ASIG bëhet pjesë e Thirrjes X të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës

Në kuadër të edicionit 2025 të këtij programi, Autoriteti Shtetëror për Informacion Gjeohapësinor do të mirëpresë praktikantë të rinj, të cilët janë të interesuar të fitojnë përvojë praktike në një institucion publik dhe të kontribuojnë në fushën e teknologjisë dhe informacionit gjeohapësinor.

✅ Jeni 21–29 vjeç?

✅ Jeni të diplomuar në një program studimi të ciklit të parë (Bachelor) apo të ciklit të dytë (Master), të ofruar nga një institucion i arsimit të lartë?

✅ Doni të përfitoni eksperiencë?

🗓 Praktika zhvillohet nga shtatori deri në dhjetor 2025.

📍 Aplikimet janë të hapura nga 27 qershori deri më 10 gusht vetëm online në: 🔗 praktika.riniafemijet.gov.al

💡 Nëse jeni të interesuar për një praktikë pranë ASIG, mos hezitoni të aplikoni!

ASIG organizon workshop-in me temë “Katalizatori i njohurive të UAS”

 

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG)  zhvilloi me sukses më 19 Qershor workshop-in me temë “Katalizatori i njohurive të UAS”,  në kuadër të projektit SOFTMOVE i dedikuar rolit të Sistemeve Ajrore Pa Pilot (UAS) në nxitje të njohurive, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik në zonën e Adriatikut Jugor.

ASIG si partner së bashku me DTA Distretto Tecnologico Aerospaziale (Lead Partner, Rajoni i Puglias, Itali) dhe NVU Digital Den (Mal i Zi) bëri bashkë në këtë aktivitet profesionistë nga sektori publik, privat, akademik, SME-të dhe Startup-et, duke krijuar një hapësirë bashkëpunimi ndër sektoriale për të eksploruar përdorimin e teknologjisë së dronëve në kontekste të ndryshme zhvillimi.

Pjesëmarrësit në këtë workshop u njohën me llojet dhe komponentët kryesorë të UAS, funksionimin teknik të tyre si dhe mënyrën sesi kjo teknologji mund të shërbejë si katalizator për efikasitetin dhe qëndrueshmërinë në fusha si transporti, industria, arsimi dhe kërkimi shkencor.

Në fokus të këtij takimi ishin gjithashtu mbledhja dhe analizimi i të dhënave përmes sistemeve GIS, inteligjencës artificiale dhe shërbimeve të avancuara, si dhe kuadri ligjor që rregullon këto teknologji.

Workshop-i shërbeu si një platformë frymëzuese për rritjen e kapaciteteve, promovimin e aplikacioneve novatore dhe përshpejtimin e tranzicionit digjital, duke theksuar rolin kyç të UAS në përballimin e sfidave të kohës.

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet ASIG dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës

U nënshkrua dje më 02.06.2025, në ambientet e Universitetit Bujqësor  të Tiranës marrëveshja e bashkëpunimit mes Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), i përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm znj. Vlima Tomço dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) i përfaqësuar nga Rektori z. Fatbardh Sallaku.

Kjo marrëveshje konsiston në disa pika kyçe si;

  1. Angazhim i përbashkët në projektin “Krijimi i Qendrës së Gjeoinformacionit për Zhvillim të Qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor”,
  2. Zbatim i projekteve kërkimore kombëtare dhe ndërkombëtare,
  3. Nxitje dhe realizim i veprimtarive të përbashkëta në fushën e arsimit të lartë,
  4. Shkëmbim i njohurive, përfshirë literaturë profesionale, tekste mësimore dhe botime universitare,
  5. Shkëmbim i materialeve dhe rezultateve të punës studimore dhe kërkimore,
  6. Sigurim i hapësirave për zhvillimin e praktikave profesionale mësimore.

Me qëllimi formalizimin e kuadrit të bashkëpunimit ndërmjet ASIG dhe UBT falë kësaj  marrëveshje synohet përdorimi dhe shkëmbimi sa më efikas i informacionit ndër institucional, forcimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore nëpërmjet përgatitjes së specialistëve të rinj në përputhje me prioritetet e zhvillimit kombëtar si dhe promovimi i përdorimit të teknologjisë bashkëkohore në fushën e gjeoinformacionit.

 

ASIG merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të EuroGeographics

Asambleja e Përgjithshme Vjetore e EuroGeographics këtë vit përkoi me 25 vjetorin e krijimit të kësaj organizate. Drejtues të lartë të autoriteteve gjeohapësinore, të vendeve anëtare të EuroGeographics u mblodhën në qytetin e Rigës, në Letoni, më 18-20 Maj 2025.

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG)  u përfaqësua në ketë event nga:

  • Vilma Tomço – Drejtor i Përgjithshëm i ASIG,
  • Kristaq Qirko – Drejtor i Drejtorisë së Gjeodezisë dhe Hartografisë në ASIG
  • Klaudio Çollaku – Drejtor i Drejtorisë së GIS-it Kombëtar dhe Gjeoportalit në ASIG.

Tema kryesore e eventit ishte: “Përballimi i sfidave për një të ardhme më të sigurt”, duke adresuar sfida të shumta si; transformimi digjital, zhvillimet e inteligjencës artificiale, siguria dhe barazia institucionale.

Pikat kryesore të agjendës së sesionit ku ASIG mori pjesë ishin:

  • Prezantime të nivelit të lartë nga përfaqësues të Komisionit Evropian, agjencive gjeohapësinore dhe institucioneve homologe;
  • Sesioni i shkëmbimit të njohurive mes Drejtorëve të Përgjithshëm;
  • Diskutime mbi; sfidat globale, inteligjencën artificiale, gjeodezinë dhe politikat e të dhënave të hapura kundrejt sigurisë;
  • Votime për buxhetin e vitit 2025, strategjitë e anëtarësimit dhe zgjedhja e presidentit të ri të EuroGeographics.

Pjesëmarrja e ASIG në këtë aktivitet ishte një mundësi e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit institucional, rritjen e kapaciteteve dhe përfaqësimin e Shqipërisë në rrjetin më të madh evropian të institucioneve gjeohapësinore.

 

Korniza Referuese Gjeodezike dhe Modelimi i Gjeoidit në Republikën e Shqipërisë

Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) organizuan më 17.04.2025, në ambientet e Akademisë workshopin me temë: “Korniza Referuese Gjeodezike dhe Modelimi i Gjeoidit në Republikën e Shqipërisë”.

ASIG  si institucion përgjegjës për projektimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe përditësimin e Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH) që nga viti 2014 është angazhuar në hartimin e projekteve teknike të detajuara të nevojshme dhe implementimin e tyre për ndërtimin e rrjeteve në përbërje të KRGJSH-së, për t’i mundësuar Shqipërisë krijimin e bazës unike gjeodezike që mbështetet totalisht në teknologjinë GNSS dhe në llogaritjen e gjeoidit me rezolucion dhe saktësi të lartë për përcaktimin me efikasitet të pozicionit të saktë horizontal dhe vertikal të pikave të ndryshme në sipërfaqen e tokës.

Gjatë këtij eventi u prezantua Korniza Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH) nga specialistët e ASIG, bashkëpuntorët nga Instituti i Gjeoshkencave (IGEO) dhe Universiteti “Aristotel” i Selanikut (AUTH).

Temat e prezantuara ishin:

    • Implementimi i Kornizës Referuese Gjeodezike Moderne në Republikën e Shqipërisë,
    • Implementimi i Rrjetit Gjeodezik Aktiv (ALBCORS) në Republikën e Shqipërisë,
    • Karakteristikat e zhvendosjes tektonike aktuale të Shqipërisë bazuar në të dhënat GNSS,
    • Modeli gravimetrik dhe hibrid i Gjeoidit në Republikën e Shqipërisë.

Në përfundim të këtij eventi pjesëmarrësit nga bota akademike falënderuan dhe vlerësuan punën e kryer nga ASIG për implementimin e projekteve të rrjeteve të KRGJSH-së dhe llogaritjen e gjeoidit për herë të parë në Republikën e Shqipërisë.

 

 

ASIG merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Rrjetit Evropian të Hapësirës

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Rrjetit Evropian të Hapësirës e cila u mbajt më 10-11 Prill 2025, në Venecia, Itali, si pjesë e rrjetit Copernicus Relay, i ftuar nga Komisioni Evropian dhe Zyra për Mbështetjen Europiane të Hapësirës.

ASIG u përfaqësua në këtë aktivitet nga Drejtori i Drejtorisë së Përpunimit të të Dhënave Remote Sensing z. Dritan Prifti.

Në fjalën hapëse të kësaj Asambleje përshëndetën Presidenti i Rajonit Veneto, Rektori i Universiteti IUAV dhe përfaqësues të Komisionit Evropian.

Në këtë Asamble anëtarët e Rrjeteve Hapësinore të BE-së të pranishëm në sallë patën mundësinë që të prezantojnë aktivitetin e institucioneve të tyre me arritjet dhe sfidat e secilit. Gjatë këtij sesioni pjesëmarrësit u informuan mbi aktivitetet dhe arritjet e kaluara, evolucionin e rrjeteve të bashkëpunimit dhe statusin e tyre aktual, duke përfshirë një prezantim mbi rezultatet e marrëveshjes Kuadër të Partneritetit në përvetësimin e përdoruesve të programit të Copernikut (FPCUP).

Anëtarët e Rrjeteve Hapësinore të BE-së  dhanë komente dhe diskutuan pritshmëritë e tyre për zhvillimin e Rrjeteve Hapësinore të BE-së si dhe ju propozuan ide, përfaqësuesve të Komisionit Evropian.

Dita e dytë e asamblesë u zhvillua në  Universitetin  IUAV Venecia (Istituto Universitario di Architettura di Venezia) ku u diskutuan tematikat e mëposhtme:

  • Shfrytëzimi i të dhënave hapësinore të BE-së për qëndrueshmërinë bregdetare dhe oqeanike;
  • Sigurimi i aseteve hapësinore të Evropës – SSA & STM;
  • Situata Hapësinore dhe Menaxhimi i Trafikut Hapësinor të BE-së si komponent kryesor i Programit Hapësinor të BE-së;
  • Kapacitet në sektorin hapësinor të BE-së;
  • Ruajtja e trashëgimisë kulturore me ndihmën të dhënat hapësinore të BE-së.

Workshop dy ditor i organizuar nga Satellogic në bashkëpunim me ASIG&AKMC

U zhvillua në ambientet e Sallës EUROPA pranë ASIG, në  datat  4 dhe 5 Mars 2025 workshop-i dy ditor i organizuar nga Satellogic në bashkëpunim me ASIG dhe AKMC.

Qëllimi i këtij workshop-i ishte prezantimi i produkteve dhe shërbimeve më të reja të kompanisë Satellogic për stafet teknike dhe institucionet përfituese të projektit “Shërbimi Satelitor”.

Pjesëmarrës në këtë workshop ishin përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit të cilët patën mundësi të marrin më shumë informacion mbi teknikat më të fundit inovative në fushën e Remote Sensing, përmirësimet e platformës, rastet e monitorimit në kohë afër reale si dhe planet për zhvillimet e ardhshme.

ASIG organizon workshop-in në kuadër të projektit SOFTMOVE

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor ASIG, organizoi ditën e enjte, më datë 27 Shkurt 2025, në ambientet e Grand Hotel & SPA Tirana, workshop-in me temë “Roli i autoriteteve të transportit dhe operatorëve në qytetet inteligjente”, në kuadër të projektit “SOFTMOVE” bashkë financuar nga Programi Interreg IPA South Adriatic 2021-2027.

Ky work shop  bëri bashkë profesionistë nga sektori publik, privat, nga bota akademike, SME-të, Startup-et të zonës së Adriatikut Jugor, të cilët ndanë eksperiencat e tyre për teknologjitë më të avancuara që për monitorimin e trafikut, qëndrueshmërinë e transportit, për planifikimin hapësinor të ardhshëm, lëvizshmërinë inteligjente dhe intermodale, lëvizshmërinë inovative ajrore etj..

Gjithashtu ai shërbeu si një promovim i aktiviteteve të institucionit, shkëmbimit të informacioneve mes profesionistëve të gjeoinformacionit, ngritjen e kapaciteteve, si dhe të ndërtimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe partneriteteve ndërkombëtare që promovojnë përdorimin e dronëve, me fokus në operacionet dhe zbatimin e shërbimeve inovative ajrore dhe përdorimin e shërbimeve gjeohapësinore, në mënyrë që të mund t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve në qytetet e ardhshme (smart city), të zonës IPA.

 

 

 

 

 

 

 

VIJON ASISTENCA E ASIG PËR INSTITUCIONET PUBLIKE

U zhvillua në ambientet e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG)  një takim me përfaqësuesit e Agjencisë Kombëtare të Pyjeve (AKP) në kuadër të asistencës dhe koordinimit me institucionet publike për përdorimin e informacionit gjeohapësinor.

Në këtë takim u diskutuan një sërë çështjesh me rëndësi për menaxhimin dhe administrimin e pyjeve në nivel kombëtar. Mes ekspertëve të ASIG dhe përfaqësuesve të AKP u shkëmbyen ide dhe përvoja mbi përdorimin e teknologjisë dhe sistemeve të informacionit gjeohapësinor për monitorimin dhe mbrojtjen e pyjeve. Gjithashtu përfaqësuesit e AKP u njohën më nga afër me produktet e platformës ArcGIS Online dhe kryesisht me web-map “Mbulesa Pyjore 2024”

Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor dhe Universitetit të Tiranës

U nënshkrua sot në ambientet e Rektoratit të Tiranës marrëveshja e bashkëpunimit mes Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), i përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm znj. Vlima Tomço dhe Universitetit të Tiranës (UT) përfaqësuar nga Rektori z. Artan Hoxha.

Kjo marrëveshje konsiston në disa pika kyçe si:

  • Identifikimin, nxitjen, mbështetjen dhe bashkëpunimin në projekte me interes të përbashkët, në fushën e gjeoinformacionit, teknologjisë, promovimit dhe marketingut të produkteve.
  • Bashkëpunimin për aplikimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, organizmin e përbashkët të konferencave, simpoziumeve, kongreseve, seminareve etj..
  • Nxitjen, mbështetjen, dhe realizimin e veprimtarive të përbashkëta në fushën e arsimit, trajnimit, kërkimit shkencor dhe mundësimin e praktikave profesionale dhe mësimore.

Në fjalën e saj, Drejtoresha e Përgjithshme znj. Tomço theksoi se ky partneritet është rezultat i një pune njëvjeçare së bashku me Departamentin e Gjeografisë, që solli edhe momentin e përshtatshëm për të forcuar dhe zhvilluar këtë bashkëpunim. Ajo vlerësoi këtë marrëveshje si një mundësi për të gjithë studentët e UT, e jo vetëm për ata të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë por duke përfshirë këtu edhe Fakultetin Ekonomik, atë të Shkencave të Natyrës, etj..

Zonja Tomço vuri theksin te kërkimet shkencore dhe leksionet e hapura për studentët, duke theksuar se kjo është një mundësi e mirë edhe për organizmin që ajo drejton, për të zgjeruar më tej horizontet e bashkëpunimit, pas atyre të mëparshme me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Universitetin e Prishtinës,  dhe AIC, ASPA e të tjera institucione.

Nga ana e tij, Rektori Hoxha vlerësoi këtë marrëveshje si një mundësi të mirë për të përfituar nga ekspertiza dhe mundësitë, duke bërë kështu të mundur që veprimtaritë e UT, të shkojnë në dobi të zhvillimeve të shoqërisë. Ai gjithashtu theksoi se këto janë mundësi të mira edhe për vet universitetin, që të ofrojë ekspertiza për palë të tjera, në funksion të ngritjes së financave, sikurse është parashikuar edhe në Ligjin për Arsimin e Lartë.