Trajnim në kuadër të bashkëpunimit ASIG-ASPA “Aplikimet e Imazherisë Satelitore për Përpunimin e të Dhënave Gjeohapësinore”

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), zhvilloi më datë 12.03.2026 trajnimin me temë “Aplikimet e Imazherisë Satelitore për Përpunimin e të Dhënave Gjeohapësinore”, me pjesëmarrjen e stafeve teknike nga institucione të administratës publike.

Ky trajnim është pjesë e kurrikulave të specializuara të hartuara nga ekspertët e ASIG për rritjen e kapaciteteve të administratës publike në përdorimin dhe menaxhimin e të dhënave gjeohapësinore.

Gjatë sesioneve të këtij trajnimi, u trajtuan konceptet kryesore të imazherisë satelitore dhe aftësimi i stafeve teknike të institucioneve pjesëmarrëse, në përdorimin praktik dhe analizimin e këtyre imazheve përmes metodave të avancuara dhe integrimit të tyre me sistemet GIS.

Ekspertët e ASIG zhvilluan trajnimin në mbështetje të administratës publike në drejtim të zhvillimit të aftësive të avancuara për analizë, interpretim dhe përdorim të të dhënave gjeohapësinore në funksion të vendimmarrjes së bazuar në evidencë.

Të gjithë pjesëmarrësit në trajnim do të pajisen me certifikatë nga ASPA.

 

 

Trajnim me stafet teknike të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nismës për rritjen e kapaciteteve në menaxhimin dhe përdorimin e informacionit gjeohapësinor, zhvilloi sot më 12.03.2026, një trajnim të dedikuar për stafin teknik të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK). Qëllimi i trajnimit ishte të forconte kapacitetet e stafit për menaxhimin dhe standardizimin e të dhënave gjeohapësinore në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, në përputhje me kuadrin ligjor dhe standardet e gjeoinformacionit.

Gjatë trajnimit u trajtua përdorimi i funksionaliteteve të Gjeoportalit Kombëtar për aksesimin e të dhënave të publikuara, analiza dhe harmonizimi i të dhënave ekzistuese nga dokumentet e planifikimit dhe shoqëritë rajonale, standardizimi i të dhënave për rrjetin e shpërndarjes së ujit dhe kanalizimeve, si dhe përdorimi praktik i modulit Editor për krijimin dhe përditësimin e të dhënave.

 

Trajnim në kuadër të bashkëpunimit ASIG-ASPA “Infrastruktura Kombëtare e Ofrimit të të Dhënave dhe Shërbimeve Gjeohapësinore”

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), zhvilloi më datë 05.03.2026 trajnimin me temë “Infrastruktura Kombëtare e Ofrimit të të Dhënave dhe Shërbimeve Gjeohapësinore”, me pjesëmarrjen e stafeve teknike nga institucione të administratës publike dhe njësive të vetëqeverisjes vendore.

Ky trajnim është pjesë e kurrikulave të specializuara të hartuara nga ekspertët e ASIG për rritjen e kapaciteteve të administratës publike në përdorimin dhe menaxhimin e të dhënave gjeohapësinore. Gjatë sesionit u trajtuan konceptet kryesore mbi funksionimin e Infrastrukturës Kombëtare të të Dhënave Gjeohapësinore (NSDI), rolin e saj në standardizimin dhe shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve, si dhe rëndësia e metadatave dhe e shërbimeve të rrjetit për publikimin dhe shpërndarjen e të dhënave gjeohapësinore.

Në pjesën praktike të trajnimit u prezantuan funksionalitetet kryesore të Gjeoportalit Kombëtar, duke përfshirë kërkimin, vizualizimin dhe përdorimin e të dhënave gjeohapësinore. Të gjithë pjesëmarrësit në trajnim do të pajisen me certifikatë nga ASPA.

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes ASIG dhe AZHBR

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim forcimin e koordinimit institucional për përdorimin dhe shkëmbimin efektiv të informacionit gjeohapësinor, në funksion të krijimit dhe zhvillimit të Sistemit të Identifikimit të Parcelave të Tokës (LPIS).

Ky sistem i integruar do të shërbejë për identifikimin dhe menaxhimin e zonave bujqësore përmes ortofotove, imazheve satelitore dhe të dhënave të tjera gjeohapësinore, në përputhje me kërkesat e politikës së përbashkët bujqësore të Bashkimit Evropian.

Zbatimi i kësaj marrëveshjeje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor dhe përmbushjes së standardeve evropiane në sektorin bujqësor, duke kontribuar në digjitalizimin dhe modernizimin e administrimit të skemave në bujqësi.

Trajnim me stafin teknik të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nismës për rritjen e kapaciteteve në menaxhimin dhe përdorimin e informacionit gjeohapësinor, zhvilloi sot një trajnim të dedikuar për stafin teknik të sektorit të Administrimit të Regjistrit Kombëtar të Adresave, të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.

Gjatë këtij trajnimi, ASIG ofroi asistencë teknike për standardizimin dhe saktësimin e të dhënave GIS për temën “Sistemi i adresave”, si dhe trajtoi aspektet e përdorimit praktik të Gjeoportalit Kombëtar për aksesimin, menaxhimin dhe vizualizimin e të dhënave gjeohapësinore.

Vizitë e përfaqësuesve të EuroGeographics në ASIG

Përfaqësues të lartë drejtues të EuroGeographics znj. Sallie Payne Snell, Sekretare e Përgjithshme dhe Drejtoreshë Ekzekutive e EuroGeographics,  dhe znj. Patricia Sokacova, menaxhere e Anëtarësimit dhe Komunikimit zhvilluan sot një vizitë në ambientet e ASIG.

Drejtori i Përgjithshëm znj. Vilma Tomço pasi prezantoi progresin e ASIG i njohu gjithashtu ato me zhvillimin dhe konsolidimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor, shërbimet digjitale dhe iniciativat strategjike të ASIG në fushën e gjeoinformacionit.

Takimi shërbeu gjithashtu si një mundësi shkëmbimi pikëpamjesh mes ASIG dhe EuroGeographics mbi perspektivat e bashkëpunimit në të ardhmen, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe harmonizimin me standardet evropiane në menaxhimin dhe shpërndarjen e të dhënave gjeohapësinore.

Kjo vizitë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe integrimit të mëtejshëm të ASIG në rrjetet evropiane të gjeoinformacionit.

Zhvillohet takim mes ASIG dhe përfaqësuesve të Misionit Këshillimor të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile (UCPM)

Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG)  zhvilluan dje në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), një takim me përfaqësues të Misionit Këshillimor të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile (UCPM), me fokus rolin dhe kontributin e produkteve të shërbimit satelitor në menaxhimin e emergjencave civile.

Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e përdorimit të të dhënave satelitore për evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga zjarret, si dhe për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të tyre, si një mjet kyç për rritjen e gatishmërisë dhe reagimit efektiv ndaj fatkeqësive natyrore.
Ky bashkëpunim përforcon angazhimin e përbashkët të këtyre institucioneve për forcimin e kapaciteteve kombëtare dhe përdorimin e teknologjive avancuara në shërbim të mbrojtjes së jetës, mjedisit dhe pronës.

NJOFTIM I RËNDËSISHËM

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) ju informon se tashmëtë gjithë përdoruesit e regjistruar në Gjeoportalin Kombëtar kanë mundësi të përdorin shërbimin ATOM për shkarkimin e dataset-eve të përgatitura, të organizuara sipas temave përkatëse.
Të dhënat janë të aksesueshme në faqen zyrtare të Gjeoportalit Kombëtar, në rubrikën,
Të Dhëna ➝ Të dhënat e përgatitura
(www.geoportal.asig.gov.al)
Përdoruesit që nuk janë ende të regjistruar mund të kryejnë regjistrimin përmes formularit elektronik në Gjeoportalin Kombëtar ose të aksesojnë shërbimin duke përdorur kredencialet e-Albania.
Për një orientim më të detajuar mbi funksionimin e shërbimit ATOM,  ju rekomandojmë të ndiqni tutorialin shpjegues të publikuar më poshtë.
E RËNDËSISHME:
Për përdorim korrekt të shërbimit ATOM dhe shkarkim të suksesshëm të të dhënave, rekomandohet përdorimi i shfletuesit Mozilla Firefox. Funksionimi i shërbimit në shfletues të tjerë nuk garantohet plotësisht.

 

Tutorial mbi shërbimin e shkarkimit me ATOM Service.

ASIG merr pjesë në workshop-in e organizuar në kuadër të projektit EBSEC

Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) nga Drejtoria e Përpunimit të të Dhënave Remotsensing, morën pjesë në workshop-in me temë “Përmirësimi i sigurisë kufitare kroate përmes integrimit të vëzhgimit tokësor satelitor dhe operacioneve tradicionale të survejimit nga organet e rendit” organizuar në kuadër të projektit Earth Observation for Border Security “EBSEC”.

Ky workshop u zhvillua në ambientet e Institutit “Ruđer Bošković” (RBI), Zagreb, Kroaci në datat 10–11 dhjetor 2025 dhe kishte si qëllim rritjen e njohurive dhe shkëmbimin e përvojave mbi përdorimin e vëzhgimit të tokës (EO-Earth Observation), sistemeve GIS dhe analizave gjeohapësinore në sigurinë kufitare dhe menaxhimin e migracionit të paligjshëm.

Ky aktivitet dy ditor bëri bashkë përfaqësues të institucioneve shtetërore, akademike dhe organizatave ndërkombëtare nga rajoni dhe më gjerë, për të diskutuar integrimin e të dhënave satelitore me metodat tradicionale të zbatimit të ligjit. Aktivitetin u hap me fjalën përshëndetëse të përfaqësuesve të Institutit Ruđer Bošković, ESA (European Space Agency) dhe drejtuesve të projektit EBSEC, duke vijuar me prezantimin e aktiviteteve kërkimore të ESA në fushën e sigurisë dhe një pasqyrë të rezultateve të projektit EBSEC.

Përfaqësuesi i ASIG i njohu të pranishmit me aktivitetin e këtij institucioni, arritjet e deritanishme në fushwn e gjeoinformacionit si dhe prezantimin e materialit mbi “Sfidat dhe mundësitë aktuale në menaxhimin e migracionit në Shqipëri, me fokus në Imazherinë Satelitore dhe kontributin e saj në sigurinë e kufirit.

 

 

ASIG merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare OGC iDays 2025

Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në Konferencën Ndërkombëtare OGC iDays 2025, e organizuar nga Open Geospatial Consortium (OGC), në Frankfurt, Gjermani, me fokus në zhvillimet më të fundit në fushën e të dhënave gjeohapësinore, inteligjencës artificiale dhe Digital Twins.

Konferenca bëri bashkë institucione të rëndësishme evropiane  e ndërkombëtare, ekspertë të gjeoinformacionit të cilët adresuan tema si INSPIRE 2.0European Data SpacesSmart CitiesDigital Twin dhe diskutuan mbi rolin e teknologjive gjeohapësinore në mbështetje të planifikimit, klimës dhe vendimmarrjes publike.

Pjesëmarrja e ASIG në këtë aktivitet forcoi angazhimin e institucionit për harmonizimin me politikat dhe standardet evropiane, si dhe për zhvillimin e një infrastrukture moderne gjeohapësinore në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve publike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *