Workshop mbi përdorimin e programeve fotogrametrike Summit Evolution, Match-AT, Ortho Vista dhe Microstation

Në workshop-in e organizuar në ambietet e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor,

në datat 28.10-01.11.2018, nën asistencën e një specialisti të Autoritetit Norvegjez të Hartografisë dhe Kadastrës (Statens Kartverk), morën pjesë përfaqësues të Sektorit Remote Sensing në ASIG.

Ky trajnim kishte në fokus përdorimin e programeve fotogrametrike “Summit Evolution”, “Match-AT”, “Ortho Vista” dhe “Microstation”.

Programi i trajnimit ofroi njohuri bazë mbi programet fotogrametrike, funksionalitetet e tyre, vënien në eficencë si dhe dhe krijimi i një projekti me fotografi ajrore të vitit 1994.

Projekti i krijuar kishte synim krijimin e Ortofoto e vitit 1994, për një zonë pilot, me fotografi historike të qytetit të Tiranës, të marra nga fluturimi ajor i vitit 1994.

Pas përfundimit të projektit pilot, me asistencën e specialistëve norvegjezë të Statens Kartverk po punohet për ngritjen e Ortofotos së vitit 1994 për të gjithë Republikën e Shqipërisë.

Twitter

Trajnim në kuadër të projektit me temë: ”Informacioni Gjeohapësinor, për një zhvillim të qëndrueshëm të tokës në zonën Tiranë – Durrës”

Specialistë të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, nga sektorët e Remote

Sensing, Hartografisë dhe Standardeve të Gjeoinformacionit morën pjesë në një trajnim dy javor, në kuadër të projektit me Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar JICA, në datat 13-27.10.2018, në Tokio, Japoni.

Zhvillimi i trajnimit, në një institucion dhe kompani private me detyra dhe përgjegjësi të ngjashme me ato të ASIG, ofroi mundësinë e shkëmbimit të eksperiencës jo vetëm në anën tekniko-profesionale por edhe në atë organizative dhe menaxheriale, duke parë dhe studiuar mënyrën se si planifikohen dhe realizohen proceset e punës, nga sektorët përkatës që operojnë në fushën e Fotogrametrisë dhe Remote Sensing.

Programi i trajnimit ofroi njohuritë bazë dhe shkëmbim eksperience, në fushën e fotogrametrisë dhe teknologjisë Remote Sensing, si dhe metodat më bashkohore që janë në përdorim në Japoni, mënyrën e menaxhimit, krijimit, përditësimit dhe të mirëmbajtjes së informacionit hartografik, sipas trendeve të fundit.

Njohuritë dhe eksperienca e fituar nga ky trajnim, ndihmojnë shumë në përmirësimin e metodikës së punës, zgjidhjen e disa problemeve që lidhen me mungesën e eksperiencës në fushën e fotogrametrisë, si dhe ofrojnë një bazë të mirë mbështetëse për krijimin, mirëmbajtjen dhe përditësimin e hartës bazë.

Twitter

Workshop mbi përdorimin e programeve FME (feature manipulation engine) për harmonizimin dhe implementimin e të dhënave gjeohapësinore konform standardeve të gjeoinformacionit

Përfaqësuesit e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor z.Mikel Millja, zj.Denisa Kukaj nga Sektori i Standardeve të Gjeoinformacionit dhe z.Erin Mlloja, Sektori i GIS-it Kombëtar morën pjesë në Workshop-in mbi Përdorimin e programeve FME (Feature Manipulation Engine) për harmonizimin dhe implementimin e të dhënave gjeohapësinore konform standardeve të gjeoinformacionit i mbajtur në datat 01-04 Tetor 2018, në Zagreb, Kroaci.

Ky trajnim kishte për qëllim përfitimin e aftësive në përdorimin e programit FME, mbi harmonizimin dhe implementimin e të dhënave gjeohapësinore konform direktivës INSPIRE. Disa nga çështjet më të rëndësishme në të cilat u fokusua ky trajnim ishin:

• Njohuri themelore në përdorimin e programit FME (krijim, përpunim dhe modelim të proceseve të punës)

• Interpretimi i modelimit konceptual të të dhënave (UML-Language) të INSPIRE sipas programit FME (elementë të përgjithshëm).

• Harmonizimi i informacionit ekzistues gjeohapësinor sipas specifikimit të të dhënave për temat e gjeoinformacionit.

Twitter

Pjesëmarrje në Asamblenë e Përgjithshme të Eurogeographics

Drejtuesit e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, z.Lorenc Çala Drejtor i Përgjithshëm , z.Kristaq Qirko Drejtor i Drejtorisë së Gjeodezisë dhe Hartografisë, z.Klaudio Çollaku Drejtor i Drejtorisë së GIS-it Kombëtar dhe Gjeoportalit, morën pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Eurogeographics, e mbajtur në datat 07-10.10.2018, në Pragë, Çeki.

Çështjet kryesore që u trajtuan në këtë asamble ishin:

• Besueshmëria e të dhënave gjeohapësinore, nëpërmjet të cilave realizohen vendimmarrje që prekin ndjeshëm jetën e shoqërisë tonë, në një kohë kur flasim për “big data” dhe evolim të shpejtë të teknologjisë dhe internetit.

• Të dhënat autoritative dhe rëndësia e tyre.

• Roli NMCA-së (National Mapping and Cadastral Agencies) si faktorë të rëndësishëm në trajtimin e çështjeve të gjeoinformacionit, në të tashmen dhe të ardhmen, në dobi të së mirës publike.

Twitter

Pjesëmarrje në workshop-in me temë: “Të kuptuarit e risqeve natyrore në Ballkan”

Në workshop-in me temë, “Të kuptuarit e risqeve natyrore në Ballkan” të zhvilluar në datat 17-19 Shtator 2018, në Beograd, Serbi, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor u përfaqësua nga z.Mikel Millja përgjegjës i Sektorit të Standardeve të Gjeoinformacionit.

Qëllimi i këtij workshop-i ishte të realizohej një forum diskutimesh mes vendeve të Ballkanit, për të ndarë eksperiencat më të mira në lidhje me: menaxhimin e riskut, përballimin e rreziqeve natyrore të së ardhmes, zhvillimin e teknologjisë për menaxhimin e hartave të rrezikut si dhe ndikimin social, fizik dhe financiar të fatkeqësive natyrore. Ky workshop u mundësua nga Qeveria e Serbisë në bashkëpunim me Bankën Botërore.

Në vijim të këtij takimi në datën 21 Shtator 2018, pranë ambienteve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Tiranë, u zhvillua workshop-i me temë,“Gjendja e rrugëve dhe ndikimi i risqeve natyrore në to.” Në këtë workshop u diskutuan tre çështje kryesore;

– Progresi dhe rezultatet paraprake të analizës së rrezikut për asetet rrugore elastike të rrugëve në Shqipëri.

– Analiza e përmbytjeve, rrëshqitjeve të dheut dhe sizmikës.

– Paraqitja e hartave të rrezikut, analiza e rrezikut dhe analiza e ndikimit ekonomik.

Twitter

Pjesëmarrje në takimin e Komitetit Drejtues të projektit IMPULS

Koordinatori i ASIG, për projektin IMPULS z.Dritan Prifti mori pjesë në takimin e Komitetit Drejtues të këtij projekti i cili u mbajt më 18.10.2018 në Zagreb, Kroaci. Në këtë takim merrnin pjesë drejtuesit e institucioneve përgjegjëse për infrastrukturën e të dhënave gjeohapësinore të shteteve të Ballkanit Perëndimor pjesë e këtij projekti.

Pjesëmarrësit diskutuan mbi ecurinë e projektit IMPULS, arritjet dhe sfidat eventuale deri në përfundimin e tij, i cili parashikohet të jetë 31 Dhjetori i vitit 2019. Në këtë takim z.Dritan Prifti prezantoi disa nga arritjet e ASIG siç janë;

Rritja e ndërgjegjësimit publik për përfitimet nga gjeoinformacioni, zhvillimi profesional dhe mundësitë e trajnimit për rritjen e kapaciteteve të autoriteteve publike përgjegjëse, harmonizimi i të dhënave gjeohapësinore dhe krijimi i metadatave për këto të dhëna.Gjithashtu u raportuan hapat e hedhur për ndërtimin e një platforme për dhënien e shërbimeve gjeohapësinore sipas standardeve të formatit Dataexchange, standardeve mbi shërbimet e rrjetit që do të përdoren në GIS-in Kombëtar nga përdoruesit e gjerë.

Nga drejtuesit e projektit u evidentua fakti se ASIG është duke përmbushur me sukses detyrat e tij në fushën e gjeoinformacionit në krah të vendeve të tjera të rajonit si dhe vendeve të Bashkimit Evropian.

Twitter

Pjesëmarrje në konferencën e INSPIRE 2018

Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor ( ASIG) morën pjesë në konferencën e INSPIRE 2018 “Inspire Users: Make it work together”, të zhvilluar në datat 18-21 Shtator 2018, në Antwerp, Belgjikë, nën kujdesin e Komisionit Europian, Holandës dhe Belgjikës. Në këtë konferencë ishin të ftuar të merrnin pjesë aktorët dhe kontribuesit kryesorë në zbatimin e Direktivës 2007/2/EC “INSPIRE” të BE-së si dhe ofruesit privatë të teknologjive dixhitale. Konferenca trajtoi çështje të rëndësishme të gjeoinformacionit ndër të cilat:

• Përdorimi i mekanizmit të INSPIRE për të adresuar sfidat e shfaqura dhe të reja, të transformimit dixhital dhe të informacionit, për një qeverisje më të qëndrueshme në një mjedis të zhvillimit të vrullshëm të shoqërisë së informacionit.

• Nevoja për bashkëpunim dhe bashkërendim më të mirë mes aktorëve të përfshirë drejtpërdrejt në hartimin dhe zbatimin e iniciativave relevante globale në fushën e gjeoinformacionit.

• Shkëmbimi i pikëpamjeve mbi zgjidhjen e problemeve dhe vështirësive teknike të hasura në zbatimin dhe përdorimin e INSPIRE.

Prezantim në workshop-in me temë: “Ndërtimi i kapaciteteve në fushën e edukimit të lartë, projekti BESTSDI”

Në ambientet e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit është duke u zhvilluar workshop –i me temë: “Ndërtimi i kapaciteteve në fushën e edukimit të lartë, projekti BESTSDI”.

Në ditën e parë të këtij workshop-i Drejtori i Përgjithshëm i ASIG z.Lorenc Çala mbajti një prezantim mbi rolin, përgjegjësitë dhe arritjet e ASIG në krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor (NSDI) në Republikën e Shqipërisë.

Në prezantim u evidentua nevoja e rritjes së kapaciteteve të profesionistëve të fushës së gjeoinformacionit, roli i kurikulës universitare në këtë drejtim dhe nevoja e përshtatjes së saj me zhvillimet e vrullshme teknologjike.

Projekti BESTSDI (Evolimi i edukimit akademik në Ballkanin Perëndimor dhe trajnimi i vazhdueshëm profesional për infrastrukturën e informacionit gjeohapësinor), është ndërmarrë në kuadër të programit Erasmus + për të mbështetur edukimin e lartë dhe ngritjen e kapaciteteve në nivelet e kërkuara ndërkombëtare për implementimin e direktivës evropiane 2007/2/EC “INSPIRE”.

Kontributi i drejtpërdrejtë i këtij workshop-i është ndryshimi dhe përmirësimi i kurikulave universitare për të përgatitur profesionistë që do të do të krijojnë dhe përdorin informacion gjeohapësinor, të standardeve evropiane.

Twitter

PUBLIKOHET ORTOFOTO 2018 PËR ZONËN TIRANË-DURRËS

Përmes projektit “Informacion Gjeohapësinor për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit në zonën me intensitet të lartë zhvillimi Tiranë-Durrës”,

financuar nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) është realizuar fotografimit ajror dhe prodhimi i ortofotos me rezolucion 0.08 m/pixel për një zonë 375 km² që përfshin trekëndëshin ekonomik Tiranë-Vorë-Durrës.

Projekti parashikon krijimin e hartave dixhitale në shkallë të mëdha, për këtë zonë, sipas metodikave dhe standardeve bashkëkohore, të përdorura në Japoni, si dhe transferimin e teknologjisë ku përfshihet infrastruktura harduerë dhe softuerë, me qëllim krijimin, në një fazë të më vonshme të hartave të tilla për të gjithë territorin e vendit.

Hartat e shkallëve të mëdha, që nuk janë prodhuar prej më shumë se 25 viteve, janë mjaft të nevojshme për zhvillimin e vendit, sidomos për sa i përket çështjeve të pronësisë dhe ndërtimit të infrastrukturave.

Ortofoto tashmë është publikuar në Gjeoportalin Kombëtar dhe mund ta aksesoni në linkun:
https://geoportal.asig.gov.al/map/?fc_name=Ortofoto_2018&auto=true

Twitter

PUBLIKOHET NË GJEOPORTALIN KOMBËTAR INFORMACIONI GJEOHAPËSINOR PËR TEMËN ”EMËRTIMET GJEOGRAFIKE”

ASIG, në rolin e autoritetit publik përgjegjës, ka krijuar dhe publikuar në Gjeoportalin Kombëtar informacionin gjeohapësinor për temën “Emërtimet Gjeografike”. Informacioni i publikuar është në përputhje të plotë me standardin e miratuar me VKM nr.142, datë 22.02.2017 “Për Miratimin e Dokumentit Standardet Shtetërore për Specifikimet Teknike të Informacionit Gjeohapësinor në Shqipëri – Tema: “Emërtimet Gjeografike”.

Informacioni i publikuar përmban tre kategori të dhënash të cilat janë:

1. Vendbanimet zyrtare në Republikën e Shqipërisë (Qytete-Fshatra). Numri total i pikave të përpunuara për të gjithë territorin Republikës së Shqipërisë është 3056. Informacioni i mbledhur dhe i përpunuar është marrë nga hartat e Ndarjes Administrative Territoriale të Njësive të Qeverisje Vendore në Republikën e Shqipërsisë të vitit 2014.

2. Relievi, numri total i pikave të përpunuara për të gjithë territorin Republikës së Shqipërisë është 9926. Informacioni për këtë kategori është mbledhur nga hartat topografike të shkallës 1:25 000, të saktësuara me hartat e shkallës 1:10 000. Elementët e relievit janë të ndarë në disa lloje dhe paraqiten në atributin “LlojiLokal” si: arë, fushë, bisht, breg, brinjë, bunishtë, çukë, faqe, fushë, gropë, grykë, gurrë, hauz, hije, ishull etj.

3. Hidrografia – numri total i pikave të përpunuara për të gjithë territorin Republikës së Shqipërisë është 5157. Elementët e kësaj kategorie janë të disa llojeve dhe paraqiten në atributin “LlojiLokal” si: përrua, liqen, ujëmbledhës, rezervuar, lumë, kanal etj. Informacioni i publikuar është mjaft i rëndësishëm dhe i vjen në ndihmë përdoruesve të Gjeoportalit Kombëtar, institucioneve publike, biznesit edhe qytetarëve dhe i ndërthurur me informacionin për temat e tjera të gjeoinformacionit krijon një vlerë të shtuar të Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinore në Shqipëri.

Për më shumë informacion mund të klikoni në linkun:

https://geoportal.asig.gov.al/map/?fc_name=egj_total_krgjsh_asig&auto=true

Twitter