Korniza Referuese Gjeodezike dhe Modelimi i Gjeoidit në Republikën e Shqipërisë
Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) organizuan më 17.04.2025, në ambientet e Akademisë workshopin me temë: “Korniza Referuese Gjeodezike dhe Modelimi i Gjeoidit në Republikën e Shqipërisë”.
ASIG si institucion përgjegjës për projektimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe përditësimin e Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH) që nga viti 2014 është angazhuar në hartimin e projekteve teknike të detajuara të nevojshme dhe implementimin e tyre për ndërtimin e rrjeteve në përbërje të KRGJSH-së, për t’i mundësuar Shqipërisë krijimin e bazës unike gjeodezike që mbështetet totalisht në teknologjinë GNSS dhe në llogaritjen e gjeoidit me rezolucion dhe saktësi të lartë për përcaktimin me efikasitet të pozicionit të saktë horizontal dhe vertikal të pikave të ndryshme në sipërfaqen e tokës.
Gjatë këtij eventi u prezantua Korniza Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH) nga specialistët e ASIG, bashkëpuntorët nga Instituti i Gjeoshkencave (IGEO) dhe Universiteti “Aristotel” i Selanikut (AUTH).
Temat e prezantuara ishin:
-
- Implementimi i Kornizës Referuese Gjeodezike Moderne në Republikën e Shqipërisë,
- Implementimi i Rrjetit Gjeodezik Aktiv (ALBCORS) në Republikën e Shqipërisë,
- Karakteristikat e zhvendosjes tektonike aktuale të Shqipërisë bazuar në të dhënat GNSS,
- Modeli gravimetrik dhe hibrid i Gjeoidit në Republikën e Shqipërisë.
Në përfundim të këtij eventi pjesëmarrësit nga bota akademike falënderuan dhe vlerësuan punën e kryer nga ASIG për implementimin e projekteve të rrjeteve të KRGJSH-së dhe llogaritjen e gjeoidit për herë të parë në Republikën e Shqipërisë.
ASIG merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Rrjetit Evropian të Hapësirës
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Rrjetit Evropian të Hapësirës e cila u mbajt më 10-11 Prill 2025, në Venecia, Itali, si pjesë e rrjetit Copernicus Relay, i ftuar nga Komisioni Evropian dhe Zyra për Mbështetjen Europiane të Hapësirës.
ASIG u përfaqësua në këtë aktivitet nga Drejtori i Drejtorisë së Përpunimit të të Dhënave Remote Sensing z. Dritan Prifti.
Në fjalën hapëse të kësaj Asambleje përshëndetën Presidenti i Rajonit Veneto, Rektori i Universiteti IUAV dhe përfaqësues të Komisionit Evropian.
Në këtë Asamble anëtarët e Rrjeteve Hapësinore të BE-së të pranishëm në sallë patën mundësinë që të prezantojnë aktivitetin e institucioneve të tyre me arritjet dhe sfidat e secilit. Gjatë këtij sesioni pjesëmarrësit u informuan mbi aktivitetet dhe arritjet e kaluara, evolucionin e rrjeteve të bashkëpunimit dhe statusin e tyre aktual, duke përfshirë një prezantim mbi rezultatet e marrëveshjes Kuadër të Partneritetit në përvetësimin e përdoruesve të programit të Copernikut (FPCUP).
Anëtarët e Rrjeteve Hapësinore të BE-së dhanë komente dhe diskutuan pritshmëritë e tyre për zhvillimin e Rrjeteve Hapësinore të BE-së si dhe ju propozuan ide, përfaqësuesve të Komisionit Evropian.
Dita e dytë e asamblesë u zhvillua në Universitetin IUAV Venecia (Istituto Universitario di Architettura di Venezia) ku u diskutuan tematikat e mëposhtme:
- Shfrytëzimi i të dhënave hapësinore të BE-së për qëndrueshmërinë bregdetare dhe oqeanike;
- Sigurimi i aseteve hapësinore të Evropës – SSA & STM;
- Situata Hapësinore dhe Menaxhimi i Trafikut Hapësinor të BE-së si komponent kryesor i Programit Hapësinor të BE-së;
- Kapacitet në sektorin hapësinor të BE-së;
- Ruajtja e trashëgimisë kulturore me ndihmën të dhënat hapësinore të BE-së.
Workshop dy ditor i organizuar nga Satellogic në bashkëpunim me ASIG&AKMC
U zhvillua në ambientet e Sallës EUROPA pranë ASIG, në datat 4 dhe 5 Mars 2025 workshop-i dy ditor i organizuar nga Satellogic në bashkëpunim me ASIG dhe AKMC.
Qëllimi i këtij workshop-i ishte prezantimi i produkteve dhe shërbimeve më të reja të kompanisë Satellogic për stafet teknike dhe institucionet përfituese të projektit “Shërbimi Satelitor”.
Pjesëmarrës në këtë workshop ishin përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit të cilët patën mundësi të marrin më shumë informacion mbi teknikat më të fundit inovative në fushën e Remote Sensing, përmirësimet e platformës, rastet e monitorimit në kohë afër reale si dhe planet për zhvillimet e ardhshme.