Mbledhje online e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor BIG
U zhvillua sot më 20.12.2024, online, mbledhja e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor BIG nën drejtimin e kryetarit të këtij bordi z. Ermal Nufi, Drejtor i Kabinetit të Zëvendëskryeministrit.
Në takim ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e BIG.
Drejtori i Përgjithshëm i ASIG znj. Vilma Tomço i njohu anëtarët e bordit me ndryshimet më të fundit ligjore që rregullojnë veprimtarinë e ASIG, arritjet e këtij institucioni gjatë vitit 2024, problematikat e hasura si dhe projektet e që ASIG ka planifikuar të zhvillojë gjatë vitit 2025.
Kryetari i bordit z. Ermal Nufi falënderoi stafin e ASIG për punën e bërë dhe dha rekomandimet e tij veçanërisht për sa i përket përdorimit nga institucionet publike të produkteve të shërbimit satelitor. Gjithashtu ai kërkoi nga drejtoritë teknike të ASIG përgatitjen e një raporti të detajuar për këtë qëllim.
ASIG merr pjesë në eventin përmbyllës të projektit SPATIAL II
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në eventin e organizuar më 4-6 Dhjetor 2024, i cili u zhvillua në Beograd, Serbi, për mbylljen e projektit SPATIAL II, organizuar nga agjencia holandeze Kadaster dhe mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës.
Qëllimi i këtij projekti ishte forcimi i aksesit profesional në informacionin mbi tokën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ka mbështetur zhvillimin e infrastrukturës kombëtare të të dhënave hapësinore në Shqipëri dhe shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Eventi për mbylljen e projektit bëri bashkë aktorë kyç nga institucionet qeveritare dhe organizatat ndërkombëtare, përfaqësitë diplomatike të rajonit dhe shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe infrastrukturës gjeohapësinore. Gjatë tre ditëve të eventit u diskutuan përfitimet kryesore të projektit, si dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të ndajnë eksperiencat dhe arritjet e tyre në kuadër të këtij projekti, si dhe të eksplorojnë mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e menaxhimit të informacionit për tokën. Kjo ngjarje ofroi një mundësi të shkëlqyer për të thelluar lidhjet dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të sistemeve të të dhënave gjeohapësinore në rajon.
Ky event shërbeu si një hapësirë e rëndësishme për përfaqësuesit e ASIG në lidhje me forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve dhe përmirësimin e mundësive për zhvillimin e sistemeve të të dhënave gjeohapësinore në Shqipëri.
SOFTMOVE Innovation Opportunities for Sustainable and Smart Mobility Operations with unmanned Air VehiclEs and space assets
ASIG merr pjesë në takimin e parë të Komitetit Koordinues Teknik për projektin NFFIS-NbS DRR mes AKMC dhe JICA
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor ASIG morën pjesë dje në takimin e parë të Grupit Teknik Koordinues, ku bën pjesë dhe ASIG, të projektit “Ndërtimi i Kapaciteteve për Sistemin Kombëtar të Informacionit për Zjarret në Pyje (National Forest Fire Information System, NFFIS) dhe Zgjidhjeve të bazuara në Natyrë për Zvogëlimin e Risqeve nga Fatkeqësitë (Nature based Solution -Disaster Risk Reduction, NbS-DRR)”.
Temat e këtij takimi ishin;
- Prezantimi i planit, progresi i aktiviteteve dhe qëllimi i projektit i cili ka të bëjë me ngritjen e kapaciteteve të institucioneve publike në lidhje me reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë (DRR) nga zjarret dhe erozionin në pyje nëpërmjet krijimit të Sistemit Kombëtar të Informacionit për Zjarret në Pyje (NFFIS),
- Aplikimi i zgjidhjeve të bazuara në natyrë për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë (NbS-DRR).
Gjatë prezantimeve u paraqitën dy nga komponentët e këtij projekti, NFFIS i cili është një sistem i integruar Web-GIS për parandalimin, paralajmërimin e hershëm, grumbullimin dhe shpërndarjen e te dhënave për zjarret në pyje, me agjencitë përkatëse dhe publikun, dhe NbS-DRR i cili shërben për kontrollin e erozionit në Basenin e Pellgut Ujëmbledhës të Bovillës ku u shpjegua ecuria e këtij komponenti dhe plani në vijim.
ASIG merr pjesë në Konferencën “Avancimi në Digjitalizimin e Shërbimeve Kadastrale”
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor morën pjesë në konferencën “Avancimi në Digjitalizimin e Shërbimeve Kadastrale” e cila u organizua nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, më 20 dhe 21 Nëntor, në Prizren, Kosovë.
Kjo konferencë do të shërbejë si një platformë unike për shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe zgjidhjeve inovative, duke udhëhequr drejt një sistemi kadastral digjital e konkurrues, jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë e më gjerë.
Gjatë dy ditëve të kësaj konference u zhvilluan sesione të ndryshme me prezantime e diskutime mes ekspertësh e profesionistësh të ndryshëm të fushës së kadastrës dhe gjeoinformacionit si më poshtë;
- Diskutime për avancimet më të fundit në fushën e kadastrës,
- Idetë dhe praktikat më të mira nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë,
- Ngritja e bashkëpunimit dhe lidhjeve profesionale,
- Panele diskutimi me profesionistë lider të industrisë.
Trajnim me stafin teknik të bashkisë Përmet
Vijojnë trajnimet për rritjen e kapaciteteve të stafeve teknike të bashkive të vendit nga ekspertët e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor.
U zhvillua sot në ambientet e ASIG trajnim me stafin teknik të bashkisë Përmet, ku tematikat e trajtuara në këtë trajnim ishin:
- Përdorimi dhe funksionalitetet e Gjeoportalit Kombëtar;
- Mbledhja e të dhënave sipas temave të gjeoinformacionit për: Njësitë administrative dhe fshatrat në përbërje të tyre (rendi 4 dhe 5), Rrjeti i transportit rrugor lokal;
- Prezantimi i produkteve të përftuara nga projekti i Shërbimit Satelitor.
Trajnim online me Satelogic
Drejtoria e përpunimit të të Dhënave Remote Sensing zhvilloi në datat 21, 22 dhe 24 Tetor një trajnim on-line me ekspertët e kompanisë amerikane Satelogic.
Tematikat e trajtuara gjatë këtij trajnimi ishin:
- Inteligjenca Artificiale ( AI),
- Prezantimi me Satelitin Mark V.
Pjesëtarët e stafit të kësaj drejtorie patën mundësi të diskutojnë gjatë këtij takimi on-line me ekspertët amerikan të Satelogic mbi gjendje aktuale të teknologjisë për sa i përket AI dhe rastet e përdorimit në industri.
Gjithashtu me interes të veçantë për pjesëmarrësit ishte prezantimi me Satelitin Mark V, specifikimet e tij dhe statusi aktual.
Zhvillohet workshop në kuadër të projektit “SOFTMOVE”
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), nga Sektori i Përpunimit të Imazheve Satelitore dhe Sektori i Projekteve, morën pjesë në Workshop-in “Network of all mobility actors”, të organizuar në Podgoricë, Mali i Zi, më datë 23 Tetor 2024. Ky workshop u zhvillua në kuadër të projektit “SOFTMOVE” i cili bazohet në objektivat e programit “Interreg IPA South Adriatic” dhe synon të forcojë bashkëpunimin ndërkufitar, si dhe lëvizshmërinë e qëndrueshme dhe rezistente ndaj klimës në rajon, përmes bashkëpunimit midis tre vendeve Shqipëri, Itali dhe Mali i Zi.
Pjesë e ekipit pjesëmarrës në këtë konferencë nga Shqipëria ishin gjithashtu Prof. Dr. Përparim Alikaj, ekspert i lartë për Lëndët e Para Minerale në Qendrën Rajonale Shqiptare të Inovacionit (RICEIT) dhe Prof.Asoc.Dr. Sonila Sinjari, përgjegjëse e Departamentit të Gjeografisë, Fakulteti i Histori – Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
Ky workshop ishte i organizuar në katër sesione, ku të pranishmit prezantuan perspektivat akademike të përdorimit të dronëve, vështrimet e administratës publike dhe industrisë si dhe Startup-e e Inovacione mbi teknologjinë e dronëve.
Trajnim me stafet teknike të bashkive Berat, Kuçovë dhe Dimal
Në kuadër të nismës së ndërmarrë nga ASIG me qëllim rritjen e kapaciteteve të stafeve teknike, ekspertë të ASIG zhvilluan sot trajnimin në Kukës me stafet teknike të Bashkive Berat, Kuçovë dhe Dimal.
Në këtë trajnim morën pjesë përfaqësues nga stukturat e mëposhtme:
- Drejtoria e Planifikimit Urban, Lejeve dhe Monitorimi i Investimeve;
- Drejtoria e Urbanistikës;
- Drejtoria e Bujqësisë, Administrimi i Pyjeve, Ujrave dhe Shërbimi Veterinar.
Vizitë studimore në Japoni
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) i përfaqësuar nga drejtori i Drejtorisë së Përpunimit të të Dhënave Remote Sensing z. Dritan Prifti, ishte pjesë e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC), në një vizitë studimore në Tokio, Japoni e cila u realizua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Kapaciteteve për Sistemin Kombëtar të Informacionit për Zjarret në Pyje (NFFIS), dhe Zgjidhjet e Bazuara në Natyrë për Zvogëlimin e Risqeve nga Fatkeqësitë (NbS-DRR)” mbështetur nga JICA. Gjithashtu pjesë e këtij delegacioni ishin dhe përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Pyjeve (AKP), Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO), dhe Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT).
Qëllim i kësaj vizite ishte shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira në menaxhimin e pyjeve dhe zbatimin e metodave për zvogëlimin e risqeve natyrore. Gjatë kësaj vizite përfaqësuesit shqiptar morën pjesë në trajnime intensive me ekspertët japonezë, të cilët prezantuan strategjitë më të përparuara për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve në pyje, në një vend si Japonia ku 70% e sipërfaqes përbëhet nga pyje. Këto trajnime përfshinin teknika për përdorimin e zgjidhjeve të bazuara në natyrë, për zvogëlimin e risqeve nga fatkeqësitë, si dhe për aplikimin e teknologjive të reja për mbrojtjen e burimeve natyrore.
Grupi shqiptar vizitoi institucione si Agjencia e Pyjeve dhe Agjencia e Menaxhimit të Zjarreve dhe Fatkeqësive, ku u prezantuan projekte për mbrojtjen e pyjeve dhe metodat për kontrollin e erozionit, si dhe u demonstruan aktivitetet më të fundit për menaxhimin dhe parandalimin e fatkeqësive natyrore.