
Më 22.06.2023 u zhvillua në ambientet e Kryeministrisë mbledhja e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor (BIG), nën drejtimin e Kryetarit të këtij bordi z. Ermal Nufi, Drejtor i Kabinetit të Zëvendës Kryeministrit.
Në këtë mbledhje ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e BIG.
Z. Nufi në fjalën e tij hapëse falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre dhe theksoi rëndësinë që ka ky bord në zhvillimin e Infrastrukturës së Informacionit Gjeohapësinor si dhe prioritetin dhe vëmendjen e veçantë që Qeveria Shqiptare i ka dhënë ndjekjes së projektit mbi Shërbimet Satelitore dhe përfitimet që pritet të kenë institucionet nga ky projekt.
Drejtori i përgjithshëm i ASIG, znj. Vilma Tomço i njohu të pranishmit me strukturën e re të ASIG, ecurinë e deri tanishme të projektit “Monitorimi i territorit me teknologji të avancuar” dhe hapat e hedhur nga ASIG për krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor (NSDI).
Përgjegjësi i sektorit të GIS-it Kombëtar z. Erin Mlloja në prezantimin e tij paraqiti modulet që do të ketë në përbërje GIS-i Kombëtar si dhe të dhënat gjeohapësinore, sistemet tematike dhe shërbimet që do të bëjnë të mundur ofrimin e informacionit për përdoruesit.
Pas këtij prezantimi anëtarët e BIG shprehën aprovimin e tyre për miratimin e dokumentit Standardet Shtetërore të GIS-it Kombëtar.


