Në simpoziumin e fundit shkencor “IAG Symposia” të Shoqatës Ndërkombëtarë të Gjeodezisë IAG (International Association of Geodesy), botim i Springer Nature, është publikuar modeli kombëtar i gjeoidit të Shqipërisë, ALBGEOID2024.
Ky publikim tregon se ALBGEOID2024 ka kaluar me sukses procesin e vlerësimit nga ekspertë të huaj të fushës, duke certifikuar besueshmërinë, cilësinë dhe vlefshmërinë shkencore të tij.
Seria “IAG Symposia” përfshin kontributet më të spikatura të simpoziumeve të Shoqatës Ndërkombëtarë të Gjeodezisë (IAG) dhe trajton temat themelore të gjeodezisë globale si:
– Kornizat referuese gjeodezike,
– Fusha e gravitetit të Tokës,
– Gjeodinamika dhe rrotullimi i Tokës,
– Pozicionimi dhe aplikimet inxhinierike.
Publikimi i Modelit ALBGEOID2024 në këtë seri prestigjioze e vendos Shqipërinë në hartën e kontributeve ndërkombëtare në fushën e gjeodezisë dhe përfaqëson një hap të madh përpara drejt ndërtimit të një infrastrukture gjeohapësinore kombëtare të unifikuar dhe të besueshme.
Ky model do të shërbejë si baza mbështetëse për një referencë gjeodezike vertikale moderne me një saktësi të lartë, e cila do të përmirësohet më tej përmes:
– Dendësimit të rrjetit gravimetrik të rendit të tretë,
– Shtrirjes së rrjetit të nivelimit të rendit të parë.
Duke mbuluar të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë në përputhje me standardet më të avancuara evropiane dhe ndërkombëtare, Modeli ALBGEOID2024 është rezultat i përdorimit të teknikave bashkëkohore për modelimin e fushës së gravitetit, si dhe integrimit të të dhënave nga burime të ndryshme, përfshirë:
– Matjet gravimetrike tokësore,
– Modelet gjeopotenciale globale dhe altimetrike,
– Modelet dixhitale të terrenit (DTM) lokale dhe globale,
– Matjet GNSS dhe të nivelimit.
Ky kombinim i të dhënave ka mundësuar ndërtimin e një modeli me cilësi të lartë shkencore dhe besueshmëri të plotë, të përshtatshëm për një gamë të gjerë aplikimesh praktike dhe shkencore.
Tekstin e plotë shkencor mund ta lexoni në link-un më poshtë. https://link.springer.com/chapter/10.1007/1345_2025_289