Trajnim për stafet teknike të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës–Kanalizime Sarandë
Ekspertët e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilluan më 7 – 8 prill 2026, në qytetin e Sarandës, një trajnim dyditor me stafet teknike të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës–Kanalizime Sarandë. Aktiviteti synoi forcimin e kapaciteteve teknike në menaxhimin e informacionit gjeohapësinor, me fokus të veçantë te mbledhja, strukturimi dhe publikimi i të dhënave që lidhen me rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve. Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me kërkesat e standardit teknik të gjeoinformacionit “Infrastruktura Urbane dhe Shërbimet Qeveritare”, si edhe me procedurat që lidhen me përdorimin e Gjeoportalit Kombëtar për administrimin dhe shpërndarjen e të dhënave gjeohapësinore.
Pjesa praktike e trajnimit u përqendrua në organizimin e shtresave tematike, kontrollin e cilësisë së të dhënave, plotësimin e metadatave dhe harmonizimin e skemave sipas kërkesave teknike për publikim. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe hapave që duhen ndjekur për integrimin e të dhënave në Gjeoportalin Kombëtar, në funksion të rritjes së ndërveprueshmërisë dhe përputhshmërisë me kuadrin ligjor në fuqi.
Në vijim, ASIG do të ofrojë asistencë teknike për konsolidimin e mëtejshëm të skemave të të dhënave dhe për integrimin e plotë të tyre në Gjeoportalin Kombëtar.
ASIG dhe ASPA organizojnë trajnimin “Hyrje në Remote Sensing”
Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilloi më 26 mars 2026, trajnimin me temë “Hyrje në Remote Sensing”, me pjesëmarrjen e stafeve teknike të institucioneve publike.
Trajnimi u organizua si pjesë e angazhimit të ASIG për forcimin e kapaciteteve profesionale në fushën e gjeoinformacionit, përmes programeve të specializuara të hartuara me kontributin e ekspertëve të institucionit. Në fokus të këtij aktiviteti ishte krijimi i një kuptimi të qartë mbi bazat teorike dhe praktike të teknologjisë Remote Sensing dhe rolin që ajo luan në mbështetjen e proceseve institucionale. Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me elementët kryesorë të kësaj teknologjie, duke përfshirë spektrin elektromagnetik, tipologjitë e sensorëve, ndikimin e atmosferës në përftimin e të dhënave, si edhe mënyrën e përzgjedhjes së produkteve më të përshtatshme sipas nevojave konkrete të institucioneve.
Nëpërmjet këtij trajnimi, ASIG synon të nxisë përdorimin më të gjerë të teknologjive Remote Sensing në fusha si planifikimi urban, menaxhimi i mjedisit dhe monitorimi i territorit, duke kontribuar në vendimmarrje më të informuar dhe të mbështetur në të dhëna të besueshme. Në përfundim të trajnimit, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatë nga ASPA.
Trajnim në kuadër të bashkëpunimit ASIG-ASPA “Aplikimet e Imazherisë Satelitore për Përpunimin e të Dhënave Gjeohapësinore”
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), zhvilloi më datë 12.03.2026 trajnimin me temë “Aplikimet e Imazherisë Satelitore për Përpunimin e të Dhënave Gjeohapësinore”, me pjesëmarrjen e stafeve teknike nga institucione të administratës publike.
Ky trajnim është pjesë e kurrikulave të specializuara të hartuara nga ekspertët e ASIG për rritjen e kapaciteteve të administratës publike në përdorimin dhe menaxhimin e të dhënave gjeohapësinore.
Gjatë sesioneve të këtij trajnimi, u trajtuan konceptet kryesore të imazherisë satelitore dhe aftësimi i stafeve teknike të institucioneve pjesëmarrëse, në përdorimin praktik dhe analizimin e këtyre imazheve përmes metodave të avancuara dhe integrimit të tyre me sistemet GIS.
Ekspertët e ASIG zhvilluan trajnimin në mbështetje të administratës publike në drejtim të zhvillimit të aftësive të avancuara për analizë, interpretim dhe përdorim të të dhënave gjeohapësinore në funksion të vendimmarrjes së bazuar në evidencë.
Të gjithë pjesëmarrësit në trajnim do të pajisen me certifikatë nga ASPA.
Trajnim me stafet teknike të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nismës për rritjen e kapaciteteve në menaxhimin dhe përdorimin e informacionit gjeohapësinor, zhvilloi sot më 12.03.2026, një trajnim të dedikuar për stafin teknik të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK). Qëllimi i trajnimit ishte të forconte kapacitetet e stafit për menaxhimin dhe standardizimin e të dhënave gjeohapësinore në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, në përputhje me kuadrin ligjor dhe standardet e gjeoinformacionit.
Gjatë trajnimit u trajtua përdorimi i funksionaliteteve të Gjeoportalit Kombëtar për aksesimin e të dhënave të publikuara, analiza dhe harmonizimi i të dhënave ekzistuese nga dokumentet e planifikimit dhe shoqëritë rajonale, standardizimi i të dhënave për rrjetin e shpërndarjes së ujit dhe kanalizimeve, si dhe përdorimi praktik i modulit Editor për krijimin dhe përditësimin e të dhënave.
Trajnim në kuadër të bashkëpunimit ASIG-ASPA “Infrastruktura Kombëtare e Ofrimit të të Dhënave dhe Shërbimeve Gjeohapësinore”
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), zhvilloi më datë 05.03.2026 trajnimin me temë “Infrastruktura Kombëtare e Ofrimit të të Dhënave dhe Shërbimeve Gjeohapësinore”, me pjesëmarrjen e stafeve teknike nga institucione të administratës publike dhe njësive të vetëqeverisjes vendore.
Ky trajnim është pjesë e kurrikulave të specializuara të hartuara nga ekspertët e ASIG për rritjen e kapaciteteve të administratës publike në përdorimin dhe menaxhimin e të dhënave gjeohapësinore. Gjatë sesionit u trajtuan konceptet kryesore mbi funksionimin e Infrastrukturës Kombëtare të të Dhënave Gjeohapësinore (NSDI), rolin e saj në standardizimin dhe shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve, si dhe rëndësia e metadatave dhe e shërbimeve të rrjetit për publikimin dhe shpërndarjen e të dhënave gjeohapësinore.
Në pjesën praktike të trajnimit u prezantuan funksionalitetet kryesore të Gjeoportalit Kombëtar, duke përfshirë kërkimin, vizualizimin dhe përdorimin e të dhënave gjeohapësinore. Të gjithë pjesëmarrësit në trajnim do të pajisen me certifikatë nga ASPA.



Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes ASIG dhe AZHBR
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim forcimin e koordinimit institucional për përdorimin dhe shkëmbimin efektiv të informacionit gjeohapësinor, në funksion të krijimit dhe zhvillimit të Sistemit të Identifikimit të Parcelave të Tokës (LPIS).
Ky sistem i integruar do të shërbejë për identifikimin dhe menaxhimin e zonave bujqësore përmes ortofotove, imazheve satelitore dhe të dhënave të tjera gjeohapësinore, në përputhje me kërkesat e politikës së përbashkët bujqësore të Bashkimit Evropian.
Zbatimi i kësaj marrëveshjeje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor dhe përmbushjes së standardeve evropiane në sektorin bujqësor, duke kontribuar në digjitalizimin dhe modernizimin e administrimit të skemave në bujqësi.
Trajnim me stafin teknik të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nismës për rritjen e kapaciteteve në menaxhimin dhe përdorimin e informacionit gjeohapësinor, zhvilloi sot një trajnim të dedikuar për stafin teknik të sektorit të Administrimit të Regjistrit Kombëtar të Adresave, të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Gjatë këtij trajnimi, ASIG ofroi asistencë teknike për standardizimin dhe saktësimin e të dhënave GIS për temën “Sistemi i adresave”, si dhe trajtoi aspektet e përdorimit praktik të Gjeoportalit Kombëtar për aksesimin, menaxhimin dhe vizualizimin e të dhënave gjeohapësinore.
Zhvillohet trajnimi “Infrastruktura Kombëtare e Ofrimit të të Dhënave dhe Shërbimeve Gjeohapësinore” nga ASIG dhe ASPA
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe Shkolla Shqiptare e Administratës Publike(ASPA) zhvilluan dje më 20.11.2025, trajnimin me temë “Infrastruktura Kombëtare e Ofrimit të të Dhënave dhe Shërbimeve Gjeohapësinore”.
ASIG dhe ASPA në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet tyre kanë realizuar hartimin e kurrikulave të specializuara për rritjen e kapaciteteve të stafeve teknike në fushën e gjeoinformacionit për administratën publike.
Trajnimi ishte i fokusuar në strukturën dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të të dhënave gjeohapësinore (NSDI), rolin e saj në harmonizimin dhe shpërndarjen e të dhënave, si dhe përgjegjësitë institucionale në këtë proces. Gjatë këtij sesioni u demonstruan në mënyrë praktike funksionalitetet kryesore të Gjeoportalit Kombëtar, duke përfshirë kërkimin, vizualizimin, përdorimin dhe shkarkimin e të dhënave gjeohapësinore, si dhe mënyrat e standardizimit të të dhënave për publikim, vizualizim dhe menaxhim përmes përdorimit të shërbimeve të rrjetit. Pjesëmarrësit u njohën me rëndësinë e strukturimit të saktë të metadatave, si dhe rolin që NSDI luan në rritjen e cilësisë, interoperabilitetit dhe aksesueshmërisë së të dhënave gjeohapësinore në nivel kombëtar.
Ky trajnim kontribuon në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe në zgjerimin e përdorimit të infrastrukturës kombëtare të të dhënave gjeohapësinore për planifikim, menaxhim të territorit dhe zhvillimin e shërbimeve publike digjitale të bazuara në të dhëna të sakta dhe të qëndrueshme.
ASIG dhe ASPA organizojnë trajnimin “Aplikimet e imazherisë satelitore për përmirësimin e të dhënave gjeohapësinore”
Vijojnë trajnimet në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet ASIG dhe ASPA. Dje u zhvillua në ambientet e sallës Europa trajnimi me temë: “Aplikimet e imazherisë satelitore për përmirësimin e të dhënave gjeohapësinore”.
Qëllimi i këtij trajnimi është aftësimi i stafeve teknike të insititucioneve të ndryshme publike në përdorimin praktik të imazherisë satelitore për analizën dhe përmirësimin e të dhënave gjeohapësinore përmes aplikimit të metodave të avancuara dhe integrimit të tyre me sistemet GIS.
Ekspertët e ASIG zhvilluan trajnimin e parë të kësaj kurrikule në mbështetje të administratës publike në drejtim të zhvillimit të aftësive të avancuara për analizë, interpretim dhe përdorim të të dhënave gjeohapësinore në funksion të vendimmarrjes së bazuar në evidencë.
































