Mbledhje online e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor BIG

U zhvillua sot më 20.12.2024, online, mbledhja e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor BIG nën drejtimin e kryetarit të këtij bordi z. Ermal Nufi, Drejtor i Kabinetit të Zëvendëskryeministrit.

Në takim ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e BIG.

Drejtori i Përgjithshëm i ASIG znj. Vilma Tomço i njohu anëtarët e bordit me ndryshimet më të fundit ligjore që rregullojnë veprimtarinë e ASIG, arritjet e këtij institucioni gjatë vitit 2024, problematikat e hasura si dhe projektet e që ASIG ka planifikuar të zhvillojë gjatë vitit 2025.

Kryetari i bordit  z. Ermal Nufi falënderoi stafin e ASIG për punën e bërë dhe dha rekomandimet e tij veçanërisht për sa i përket përdorimit nga institucionet publike të produkteve të shërbimit satelitor. Gjithashtu ai kërkoi nga drejtoritë teknike të ASIG përgatitjen e një raporti të detajuar për këtë qëllim.

ASIG merr pjesë në eventin përmbyllës të projektit SPATIAL II

Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në eventin e organizuar më 4-6 Dhjetor 2024, i cili u zhvillua në Beograd, Serbi, për mbylljen e projektit SPATIAL II,  organizuar nga agjencia holandeze Kadaster dhe mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës.

Qëllimi i këtij projekti ishte forcimi i aksesit profesional në informacionin mbi tokën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ka mbështetur zhvillimin e infrastrukturës kombëtare të të dhënave hapësinore në Shqipëri dhe shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Eventi për mbylljen e projektit bëri bashkë aktorë kyç nga institucionet qeveritare dhe organizatat ndërkombëtare, përfaqësitë diplomatike të rajonit dhe shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe infrastrukturës gjeohapësinore. Gjatë tre ditëve të eventit u diskutuan përfitimet kryesore të projektit, si dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të ndajnë eksperiencat dhe arritjet e tyre në kuadër të këtij projekti, si dhe të eksplorojnë mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e menaxhimit të informacionit për tokën. Kjo ngjarje ofroi një mundësi të shkëlqyer për të thelluar lidhjet dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të sistemeve të të dhënave gjeohapësinore në rajon.

Ky event shërbeu si një  hapësirë e rëndësishme për përfaqësuesit e ASIG në lidhje me forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve dhe përmirësimin e mundësive për zhvillimin e sistemeve të të dhënave gjeohapësinore në Shqipëri.

ASIG merr pjesë në takimin e parë të Komitetit Koordinues Teknik për projektin NFFIS-NbS DRR mes AKMC dhe JICA

Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor ASIG morën pjesë dje në takimin e parë të  Grupit Teknik Koordinues,  ku bën pjesë dhe ASIG, të projektit “Ndërtimi i Kapaciteteve për Sistemin Kombëtar të Informacionit për Zjarret në Pyje (National Forest Fire Information System, NFFIS) dhe Zgjidhjeve të bazuara në Natyrë për Zvogëlimin e Risqeve nga Fatkeqësitë (Nature based Solution -Disaster Risk Reduction, NbS-DRR)”.

Temat e këtij takimi ishin;

  • Prezantimi i planit, progresi i aktiviteteve dhe qëllimi i projektit i cili ka të bëjë me ngritjen e kapaciteteve të institucioneve publike në lidhje me reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë (DRR) nga zjarret dhe erozionin në pyje nëpërmjet krijimit të Sistemit Kombëtar të Informacionit për Zjarret në Pyje (NFFIS),
  • Aplikimi i zgjidhjeve të bazuara në natyrë për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë (NbS-DRR).

Gjatë prezantimeve u paraqitën dy nga komponentët e këtij projekti, NFFIS i cili është një sistem i integruar Web-GIS për parandalimin, paralajmërimin e hershëm, grumbullimin dhe shpërndarjen e te dhënave për zjarret në pyje, me agjencitë përkatëse dhe publikun, dhe NbS-DRR i cili shërben për kontrollin e erozionit në Basenin e Pellgut Ujëmbledhës të Bovillës ku u shpjegua ecuria e këtij komponenti dhe plani në vijim.

ASIG merr pjesë në Konferencën “Avancimi në Digjitalizimin e Shërbimeve Kadastrale”

Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor morën pjesë në konferencën “Avancimi në Digjitalizimin e Shërbimeve Kadastrale” e cila u organizua nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, më 20 dhe 21 Nëntor, në Prizren, Kosovë.

Kjo konferencë do të shërbejë si një platformë unike për shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe zgjidhjeve inovative, duke udhëhequr drejt një sistemi kadastral digjital e konkurrues, jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë e më gjerë.

Gjatë dy ditëve të kësaj konference u zhvilluan sesione të ndryshme me prezantime e diskutime mes ekspertësh e profesionistësh të ndryshëm të fushës së kadastrës dhe gjeoinformacionit si më poshtë;

  • Diskutime për avancimet më të fundit në fushën e kadastrës,
  • Idetë dhe praktikat më të mira nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë,
  • Ngritja e bashkëpunimit dhe lidhjeve profesionale,
  • Panele diskutimi me profesionistë lider të industrisë.

 

ASIG dhe Departamenti e Gjeografisë organizojnë Forumin GIS Day

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në bashkëpunim me Departamentin e Gjeografisë pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë(FHF) të Universitetit të Tiranës,  organizuan sot Forumin GIS Day.

Dita e Ndërkombëtare e GIS organizohet në mbarë botën dhe synon të nxjerrë në pah rolin e rëndësishëm të Sistemeve të Informacionit Gjeohapësinor (GIS) në marrjen e vendimeve të shpejta dhe të drejta, në zgjidhjen e problemeve komplekse që lidhen me mjedisin, planifikimin urban, zhvillimin ekonomik etj..

Ky forum i moderuar nga nj. Sonila Xhafa Drejtuese e Departamentit të Gjeografisë, u   përshëndet nga Zëvendës Rektorja e Universitetit të Tiranës prof. dr. znj. Anila Paparisto, Drejtori i Përgjithshëm i ASIG dr. Znj. Vilma Tomço,  Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë  prof. dr. z. Mark Marku dhe Nënkryetari i Senatit Akademik prof. dr. Sokol Axhemi.

 

Forumi  “Dita Ndërkombëtare e GIS”, bëri bashkë profesionistë dhe ekspertë të këtij sektori nga institucionet publike e private, bota akademike dhe biznesi  të cilët ndanë eksperiencën e tyre në projekte dhe aplikime të ndryshme të GIS, me qëllim nxitjen e bashkëpunimit dhe inovacionin në teknologjitë gjeohapësinore.

Fokusi  i fjalës së tyre ishte forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve  dhe botës akademike me qëllim rritjen e kapaciteteve njerëzore përmes përgatitjes së specialistëve të rinj në përputhje me prioritetet e zhvillimit të vendit, kryerjen e ekspertizave kërkimore dhe integrimin e mësimdhënies me kërkimin shkencor, për përdorimin e mundësive që krijon teknologjia në fushën e gjeoinformacionit.

Ky forum vlerësoi rëndësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe Universitetit të Tiranës e cila pritet të nënshkruhet në ditët e ardhshme.

Aktivitete të ASIG në kuadër të GIS Day

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor ASIG organizoi sot disa aktivitete të cilat i paraprijnë eventeve në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të GIS (GIS Day).

Me fokus në rëndësinë që ka sot informacioni gjeohapësinor dhe interesit gjithnjë e në rritje të përdorimit të Sistemeve të Informacionit Gjeohapësinor (GIS), ASIG organizoi një forum diskutimesh me ekspertë të fushës akademike dhe teknike si dhe një leksion të hapur me studentë nga Departamenti i Gjeografisë, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës, me temë: “Monitorimi i territorit me teknologjinë Remote Sensing”.

Gjithashtu po sot u zhvillua një orë mësimi interaktiv me nxënësit e Shkollës së Mesme, Profesionale “Karl Gega” ku ekspertët e ASIG iu demonstruan nga afër nxënësve të kësaj shkolle funksionalitetet e Gjeoportalit Kombëtar dhe i njohën ata me të dhënat gjeohapësinore të publikuar në këtë Gjeoportal.

Trajnim me stafin teknik të bashkisë Përmet

Vijojnë trajnimet për rritjen e kapaciteteve të stafeve teknike të bashkive të vendit nga ekspertët e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor.

U zhvillua sot në ambientet e ASIG trajnim me stafin teknik të bashkisë Përmet, ku tematikat e trajtuara në këtë trajnim ishin:

  • Përdorimi dhe funksionalitetet e Gjeoportalit Kombëtar;
  • Mbledhja e të dhënave sipas temave të gjeoinformacionit për: Njësitë administrative dhe fshatrat në përbërje të tyre (rendi 4 dhe 5), Rrjeti i transportit rrugor lokal;
  • Prezantimi i produkteve të përftuara nga projekti i Shërbimit Satelitor.

Takim mes ASIG, AKUK-së dhe UK-ve Rajonale

U zhvillua ditën e premte më 25.10.2024, në ambientet e sallës Europa një takim pune mes ASIG dhe përfaqësuesve të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK) dhe Shoqërive Rajonale të Ujësjellës Kanalizimeve.

Fokusi i këtij takimi  ishte diskutimi mbi bashkëpunimin që do ndiqet me këto institucione  për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave për “Rrjetin e Shpërndarjes së Ujit dhe Kanalizimeve”,  të cilat kërkohen të jenë konform standardit të miratuar me VKM nr. 998, datë 09.12.2020, për temën: “Infrastruktura urbane dhe shërbimet qeveritare”” .

Trajnim online me Satelogic

Drejtoria e përpunimit të të Dhënave Remote Sensing zhvilloi në datat 21, 22 dhe 24 Tetor një trajnim on-line me ekspertët e kompanisë amerikane Satelogic.

Tematikat e trajtuara gjatë këtij trajnimi ishin:

  • Inteligjenca Artificiale ( AI),
  • Prezantimi me Satelitin Mark V.

Pjesëtarët e stafit të kësaj drejtorie patën mundësi të diskutojnë gjatë këtij takimi on-line  me ekspertët amerikan të Satelogic mbi gjendje aktuale të teknologjisë për sa i përket AI dhe rastet e përdorimit në industri.

Gjithashtu me interes të veçantë për pjesëmarrësit ishte prezantimi me Satelitin Mark V, specifikimet e tij dhe statusi aktual.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *