ASIG bëhet pjesë e Thirrjes X të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës

Në kuadër të edicionit 2025 të këtij programi, Autoriteti Shtetëror për Informacion Gjeohapësinor do të mirëpresë praktikantë të rinj, të cilët janë të interesuar të fitojnë përvojë praktike në një institucion publik dhe të kontribuojnë në fushën e teknologjisë dhe informacionit gjeohapësinor.

✅ Jeni 21–29 vjeç?

✅ Jeni të diplomuar në një program studimi të ciklit të parë (Bachelor) apo të ciklit të dytë (Master), të ofruar nga një institucion i arsimit të lartë?

✅ Doni të përfitoni eksperiencë?

🗓 Praktika zhvillohet nga shtatori deri në dhjetor 2025.

📍 Aplikimet janë të hapura nga 27 qershori deri më 10 gusht vetëm online në: 🔗 praktika.riniafemijet.gov.al

💡 Nëse jeni të interesuar për një praktikë pranë ASIG, mos hezitoni të aplikoni!

ASIG organizon workshop-in me temë “Katalizatori i njohurive të UAS”

 

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG)  zhvilloi me sukses më 19 Qershor workshop-in me temë “Katalizatori i njohurive të UAS”,  në kuadër të projektit SOFTMOVE i dedikuar rolit të Sistemeve Ajrore Pa Pilot (UAS) në nxitje të njohurive, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik në zonën e Adriatikut Jugor.

ASIG si partner së bashku me DTA Distretto Tecnologico Aerospaziale (Lead Partner, Rajoni i Puglias, Itali) dhe NVU Digital Den (Mal i Zi) bëri bashkë në këtë aktivitet profesionistë nga sektori publik, privat, akademik, SME-të dhe Startup-et, duke krijuar një hapësirë bashkëpunimi ndër sektoriale për të eksploruar përdorimin e teknologjisë së dronëve në kontekste të ndryshme zhvillimi.

Pjesëmarrësit në këtë workshop u njohën me llojet dhe komponentët kryesorë të UAS, funksionimin teknik të tyre si dhe mënyrën sesi kjo teknologji mund të shërbejë si katalizator për efikasitetin dhe qëndrueshmërinë në fusha si transporti, industria, arsimi dhe kërkimi shkencor.

Në fokus të këtij takimi ishin gjithashtu mbledhja dhe analizimi i të dhënave përmes sistemeve GIS, inteligjencës artificiale dhe shërbimeve të avancuara, si dhe kuadri ligjor që rregullon këto teknologji.

Workshop-i shërbeu si një platformë frymëzuese për rritjen e kapaciteteve, promovimin e aplikacioneve novatore dhe përshpejtimin e tranzicionit digjital, duke theksuar rolin kyç të UAS në përballimin e sfidave të kohës.

“Thirrje për Aplikim ndaj Profesionistëve për Trajnim, në kuadër të PROJEKTIT SOFTMOVE INTERREG IPA PROGRAMI I ADRIATIKUT TË JUGUT 2021-2027. KODI SA 0100225”

Ky njoftim synon të përzgjedhë profesionistë nga sektorët e industrisë së dronëve, lëvizshmërisë urbane, menaxhimit të inovacionit dhe zhvillimit të startup-eve nga zona e Programit INTERREG SOUTH ADRIATIC (Puglia, Shqipëria dhe Mali i Zi), për të marrë pjesë në aktivitete të specializuara trajnimi.

Konkretisht, 16 pjesëmarrës: 6 nga Mali i Zi, 5 nga Italia dhe 5 nga Shqipëria.

Ky trajnim do të zhvillohet në datat 7-10 Korrik 2025, në Podgoricë, Mali i Zi.

Si pjesë e projektit SOFTMOVE, kjo iniciativë synon të forcojë kapacitetet rajonale në menaxhimin, zhvillimin dhe promovimin e modeleve inovative të biznesit dhe partneriteteve publik-private në fushën e teknologjive të dronëve dhe lëvizshmërisë ajrore urbane.

Ky trajnim i synuar do të përqendrohet në menaxhimin, zhvillimin e biznesit, kornizat rregullatore dhe zbatimin praktik të teknologjive të dronëve, duke i pajisur pjesëmarrësit me aftësi dhe njohuri praktike thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit dhe integrimin e lëvizshmërisë inteligjente.

Projektit SOFTMOVE përfshin partnerët e mëposhtëm:

  • Distretto Tecnologico Aerospaziale (DTA);
  • DigitalDen (DD);
  • Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG).

Gjatë sesioneve, ekspertët do t’u japin mësim pjesëmarrësve nga zona e pranueshme e Programit INTERREG SOUTH ADRIATIC (Puglia, Shqipëria dhe Mali i Zi) mbi temat:

  • Nga ideja, në treg – Inovacioni;
  • Startup-et dhe modelet e biznesit;
  • Ndërtimi i një gjuhe të përbashkët për lëvizshmërinë ajrore urbane;
  • Hartimi i rrugëve bashkëpunuese për zbatim;
  • Korniza rregullatore,
  • Praktikat më të mira.
Kushtet për përzgjedhjen e aplikantëve, procedurat e dorëzimit të aplikimit si dhe metodat e vlerësimit i gjeni në materialin e thirrjes për pjesëmarrje, bashkë me formularët e aplikimit dhe draft agjendën e trajnimit në link-et më poshtë:
Të gjithë kandidatët mund të dorëzojnë aplikimet e tyre nëpërmjet email-it:
bojana.tosic@digitalden.me  dhe nina.milic@digitalden.me 
Afati final i aplikimeve është data 17 Qershor 2025.

ASIG merr pjesë në Takimet B2B në kuadër të projektit SOFTMOVE

Në vazhdën e aktiviteteve që po zhvillohen në kuadër të projektit SOFTMOVE ku ASIG është partner, u zhvilluan më 3 dhe 4 Qershor takime B2B në qytetin e Barit, Itali.

Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor nga Sektori i Projekteve bënë bashkë në këto takime një grup ekspertësh, menaxherësh projektesh, sipërmarrës të ndryshëm nga Shqipëria që kanë të bëjnë me Unmanned Aeria Systems (UAS) ku në fokus ishin dy tema kryesore:

• Ofrimi i shërbimeve Lifestyle – Zhvillimi i një kulture të re të transportit të biznesit;
• Integrimi i transportit publik dhe politikave urbane në menaxhimin e Qyteteve Inteligjente.

Në prezantimin e tij gjatë këtij takimi z. Kleart Shuli nga ASIG i njohu të pranishmit me punën e bërë nga ky institucion në mbledhjen, përpunimin, përditësimin dhe aksesueshmërinë e të dhënave gjeohapësinore, rëndësinë që ato kanë për vendimmarrje të drejta në sektorë të ndryshëm si planifikimi urban, turizmi, mbrojtja e mjedisit, siguria kombëtare, rimëkëmbja nga fatkeqësitë etj..

Pjesë e rëndësishme e këtyre diskutimeve ishte roli transformues i Sistemeve Ajrore pa Pilot (UAS) dhe përdorimi i tyre në qytetet inteligjente, duke nxitur inovacionin dhe zgjidhjet praktike për sfidat urbane.

Ekipet përfaqësuese nga Shqipëria, Italia dhe Mali i Zi gjatë këtyre dy ditëve patën mundësi të shkëmbejnë idetë dhe praktikat më të mira mbi çështje si mobiliteti inteligjent, digjitalizimi i shërbimeve dhe nevojat e qytetarëve lidhur me transportin urban.

ASIG së bashku me partnerët e tij mbetet i angazhuar për të forcuar bashkëpunimin ndërkufitar dhe për të shfrytëzuar potencialin e plotë të teknologjisë gjeohapësinore dhe UAS për zhvillimin e qyteteve inteligjente.

ASIG merr pjesë në takimin e dytë të Komunitetit Koordinues Teknik për projektin NFFIS-Nbs DRR mes AKMC dhe JICA

U zhvillua me sukses takimi i dytë i Grupit Teknik të Koordinimit (TCG) organizuar nga AKMC në bashkëpunim me JICA, në kuadër të zbatimit të projektit “Ndërtimi i Kapaciteteve për Sistemin Kombëtar të Informacionit për Zjarret në Pyje (NFFIS) dhe Zgjidhjeve të Bazuara në Natyrë”. Ky sistem inovativ synon të forcojë kapacitetet e Shqipërisë në parandalimin, monitorimin dhe reagimin ndaj zjarreve në pyje. NFFIS do të jetë një platformë digjitale që siguron paralajmërim të hershëm, monitorim në kohë reale dhe raportim të standardizuar të zjarreve në pyje, duke ndihmuar në vendimmarrje të shpejtë dhe efikase.

Gjatë takimit u diskutua për progresin e deritanishëm, përgatitjen e dokumenteve teknike e metodologjinë, si dhe sfidat në mbledhjen e të dhënave nga institucionet përkatëse. U theksua gjithashtu rëndësia e standardizimit të raportimit të incidenteve dhe ndërtimit të një strukture të qëndrueshme për operimin dhe mirëmbajtjen e sistemit.

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet ASIG dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës

U nënshkrua dje më 02.06.2025, në ambientet e Universitetit Bujqësor  të Tiranës marrëveshja e bashkëpunimit mes Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), i përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm znj. Vlima Tomço dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) i përfaqësuar nga Rektori z. Fatbardh Sallaku.

Kjo marrëveshje konsiston në disa pika kyçe si;

  1. Angazhim i përbashkët në projektin “Krijimi i Qendrës së Gjeoinformacionit për Zhvillim të Qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor”,
  2. Zbatim i projekteve kërkimore kombëtare dhe ndërkombëtare,
  3. Nxitje dhe realizim i veprimtarive të përbashkëta në fushën e arsimit të lartë,
  4. Shkëmbim i njohurive, përfshirë literaturë profesionale, tekste mësimore dhe botime universitare,
  5. Shkëmbim i materialeve dhe rezultateve të punës studimore dhe kërkimore,
  6. Sigurim i hapësirave për zhvillimin e praktikave profesionale mësimore.

Me qëllimi formalizimin e kuadrit të bashkëpunimit ndërmjet ASIG dhe UBT falë kësaj  marrëveshje synohet përdorimi dhe shkëmbimi sa më efikas i informacionit ndër institucional, forcimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore nëpërmjet përgatitjes së specialistëve të rinj në përputhje me prioritetet e zhvillimit kombëtar si dhe promovimi i përdorimit të teknologjisë bashkëkohore në fushën e gjeoinformacionit.

 

ASIG organizon workshop-in me temë “Katalizatori i njohurive të UAS”

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) si partner në projektin SOFTMOVE, të bashkë financuar nga Programi Interreg IPA South Adriatic 2021-2027, i Bashkimit Evropian nëpërmjet Instrumenteve të Para-Anëtarsimit (IPA III), do të organizojë më 19 Qershor 2025, në Tiranë, Shqipëri, Workshop-in me temë “Katalizatori i njohurive të UAS”.

Partnerë të projektit SOFTMOVE së bashku me ASIG, janë gjithashtu DTA Distretto Tecnologico Aerospaziale (Lead Partner, Rajoni i Puglias, Itali) dhe NVU Digital Den (Mal i Zi).

Në këtë workshop përmes pjesëmarrjes së profesionistëve nga sektori publik, privat, akademia, SME-të, Startup-et të zonës së Adriatikut Jugor, do të eksplorohet roli kyç i Sistemeve Ajrore Pa Pilot (UAS) në zhvillimin e njohurive, ekspertizën, inovacionin dhe ndikimin e tyre transformues në të gjithë sektorët e zhvillimit dhe ekonomisë.

ASIG merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të EuroGeographics

Asambleja e Përgjithshme Vjetore e EuroGeographics këtë vit përkoi me 25 vjetorin e krijimit të kësaj organizate. Drejtues të lartë të autoriteteve gjeohapësinore, të vendeve anëtare të EuroGeographics u mblodhën në qytetin e Rigës, në Letoni, më 18-20 Maj 2025.

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG)  u përfaqësua në ketë event nga:

  • Vilma Tomço – Drejtor i Përgjithshëm i ASIG,
  • Kristaq Qirko – Drejtor i Drejtorisë së Gjeodezisë dhe Hartografisë në ASIG
  • Klaudio Çollaku – Drejtor i Drejtorisë së GIS-it Kombëtar dhe Gjeoportalit në ASIG.

Tema kryesore e eventit ishte: “Përballimi i sfidave për një të ardhme më të sigurt”, duke adresuar sfida të shumta si; transformimi digjital, zhvillimet e inteligjencës artificiale, siguria dhe barazia institucionale.

Pikat kryesore të agjendës së sesionit ku ASIG mori pjesë ishin:

  • Prezantime të nivelit të lartë nga përfaqësues të Komisionit Evropian, agjencive gjeohapësinore dhe institucioneve homologe;
  • Sesioni i shkëmbimit të njohurive mes Drejtorëve të Përgjithshëm;
  • Diskutime mbi; sfidat globale, inteligjencën artificiale, gjeodezinë dhe politikat e të dhënave të hapura kundrejt sigurisë;
  • Votime për buxhetin e vitit 2025, strategjitë e anëtarësimit dhe zgjedhja e presidentit të ri të EuroGeographics.

Pjesëmarrja e ASIG në këtë aktivitet ishte një mundësi e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit institucional, rritjen e kapaciteteve dhe përfaqësimin e Shqipërisë në rrjetin më të madh evropian të institucioneve gjeohapësinore.

 

ASIG merr pjesë në seminarin rajonal “Ndërtimi i Kapaciteteve për Sistemin Kombëtar të Informacionit për Zjarret në Pyje (NFFIS) dhe Zgjidhjeve të Bazuara në Natyrë”

Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në seminarin rajonal të zhvilluar në Prizren, në datat 12–15 maj 2025, në kuadër të projektit “Ndërtimi i Kapaciteteve për Sistemin Kombëtar të Informacionit për Zjarret në Pyje (NFFIS) dhe Zgjidhjeve të Bazuara në Natyrë”, në mbështetje të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC),  i financuar nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA).

Seminari kishte për qëllim ndërtimin e kapaciteteve institucionale për sistemin kombëtar të informacionit për zjarret në pyje (NFFIS) dhe promovimin e zgjidhjeve të bazuara në natyrë (Eco-DRR). Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, të cilët ndanë përvojat e tyre në zhvillimin dhe përdorimin e platformave digjitale për monitorimin dhe menaxhimin e rrezikut nga zjarret dhe erozioni.

Në sesionet e seminarit u prezantuan projektet rajonale të JICA, përfshirë platformat kombëtare si Macedonian Forest Fire Information System (MKFFIS), Montenegrin Forest Fire Information System (MEFFIS), National Forest Fire Information System (NFFIS), si dhe shembuj konkretë të masave të ndërmarra për reduktimin e rreziqeve përmes ndërhyrjeve ekologjike. Pjesë e seminarit ishte edhe një vizitë në terren në komunën e Dragashit, ku pjesëmarrësit u njohën me masat praktike të ndërmarra për reduktimin e rrezikut në zonat e goditura nga ortekët dhe zjarret, përmes ndërhyrjeve ekologjike si pyllëzimi, tarracimi dhe vendosja e strukturave mbrojtëse.

Seminari shërbeu për të theksuar rëndësinë e shkëmbimit të njohurive dhe përvojave, si dhe rolin i zgjidhjeve të qëndrueshme të bazuara në natyrë për një menaxhim më efikas dhe afatgjatë të rreziqeve klimatike dhe natyrore.

 

Korniza Referuese Gjeodezike dhe Modelimi i Gjeoidit në Republikën e Shqipërisë

Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) organizuan më 17.04.2025, në ambientet e Akademisë workshopin me temë: “Korniza Referuese Gjeodezike dhe Modelimi i Gjeoidit në Republikën e Shqipërisë”.

ASIG  si institucion përgjegjës për projektimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe përditësimin e Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH) që nga viti 2014 është angazhuar në hartimin e projekteve teknike të detajuara të nevojshme dhe implementimin e tyre për ndërtimin e rrjeteve në përbërje të KRGJSH-së, për t’i mundësuar Shqipërisë krijimin e bazës unike gjeodezike që mbështetet totalisht në teknologjinë GNSS dhe në llogaritjen e gjeoidit me rezolucion dhe saktësi të lartë për përcaktimin me efikasitet të pozicionit të saktë horizontal dhe vertikal të pikave të ndryshme në sipërfaqen e tokës.

Gjatë këtij eventi u prezantua Korniza Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH) nga specialistët e ASIG, bashkëpuntorët nga Instituti i Gjeoshkencave (IGEO) dhe Universiteti “Aristotel” i Selanikut (AUTH).

Temat e prezantuara ishin:

    • Implementimi i Kornizës Referuese Gjeodezike Moderne në Republikën e Shqipërisë,
    • Implementimi i Rrjetit Gjeodezik Aktiv (ALBCORS) në Republikën e Shqipërisë,
    • Karakteristikat e zhvendosjes tektonike aktuale të Shqipërisë bazuar në të dhënat GNSS,
    • Modeli gravimetrik dhe hibrid i Gjeoidit në Republikën e Shqipërisë.

Në përfundim të këtij eventi pjesëmarrësit nga bota akademike falënderuan dhe vlerësuan punën e kryer nga ASIG për implementimin e projekteve të rrjeteve të KRGJSH-së dhe llogaritjen e gjeoidit për herë të parë në Republikën e Shqipërisë.