Telefon: +355 4 223 6762

Nën organizimin e JICA(Japan International Cooperation Agency), u mbajt më 23.05.2019, në ambientet e sallës Europa, takimi mbi ecurinë e projektit “Informacioni Gjeohapësinor për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit në zonën me intensitet të lartë zhvillimi Tiranë-Durrës”. Në këtë takim ishin të pranishëm, shkëlqesia e tij ambasadori i Japonisë, Makoto Ito, përfaqësues të zyrës për Ballkanin të JICA, stafi i Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), si dhe profesorë dhe studentë të Universitetit Politeknik të Tiranës nga departamenti i Gjeodezisë.

Qëllimi i këtij takimi ishte paraqitja e ecurisë së projektit që ASIG po zhvillon me JICA, si dhe eksperienca që studentët praktikantë pranë ASIG, po marrin nga ky bashkëpunim në lidhje me ofrimin e njohurive bazë në fushën e hartografisë, fotogrametrisë dhe përdorimit të teknologjive bashkohore në fushën e gjeoinformacionit.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i përgjithshëm i ASIG z. Lorenc Çala falënderoi ekipin e JICA për punë e bërë deri tani në lidhje me këtë projekt, listoi disa arritje të finalizuara nga ky bashkëpunim, si dhe theksoi domosdoshmërinë që kanë shkëmbime të tilla eksperiencash si kjo me qeverinë japoneze, jo vetëm për institucionin e ASIG, por edhe për fushën akademike dhe brezin e ri të studentëve të gjeodezisë.

Shkëlqesia e tij ambasadori i Japonisë, Makoto Ito, në fjalën e tij vlerësoi mbështetjen që qeveria japoneze ka dhënë dhe do të japë për Shqipërinë, përgëzoi të dy ekipet e JICA dhe ASIG për punën e bërë në lidhje me projektin në fjalë, si dhe rëndësinë e krijimit të mundësive për eksperienca praktike për studentët e sapo diplomuar.

Në këtë takim përshëndetën gjithashtu përfaqësues të Universitetit Politeknik të Tiranës si dhe studentë të këtij universiteti të cilët me anë të një prezantimi paraqitën eksperiencën e tyre gjatë praktikës mësimore pranë ASIG, me ekipin e JICA.

Twitter