ASIG merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të EuroGeographics
Asambleja e Përgjithshme Vjetore e EuroGeographics këtë vit përkoi me 25 vjetorin e krijimit të kësaj organizate. Drejtues të lartë të autoriteteve gjeohapësinore, të vendeve anëtare të EuroGeographics u mblodhën në qytetin e Rigës, në Letoni, më 18-20 Maj 2025.
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) u përfaqësua në ketë event nga:
- Vilma Tomço – Drejtor i Përgjithshëm i ASIG,
- Kristaq Qirko – Drejtor i Drejtorisë së Gjeodezisë dhe Hartografisë në ASIG
- Klaudio Çollaku – Drejtor i Drejtorisë së GIS-it Kombëtar dhe Gjeoportalit në ASIG.
Tema kryesore e eventit ishte: “Përballimi i sfidave për një të ardhme më të sigurt”, duke adresuar sfida të shumta si; transformimi digjital, zhvillimet e inteligjencës artificiale, siguria dhe barazia institucionale.
Pikat kryesore të agjendës së sesionit ku ASIG mori pjesë ishin:
- Prezantime të nivelit të lartë nga përfaqësues të Komisionit Evropian, agjencive gjeohapësinore dhe institucioneve homologe;
- Sesioni i shkëmbimit të njohurive mes Drejtorëve të Përgjithshëm;
- Diskutime mbi; sfidat globale, inteligjencën artificiale, gjeodezinë dhe politikat e të dhënave të hapura kundrejt sigurisë;
- Votime për buxhetin e vitit 2025, strategjitë e anëtarësimit dhe zgjedhja e presidentit të ri të EuroGeographics.
Pjesëmarrja e ASIG në këtë aktivitet ishte një mundësi e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit institucional, rritjen e kapaciteteve dhe përfaqësimin e Shqipërisë në rrjetin më të madh evropian të institucioneve gjeohapësinore.
ASIG merr pjesë në seminarin rajonal “Ndërtimi i Kapaciteteve për Sistemin Kombëtar të Informacionit për Zjarret në Pyje (NFFIS) dhe Zgjidhjeve të Bazuara në Natyrë”
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në seminarin rajonal të zhvilluar në Prizren, në datat 12–15 maj 2025, në kuadër të projektit “Ndërtimi i Kapaciteteve për Sistemin Kombëtar të Informacionit për Zjarret në Pyje (NFFIS) dhe Zgjidhjeve të Bazuara në Natyrë”, në mbështetje të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), i financuar nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA).
Seminari kishte për qëllim ndërtimin e kapaciteteve institucionale për sistemin kombëtar të informacionit për zjarret në pyje (NFFIS) dhe promovimin e zgjidhjeve të bazuara në natyrë (Eco-DRR). Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, të cilët ndanë përvojat e tyre në zhvillimin dhe përdorimin e platformave digjitale për monitorimin dhe menaxhimin e rrezikut nga zjarret dhe erozioni.
Në sesionet e seminarit u prezantuan projektet rajonale të JICA, përfshirë platformat kombëtare si Macedonian Forest Fire Information System (MKFFIS), Montenegrin Forest Fire Information System (MEFFIS), National Forest Fire Information System (NFFIS), si dhe shembuj konkretë të masave të ndërmarra për reduktimin e rreziqeve përmes ndërhyrjeve ekologjike. Pjesë e seminarit ishte edhe një vizitë në terren në komunën e Dragashit, ku pjesëmarrësit u njohën me masat praktike të ndërmarra për reduktimin e rrezikut në zonat e goditura nga ortekët dhe zjarret, përmes ndërhyrjeve ekologjike si pyllëzimi, tarracimi dhe vendosja e strukturave mbrojtëse.
Seminari shërbeu për të theksuar rëndësinë e shkëmbimit të njohurive dhe përvojave, si dhe rolin i zgjidhjeve të qëndrueshme të bazuara në natyrë për një menaxhim më efikas dhe afatgjatë të rreziqeve klimatike dhe natyrore.
Korniza Referuese Gjeodezike dhe Modelimi i Gjeoidit në Republikën e Shqipërisë
Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) organizuan më 17.04.2025, në ambientet e Akademisë workshopin me temë: “Korniza Referuese Gjeodezike dhe Modelimi i Gjeoidit në Republikën e Shqipërisë”.
ASIG si institucion përgjegjës për projektimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe përditësimin e Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH) që nga viti 2014 është angazhuar në hartimin e projekteve teknike të detajuara të nevojshme dhe implementimin e tyre për ndërtimin e rrjeteve në përbërje të KRGJSH-së, për t’i mundësuar Shqipërisë krijimin e bazës unike gjeodezike që mbështetet totalisht në teknologjinë GNSS dhe në llogaritjen e gjeoidit me rezolucion dhe saktësi të lartë për përcaktimin me efikasitet të pozicionit të saktë horizontal dhe vertikal të pikave të ndryshme në sipërfaqen e tokës.
Gjatë këtij eventi u prezantua Korniza Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH) nga specialistët e ASIG, bashkëpuntorët nga Instituti i Gjeoshkencave (IGEO) dhe Universiteti “Aristotel” i Selanikut (AUTH).
Temat e prezantuara ishin:
-
- Implementimi i Kornizës Referuese Gjeodezike Moderne në Republikën e Shqipërisë,
- Implementimi i Rrjetit Gjeodezik Aktiv (ALBCORS) në Republikën e Shqipërisë,
- Karakteristikat e zhvendosjes tektonike aktuale të Shqipërisë bazuar në të dhënat GNSS,
- Modeli gravimetrik dhe hibrid i Gjeoidit në Republikën e Shqipërisë.
Në përfundim të këtij eventi pjesëmarrësit nga bota akademike falënderuan dhe vlerësuan punën e kryer nga ASIG për implementimin e projekteve të rrjeteve të KRGJSH-së dhe llogaritjen e gjeoidit për herë të parë në Republikën e Shqipërisë.
ASIG merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Rrjetit Evropian të Hapësirës
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Rrjetit Evropian të Hapësirës e cila u mbajt më 10-11 Prill 2025, në Venecia, Itali, si pjesë e rrjetit Copernicus Relay, i ftuar nga Komisioni Evropian dhe Zyra për Mbështetjen Europiane të Hapësirës.
ASIG u përfaqësua në këtë aktivitet nga Drejtori i Drejtorisë së Përpunimit të të Dhënave Remote Sensing z. Dritan Prifti.
Në fjalën hapëse të kësaj Asambleje përshëndetën Presidenti i Rajonit Veneto, Rektori i Universiteti IUAV dhe përfaqësues të Komisionit Evropian.
Në këtë Asamble anëtarët e Rrjeteve Hapësinore të BE-së të pranishëm në sallë patën mundësinë që të prezantojnë aktivitetin e institucioneve të tyre me arritjet dhe sfidat e secilit. Gjatë këtij sesioni pjesëmarrësit u informuan mbi aktivitetet dhe arritjet e kaluara, evolucionin e rrjeteve të bashkëpunimit dhe statusin e tyre aktual, duke përfshirë një prezantim mbi rezultatet e marrëveshjes Kuadër të Partneritetit në përvetësimin e përdoruesve të programit të Copernikut (FPCUP).
Anëtarët e Rrjeteve Hapësinore të BE-së dhanë komente dhe diskutuan pritshmëritë e tyre për zhvillimin e Rrjeteve Hapësinore të BE-së si dhe ju propozuan ide, përfaqësuesve të Komisionit Evropian.
Dita e dytë e asamblesë u zhvillua në Universitetin IUAV Venecia (Istituto Universitario di Architettura di Venezia) ku u diskutuan tematikat e mëposhtme:
- Shfrytëzimi i të dhënave hapësinore të BE-së për qëndrueshmërinë bregdetare dhe oqeanike;
- Sigurimi i aseteve hapësinore të Evropës – SSA & STM;
- Situata Hapësinore dhe Menaxhimi i Trafikut Hapësinor të BE-së si komponent kryesor i Programit Hapësinor të BE-së;
- Kapacitet në sektorin hapësinor të BE-së;
- Ruajtja e trashëgimisë kulturore me ndihmën të dhënat hapësinore të BE-së.
Workshop dy ditor i organizuar nga Satellogic në bashkëpunim me ASIG&AKMC
U zhvillua në ambientet e Sallës EUROPA pranë ASIG, në datat 4 dhe 5 Mars 2025 workshop-i dy ditor i organizuar nga Satellogic në bashkëpunim me ASIG dhe AKMC.
Qëllimi i këtij workshop-i ishte prezantimi i produkteve dhe shërbimeve më të reja të kompanisë Satellogic për stafet teknike dhe institucionet përfituese të projektit “Shërbimi Satelitor”.
Pjesëmarrës në këtë workshop ishin përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit të cilët patën mundësi të marrin më shumë informacion mbi teknikat më të fundit inovative në fushën e Remote Sensing, përmirësimet e platformës, rastet e monitorimit në kohë afër reale si dhe planet për zhvillimet e ardhshme.
ASIG organizon workshop-in në kuadër të projektit SOFTMOVE
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor ASIG, organizoi ditën e enjte, më datë 27 Shkurt 2025, në ambientet e Grand Hotel & SPA Tirana, workshop-in me temë “Roli i autoriteteve të transportit dhe operatorëve në qytetet inteligjente”, në kuadër të projektit “SOFTMOVE” bashkë financuar nga Programi Interreg IPA South Adriatic 2021-2027.
Ky work shop bëri bashkë profesionistë nga sektori publik, privat, nga bota akademike, SME-të, Startup-et të zonës së Adriatikut Jugor, të cilët ndanë eksperiencat e tyre për teknologjitë më të avancuara që për monitorimin e trafikut, qëndrueshmërinë e transportit, për planifikimin hapësinor të ardhshëm, lëvizshmërinë inteligjente dhe intermodale, lëvizshmërinë inovative ajrore etj..
Gjithashtu ai shërbeu si një promovim i aktiviteteve të institucionit, shkëmbimit të informacioneve mes profesionistëve të gjeoinformacionit, ngritjen e kapaciteteve, si dhe të ndërtimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe partneriteteve ndërkombëtare që promovojnë përdorimin e dronëve, me fokus në operacionet dhe zbatimin e shërbimeve inovative ajrore dhe përdorimin e shërbimeve gjeohapësinore, në mënyrë që të mund t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve në qytetet e ardhshme (smart city), të zonës IPA.
and more much