Pjesëmarrje në workshop-in me temë: “Copernicus Land – Komponenti Pan-Evropian – CLC2018”
Në kuadër të prezantimit të teknikave të reja për krijimin e të dhënave gjeohapësinore për CORINE 2017-2018, u mbajt në datat 22-23 Maj 2018, në Hotel Diplomat 2 Tiranë, një workshop nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), në bashkëpunim me Europian Environmetal Agency (EEA) i titulluar “Copernicus Land – Komponenti Pan-Evropian – CLC2018”.
ASIG u përfaqësua në këtë workshop nga Z.Mikel Millja përgjegjës i sektorit të Standardeve të Gjeoinformacionit i cili sipas axhendës mbajti një prezantim mbi: Funksionin, qëllimin dhe objektivat e ASIG.
Bashkëpunimin ndërmjet ASIG dhe AKM për krijimin e standardit me temë: Mbulesa e tokës.
Krijimi i hartës bazë për hapësirën Tiranë-Durrës
Në kuadër të projektit me JICA (Japan International Cooperation Agency), Sektori i Hartografisë pranë ASIG, vijon inspektimet në terren për ndërtimit e hartës bazë për zonën Tiranë-Durrës .
Është testuar kontrolli i cilësisë së të dhënave për elementët e transportit, përftuar nga rilevimi 3D, inspektimi dhe matja në terren e pikave, llogaritja e diferencës së koordinatave (faktike) të matura me GPS dhe koordinatave të përftuara nga dixhitalizimi 3D.



Marrëveshje bashkëpunimi midis ASIG dhe Statens Kartverk (Autoriteti Norvegjez i Hartografisë)
Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në vijim të një bashkëpunimi të suksesshëm, nënshkroi më 26.04.2018 marrëveshjen e bashkëpunimit institucional me Statens Kartverk (Autoriteti Norvegjez i Hartografisë) në zbatim të projektit të financuar nga Qeveria e Norvegjisë për vendet Ballkanit Perëndimor me objekt: “Rritjen e kapaciteteve të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor në sigurimin e informacionit gjeografik për përdoruesit ” Objektivat e synuara të kësaj marrëveshjeje janë :
1- Rritja e kapaciteteve të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor në sigurimin e informacionit gjeografik për përdoruesit.
2- Zhvillimi i planit dhe versioni i parë i sistemit të integruar të informacionit për zonat bregdetare me testim në një zonë.
3- Zhvillimin e kurikulave për hartografinë dhe kadastrën në sistemin tonë universitar.
Kohëzgjatja e implementimit të projektit është nga Maj 2018 deri në Tetor 2020 me një vlerë prej rreth 730 000 €.
Workshop me Njësitë e Qeverisjes Vendore për përdorimin e Gjeoportalit Kombëtar
ASIG në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe nën asistencën e Projektit IMPULS
organizoi në ambjentet e Hotel Tirana International
workshop-in me temë: “Infrastruktura e Informacionit Gjeohapësinor në Shqipëri –Gjeoportali Kombëtar”, ku morën pjesë përfaqësues nga më shumë se 50 Njësi të Qeverisjes Vendore (Bashkive) të Republikës së Shqipërisë.
Objektivi kryesor i këtij workshop-i ishte prezantimi i shërbimeve të Gjeoportalit Kombëtar dhe përfitimi i specialistëve të bashkive nga përdorimi i tyre.
Drejtori i Përgjithshëm i ASIG z. Lorenc Çala dhe z. Anders Ryder ekspert i projektit IMPULS theksuan nevojën e pasjes së një infrastrukture kombëtare gjeoinformacioni dhe dobinë që ajo sjell në procesin e vendimmarrjes si dhe në kryerjen e funksioneve publike të njësive vendore. Ekspertët e ASIG evidentuan dhe demonstruan online të dhënat dhe shërbimet që ofrohen nëpërmjet Gjeoportalit Kombëtar dhe mundësinë e përdorimit të tyre nga njësitë vendore veçanërisht në parandalimin dhe shmangien e rreziqeve natyrore, planifikimin urban apo çështjet e pronësisë.
Në workshop u demonstruan hapat për regjistrimin e përdoruesve në Gjeoportalin Kombëtar si dhe funksionalitet e shumta që ofron ky portal për përdoruesit publikë dhe privatë.



Zhvillimi i NSDI dhe i Direktivës INSPIRE
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor ( ASIG) morën pjesë në workshop-in e organizuar në datat 03-05 Prill 2018 në Monstar, Bosnie-Herzegovinë me temë: “Zhvillimi i NSDI dhe i direktivës INSPIRE” Në këtë workshop u diskutua mbi forcimin e kapaciteteve institucionale, organizative të organizatave pjesëmarrëse të Rajonit si zhvilluese, menaxhuese dhe kontribuese në platformën NSDI dhe impelmetimin e Direktivës INSPIRE. Përfaqësuesit e ASIG prezantuan situatën dhe rolin e Autoritetit Shtetëror për Informacion Gjeohapësinor në zhvillimin e NSDI dhe INSPIRE, si dhe rëndësinë, vizionin dhe ndikimin e këtij autoriteti në prodhimin e informacionit gjeohapësinor. Pikat kryesore që u diskutuan ishin:
• Legjislacioni (ligjet kombëtare mbi INSPIRE, liçensimi, kushtet e shpërndarjes së të dhënave)
• Kostot financiare të implementimit
• Zhvillimi i Gjeoportalit Kombëtar, niveli Arkitekturor Software-ik, vlefshëria, dobishmëria e përdorimit të Gjeoportalit Kombëtar.
Kapacitetet për ndërtimin e NSDI në Shqipëri, përparësitë, dobësitë, mundësitë dhe rreziqet mbi zbatimin e NSDI dhe implementimin e Direktivës INSPIRE.

Pjesëmarrje në workshop-in mbi koordinimin e NSDI
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në workshop-in e organizuar në kuadër të projektit “IMPULS” me temë: “Zhvillimi i proceseve të koordinimit dhe njohja në punë me modelet e shpërndarjes së të dhënave”. Në këtë workshop të mbajtur me 27-29 Mars, në Gavle të Suedisë, janë prezantuar arritjet e secilit shtet, pjesëmarrës i projektit “IMPULS”, në fushën e krijimit infrastrukturës së të dhënave gjeohapësinore, dhe veçanërisht roli dhe përgjegjësitë e strukturave koordinuese.
Në fokus të aktiviteteve ka qenë prezantimi i strukturës organizative koordinuese, për implementim të NSDI në secilin vend, respektivisht i Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG). Gjithashtu në këtë workshop, përfaqësuesit e ASIG kanë prezantuar modelin e krijuar për shpërndarjen e të dhënave nëpërmjet shërbimeve online të Gjeoportalit Kombëtar.
Publikohen harta të Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimit
ASIG ka publikuar, në Gjeoportalin Kombëtar, harta të vëna në dispozicion nga Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit (AQTN) “Planshet e shkallës 1:500, për qytetin e Tiranës, e vitit1980” Këto planshete janë ndërtuar me metodën takeometrike nga ish ndërmarrja Gjeologji-Gjeodezi. Qëllimi kryesor i krijimit të këtyre plansheteve ishte krijimi i hartave dhe planeve për territoret ku shtriheshin qytetet dhe veprat e mëdha inxhinierike, në shkallë 1:500 dhe 1:1000. Qëllimi i publikimit të tyre, nga ASIG, është për t’iu ardhur në ndihmë institucioneve edhe publikut, kryesisht për çështje të planifikimit dhe pronësisë. Më shumë informacion mund të merrni, në metadatën e shtresës “Tirana 1980 (AQTN)”, në linkun:
https://geoportal.asig.gov.al/geonetwork/srv/alb/catalog.search?auto=true#/metadata/abfb3644-2f0d-4024-864c-0629b04a0e34
Workshop mbi Menaxhimin e Rreziqeve Natyrore
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor morën pjesë në workshop-in me temë “Menaxhimi i rreziqeve natyrore” i organizuar nga Misioni i Programit IPA DRAM në datat 26-27 Shkurt 2018, në ambientet Hotel Tirana International, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile. Çështjet kryesore që u trajtuan në këtë workshop ishin:
1- Përshkrime të përgjithshme mbi konceptet e riskut, rreziqeve natyrore dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore.
2- Trajnim për plotësimin e të dhënave në programin e Desinventarit (versioni i ri i softit), i cili mundëson lidhjen e informacioneve për fatkeqësitë natyrore me pozicionimin gjeografik.
3- Vlerësimi i riskut dhe menaxhimi i fatkeqësive me anë të simulimit të disa rasteve konkrete sipas metodikave të ndryshme.

Mbas 25 vitesh vihet në funksionim stacioni i ri Mareografik
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), i ngarkuar nga ligji nr. 72/2012,
“Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, si autoritet përgjegjës për krijimin dhe mirëmbajtjen e Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare ka hartuar projektin e Rrjetit Mareografik në Republikën e Shqipërisë.
Në funksion të plotësimit të kësaj detyre ASIG ka filluar implementimin e këtij projekti me vënien në funksionim të Mareografit në Kepin e Palit (Durrës), pas 25 vitesh mungesë të informacionit mbi monitorimin e nivelit mesatar të detit. Ky projekt po zbatohet në kuadër të ndihmës norvegjeze, nëpërmjet projektit ALNO-HIP, që ka si synim ndërtimin e dy stacioneve mareografike në Durrës dhe Sarandë. Parashikohet që brenda muajit prill të këtij viti të vihet në funksionim edhe stacioni i Sarandës. ASIG gjithashtu parashikon, që me fondet e vëna në dispozicion nga qeveria shqiptare, të ndërtojë dhe instalojë edhe dy stacione të tjera mareografike (Shëngjin dhe Orikum), e gjithë kjo në kuadrin e realizimit të projektit kombëtar të rrjeteve gjeodezike. Këto stacione do të përmbushin një boshllëk shumëvjeçar mbi të dhënat e nivelit të detit në bregdetin shqiptar, të domosdoshme si të dhëna bazë për krijimin e Referencës Gjeodezike Shqiptare. Gjithashtu të dhënat që do të gjenerohen, analizohen dhe publikohen i shërbejnë plotësimit të kërkesave të shumë agjencive: institucione shtetërore, pushtetit vendor dhe ndërkombëtare që merren me studimin e dinamikës së Bregdetit Shqiptar. Të dhënat nga mareografët e instaluar në vijën bregdetare do të transmetohen nëpërmjet një linje komunikimi online nga stacionet tek qendra e kontrollit pranë ASIG. Më pas këto të dhëna do t’iu nënshtrohen përpunimeve dhe analizave përkatëse për llogaritjen e nivelit mesatar të detit, LAT etj. të cilat do të publikohen nëpërmjet një shërbimi të dedikuar në faqen zyrtare të ASIG.

