat 12-13.03.2019, në Podgoricë të Malit të Zi. Ky takim organizohej në kuadër të projekti “Përforcimi i qasjes profesionale për të informuar rreth tokës (SPATIAL) në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, i cili është pjesë e programit të para-pranimit në BE.
Tema e këtij workshop-i ishte, “Bashkëpunimi i ardhshëm dhe planifikimi i strategjive” dhe qëllimi i tij ishte ndarja e përvojave në planifikimin e strategjive dhe diskutimin për një bashkëpunim të ardhshëm midis Holandës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor për çështjet që kanë të bëjnë me informacionin mbi tokën.
Projekti synon të forcojë marrëdhëniet ndërmjet institucioneve publike në lidhje me hartografinë, regjistrin e tokës dhe kadastrën si dhe të sjellë përvojën holandeze në këto fusha.