Pjesëmarrje në Asamblenë e Përgjithshme të Eurogeographics
Drejtuesit e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, z.Lorenc Çala Drejtor i Përgjithshëm , z.Kristaq Qirko Drejtor i Drejtorisë së Gjeodezisë dhe Hartografisë, z.Klaudio Çollaku Drejtor i Drejtorisë së GIS-it Kombëtar dhe Gjeoportalit, morën pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Eurogeographics, e mbajtur në datat 07-10.10.2018, në Pragë, Çeki.
Çështjet kryesore që u trajtuan në këtë asamble ishin:
• Besueshmëria e të dhënave gjeohapësinore, nëpërmjet të cilave realizohen vendimmarrje që prekin ndjeshëm jetën e shoqërisë tonë, në një kohë kur flasim për “big data” dhe evolim të shpejtë të teknologjisë dhe internetit.
• Të dhënat autoritative dhe rëndësia e tyre.
• Roli NMCA-së (National Mapping and Cadastral Agencies) si faktorë të rëndësishëm në trajtimin e çështjeve të gjeoinformacionit, në të tashmen dhe të ardhmen, në dobi të së mirës publike.
Pjesëmarrje në workshop-in me temë: “Të kuptuarit e risqeve natyrore në Ballkan”
Në workshop-in me temë, “Të kuptuarit e risqeve natyrore në Ballkan” të zhvilluar në datat 17-19 Shtator 2018, në Beograd, Serbi, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor u përfaqësua nga z.Mikel Millja përgjegjës i Sektorit të Standardeve të Gjeoinformacionit.
Qëllimi i këtij workshop-i ishte të realizohej një forum diskutimesh mes vendeve të Ballkanit, për të ndarë eksperiencat më të mira në lidhje me: menaxhimin e riskut, përballimin e rreziqeve natyrore të së ardhmes, zhvillimin e teknologjisë për menaxhimin e hartave të rrezikut si dhe ndikimin social, fizik dhe financiar të fatkeqësive natyrore. Ky workshop u mundësua nga Qeveria e Serbisë në bashkëpunim me Bankën Botërore.
Në vijim të këtij takimi në datën 21 Shtator 2018, pranë ambienteve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Tiranë, u zhvillua workshop-i me temë,“Gjendja e rrugëve dhe ndikimi i risqeve natyrore në to.” Në këtë workshop u diskutuan tre çështje kryesore;
– Progresi dhe rezultatet paraprake të analizës së rrezikut për asetet rrugore elastike të rrugëve në Shqipëri.
– Analiza e përmbytjeve, rrëshqitjeve të dheut dhe sizmikës.
– Paraqitja e hartave të rrezikut, analiza e rrezikut dhe analiza e ndikimit ekonomik.
Pjesëmarrje në takimin e Komitetit Drejtues të projektit IMPULS
Koordinatori i ASIG, për projektin IMPULS z.Dritan Prifti mori pjesë në takimin e Komitetit Drejtues të këtij projekti i cili u mbajt më 18.10.2018 në Zagreb, Kroaci. Në këtë takim merrnin pjesë drejtuesit e institucioneve përgjegjëse për infrastrukturën e të dhënave gjeohapësinore të shteteve të Ballkanit Perëndimor pjesë e këtij projekti.
Pjesëmarrësit diskutuan mbi ecurinë e projektit IMPULS, arritjet dhe sfidat eventuale deri në përfundimin e tij, i cili parashikohet të jetë 31 Dhjetori i vitit 2019. Në këtë takim z.Dritan Prifti prezantoi disa nga arritjet e ASIG siç janë;
Rritja e ndërgjegjësimit publik për përfitimet nga gjeoinformacioni, zhvillimi profesional dhe mundësitë e trajnimit për rritjen e kapaciteteve të autoriteteve publike përgjegjëse, harmonizimi i të dhënave gjeohapësinore dhe krijimi i metadatave për këto të dhëna.Gjithashtu u raportuan hapat e hedhur për ndërtimin e një platforme për dhënien e shërbimeve gjeohapësinore sipas standardeve të formatit Dataexchange, standardeve mbi shërbimet e rrjetit që do të përdoren në GIS-in Kombëtar nga përdoruesit e gjerë.
Nga drejtuesit e projektit u evidentua fakti se ASIG është duke përmbushur me sukses detyrat e tij në fushën e gjeoinformacionit në krah të vendeve të tjera të rajonit si dhe vendeve të Bashkimit Evropian.
Pjesëmarrje në konferencën e INSPIRE 2018
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor ( ASIG) morën pjesë në konferencën e INSPIRE 2018 “Inspire Users: Make it work together”, të zhvilluar në datat 18-21 Shtator 2018, në Antwerp, Belgjikë, nën kujdesin e Komisionit Europian, Holandës dhe Belgjikës. Në këtë konferencë ishin të ftuar të merrnin pjesë aktorët dhe kontribuesit kryesorë në zbatimin e Direktivës 2007/2/EC “INSPIRE” të BE-së si dhe ofruesit privatë të teknologjive dixhitale. Konferenca trajtoi çështje të rëndësishme të gjeoinformacionit ndër të cilat:
• Përdorimi i mekanizmit të INSPIRE për të adresuar sfidat e shfaqura dhe të reja, të transformimit dixhital dhe të informacionit, për një qeverisje më të qëndrueshme në një mjedis të zhvillimit të vrullshëm të shoqërisë së informacionit.
• Nevoja për bashkëpunim dhe bashkërendim më të mirë mes aktorëve të përfshirë drejtpërdrejt në hartimin dhe zbatimin e iniciativave relevante globale në fushën e gjeoinformacionit.
• Shkëmbimi i pikëpamjeve mbi zgjidhjen e problemeve dhe vështirësive teknike të hasura në zbatimin dhe përdorimin e INSPIRE.
Prezantim në workshop-in me temë: “Ndërtimi i kapaciteteve në fushën e edukimit të lartë, projekti BESTSDI”
Në ambientet e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit është duke u zhvilluar workshop –i me temë: “Ndërtimi i kapaciteteve në fushën e edukimit të lartë, projekti BESTSDI”.
Në ditën e parë të këtij workshop-i Drejtori i Përgjithshëm i ASIG z.Lorenc Çala mbajti një prezantim mbi rolin, përgjegjësitë dhe arritjet e ASIG në krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor (NSDI) në Republikën e Shqipërisë.
Në prezantim u evidentua nevoja e rritjes së kapaciteteve të profesionistëve të fushës së gjeoinformacionit, roli i kurikulës universitare në këtë drejtim dhe nevoja e përshtatjes së saj me zhvillimet e vrullshme teknologjike.
Projekti BESTSDI (Evolimi i edukimit akademik në Ballkanin Perëndimor dhe trajnimi i vazhdueshëm profesional për infrastrukturën e informacionit gjeohapësinor), është ndërmarrë në kuadër të programit Erasmus + për të mbështetur edukimin e lartë dhe ngritjen e kapaciteteve në nivelet e kërkuara ndërkombëtare për implementimin e direktivës evropiane 2007/2/EC “INSPIRE”.
Kontributi i drejtpërdrejtë i këtij workshop-i është ndryshimi dhe përmirësimi i kurikulave universitare për të përgatitur profesionistë që do të do të krijojnë dhe përdorin informacion gjeohapësinor, të standardeve evropiane.
PUBLIKOHET ORTOFOTO 2018 PËR ZONËN TIRANË-DURRËS
Përmes projektit “Informacion Gjeohapësinor për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit në zonën me intensitet të lartë zhvillimi Tiranë-Durrës”,
financuar nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) është realizuar fotografimit ajror dhe prodhimi i ortofotos me rezolucion 0.08 m/pixel për një zonë 375 km² që përfshin trekëndëshin ekonomik Tiranë-Vorë-Durrës.
Projekti parashikon krijimin e hartave dixhitale në shkallë të mëdha, për këtë zonë, sipas metodikave dhe standardeve bashkëkohore, të përdorura në Japoni, si dhe transferimin e teknologjisë ku përfshihet infrastruktura harduerë dhe softuerë, me qëllim krijimin, në një fazë të më vonshme të hartave të tilla për të gjithë territorin e vendit.
Hartat e shkallëve të mëdha, që nuk janë prodhuar prej më shumë se 25 viteve, janë mjaft të nevojshme për zhvillimin e vendit, sidomos për sa i përket çështjeve të pronësisë dhe ndërtimit të infrastrukturave.
Ortofoto tashmë është publikuar në Gjeoportalin Kombëtar dhe mund ta aksesoni në linkun:
https://geoportal.asig.gov.al/map/?fc_name=Ortofoto_2018&auto=true
PUBLIKOHET NË GJEOPORTALIN KOMBËTAR INFORMACIONI GJEOHAPËSINOR PËR TEMËN ”EMËRTIMET GJEOGRAFIKE”
ASIG, në rolin e autoritetit publik përgjegjës, ka krijuar dhe publikuar në Gjeoportalin Kombëtar informacionin gjeohapësinor për temën “Emërtimet Gjeografike”. Informacioni i publikuar është në përputhje të plotë me standardin e miratuar me VKM nr.142, datë 22.02.2017 “Për Miratimin e Dokumentit Standardet Shtetërore për Specifikimet Teknike të Informacionit Gjeohapësinor në Shqipëri – Tema: “Emërtimet Gjeografike”.
Informacioni i publikuar përmban tre kategori të dhënash të cilat janë:
1. Vendbanimet zyrtare në Republikën e Shqipërisë (Qytete-Fshatra). Numri total i pikave të përpunuara për të gjithë territorin Republikës së Shqipërisë është 3056. Informacioni i mbledhur dhe i përpunuar është marrë nga hartat e Ndarjes Administrative Territoriale të Njësive të Qeverisje Vendore në Republikën e Shqipërsisë të vitit 2014.
2. Relievi, numri total i pikave të përpunuara për të gjithë territorin Republikës së Shqipërisë është 9926. Informacioni për këtë kategori është mbledhur nga hartat topografike të shkallës 1:25 000, të saktësuara me hartat e shkallës 1:10 000. Elementët e relievit janë të ndarë në disa lloje dhe paraqiten në atributin “LlojiLokal” si: arë, fushë, bisht, breg, brinjë, bunishtë, çukë, faqe, fushë, gropë, grykë, gurrë, hauz, hije, ishull etj.
3. Hidrografia – numri total i pikave të përpunuara për të gjithë territorin Republikës së Shqipërisë është 5157. Elementët e kësaj kategorie janë të disa llojeve dhe paraqiten në atributin “LlojiLokal” si: përrua, liqen, ujëmbledhës, rezervuar, lumë, kanal etj. Informacioni i publikuar është mjaft i rëndësishëm dhe i vjen në ndihmë përdoruesve të Gjeoportalit Kombëtar, institucioneve publike, biznesit edhe qytetarëve dhe i ndërthurur me informacionin për temat e tjera të gjeoinformacionit krijon një vlerë të shtuar të Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinore në Shqipëri.
Për më shumë informacion mund të klikoni në linkun:
https://geoportal.asig.gov.al/map/?fc_name=egj_total_krgjsh_asig&auto=true
Pjesëmarrje në trajnimin e organizuar nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA)
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në trajnimin e zhvilluar nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), nga data 27 Maj deri më 7 Korrik 2018, në Japoni, lidhur me “Menaxhimi dhe shfrytëzimi i pikave të kontrollit kombëtar për efikasitetin e punimeve gjeodezike”.
Ky trajnim synonte zgjerimin e njohurive dhe rritjen e kapaciteteve në menaxhimin dhe shfrytëzimin e Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare. Programi i tij ishte i shumanshëm, duke nisur nga njohuritë bazë mbi sistemin administrativ dhe aktivitetet gjeodezike në Japoni deri në njohuritë e thelluara teorike dhe praktike mbi sistemet GNSS, CORS, Gravimetri etj.
Përveç njohurive të mësipërme, pjesëmarrësit e ASIG, z.Arian Lasku nga Sektori i KRGJSH-së dhe z.Rudens Konomi nga Sektori i Infrastrukturës së Sistemeve CORS realizuan një studim me mbështetjen e ekspertëve japonezë, për zgjidhjen dhe përmirësimin e problemeve ekzistuese që lidhen me Kornizën Referuese Gjeodezike në Shqipëri.
Publikohet Modeli Dixhital i Terrenit 3D
ASIG ka ndërtuar dhe publikuar në Gjeoportalin Kombëtar shtresën “MDT (2015-2017) 3D”për temën “Modeli Dixhital i Terrenit”.
Informacioni gjeohapësinor i publikuar është në përputhje me standardin e miratuar për temën përkatëse dhe i vjen në ndihmë institucioneve publike dhe specialistëve të fushës, për kryerjen e punimeve të ndryshme topografike. Për më shumë informacion mund të klikoni në linkun:
Projekti mbi Informacionin Gjeohapësinor për Zhvillimin E Qëndrueshëm të Tokës në Zonën Tiranë – Durrës
Ftesë për Ofertë
1. Me qëllim të kontribuimit në zbatimin e Programit të Bashkëpunimit Teknik
nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) në Shqipëri, JV e Korporatës PASCO dhe KOKUSAI KOGYO CO., LTD., (Ekipi i Projektit JICA), i cili u kontraktua me JICA si konsulent në projektin për “Informacioni gjeohapësinor për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit në zonën me intesitet të lartë zhvillimi Tiranë-Durrës”. PASCO Corporation, si një kontraktues kryesor që ka vendin e tij kryesor të biznesit në 1-1-2 Higashiyama, Meguro-ku, Tokio 153-0043, Japoni (http://www.pasco.co.jp/eng/), po planifikon për të nënkontraktuar punën e anketës në terren përmes procedurave të ofertave konkurruese (CB).
2. Ekipi i Projektit JICA do të mbajë një takim para-ofertës si pjesë e procedurave të BQ si vijon:
Data: e hënë 2 korrik 2018.
Koha: ora 10:00 -13:00.
Vendi: Salla “Europa” në ndërtesën e Inovacionit, Rruga “Papa Gjon Pali II”, Nr.3, Kati i I, Tiranë, Shqipëri.
SHËNIM: Mospjesëmarrja në takimin para-ofertës do të jetë shkak për skualifikimin e ofertuesit.
3. Ofertuesit e interesuar mund të marrin Dokumentet e Tenderit dhe informacione të mëtejshme nga Nami SEIMIYA / Ms. e PASCO Corporation, e cila është koordinatore e Ekipit të Projektit JICA përmes adresës së postës elektronike në vijim; noabmu3604@pasco.co.jp
4. Orari i ofertave është si vijon;
(1) Afati i fundit i Kërkesës për Dokumentet e Ofertimit: Në orën 13:00 më 29 qershor 2018 (Koha Standarde Shqiptare)
(2) Takimi para-ofertës Në orën 10:00 të mëngjesit më 2 korrik 2018
(3) Afati i fundit për qartësimin e dokumenteve të tenderit: Në orën 13:00 më 10 korrik 2018
(4) Afati i fundit për përgjigjen ndaj sqarimit: Në orën 1:00 paradite 19 korrik 2018
(5) Periudha për dorëzimin e Propozimit Teknik dhe Financiar Nga ora 9:00 deri në orën 11:00 në 31 korrik 2018
(6) Data dhe koha për hapjen e ofertave Në orën 11:00 në 31 korrik 2018
Ofertat do të hapen në praninë e përfaqësuesve të ofertuesve në Tiranë.