Trajnim në kuadër të bashkëpunimit ASIG-ASPA “Infrastruktura Kombëtare e Ofrimit të të Dhënave dhe Shërbimeve Gjeohapësinore”
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), zhvilloi më datë 05.03.2026 trajnimin me temë “Infrastruktura Kombëtare e Ofrimit të të Dhënave dhe Shërbimeve Gjeohapësinore”, me pjesëmarrjen e stafeve teknike nga institucione të administratës publike dhe njësive të vetëqeverisjes vendore.
Ky trajnim është pjesë e kurrikulave të specializuara të hartuara nga ekspertët e ASIG për rritjen e kapaciteteve të administratës publike në përdorimin dhe menaxhimin e të dhënave gjeohapësinore. Gjatë sesionit u trajtuan konceptet kryesore mbi funksionimin e Infrastrukturës Kombëtare të të Dhënave Gjeohapësinore (NSDI), rolin e saj në standardizimin dhe shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve, si dhe rëndësia e metadatave dhe e shërbimeve të rrjetit për publikimin dhe shpërndarjen e të dhënave gjeohapësinore.
Në pjesën praktike të trajnimit u prezantuan funksionalitetet kryesore të Gjeoportalit Kombëtar, duke përfshirë kërkimin, vizualizimin dhe përdorimin e të dhënave gjeohapësinore. Të gjithë pjesëmarrësit në trajnim do të pajisen me certifikatë nga ASPA.



Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes ASIG dhe AZHBR
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim forcimin e koordinimit institucional për përdorimin dhe shkëmbimin efektiv të informacionit gjeohapësinor, në funksion të krijimit dhe zhvillimit të Sistemit të Identifikimit të Parcelave të Tokës (LPIS).
Ky sistem i integruar do të shërbejë për identifikimin dhe menaxhimin e zonave bujqësore përmes ortofotove, imazheve satelitore dhe të dhënave të tjera gjeohapësinore, në përputhje me kërkesat e politikës së përbashkët bujqësore të Bashkimit Evropian.
Zbatimi i kësaj marrëveshjeje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor dhe përmbushjes së standardeve evropiane në sektorin bujqësor, duke kontribuar në digjitalizimin dhe modernizimin e administrimit të skemave në bujqësi.
Trajnim me stafin teknik të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nismës për rritjen e kapaciteteve në menaxhimin dhe përdorimin e informacionit gjeohapësinor, zhvilloi sot një trajnim të dedikuar për stafin teknik të sektorit të Administrimit të Regjistrit Kombëtar të Adresave, të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Gjatë këtij trajnimi, ASIG ofroi asistencë teknike për standardizimin dhe saktësimin e të dhënave GIS për temën “Sistemi i adresave”, si dhe trajtoi aspektet e përdorimit praktik të Gjeoportalit Kombëtar për aksesimin, menaxhimin dhe vizualizimin e të dhënave gjeohapësinore.









