ASIG merr pjesë në asamblenë e përgjithshme “EU Space Networks General Assembly 2026”
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në asamblenë e përgjithshme “EU Space Networks General Assembly 2026” e cila u zhvillua më 27–28 maj 2026, në Nikozia, Qipro.
Në fokus të asamblesë këtë vit ishin zhvillimet më të fundit në sektorin hapësinor evropian, bashkëpunimi ndërmjet rrjeteve të BE-së dhe përdorimi i teknologjive satelitore në fusha të ndryshme.
Ky aktivitet bëri bashkë përfaqësues të institucioneve evropiane të gjeoinformacionit, organizatave ndërkombëtare dhe botës akademike për të diskutuar temat kryesore që lidhen me sigurinë, inteligjencën artificiale, komunikimet satelitore dhe menaxhimin e trafikut hapësinor.
Një temë e rëndësishme e aktivitetit ishte zhvillimi i Inteligjencës Artificiale dhe përdorimi i saj për përpunimin e të dhënave të vëzhgimit të tokës (Earth Observation), duke prezantuar projekte dhe modele inovative për analizën e të dhënave satelitore.
Programi i asamblesë u përmbyll me zhvillimin e vizitave teknike në stacionin satelitor të marrjes së të dhënave pranë “Eratosthenes Centre of Excellence”, ku pjesëmarrësit u njohën me aktivitetet operacionale, infrastrukturat e përdorura për monitorimin dhe përpunimin e të dhënave satelitore, si dhe vizita në infrastrukturën satelitore të GOVSATCOM në Kofinou, ku u ofrua një pasqyrë praktike mbi shërbimet evropiane të komunikimit satelitor të sigurt dhe aplikimet e tyre në fushën e sigurisë dhe menaxhimit të emergjencave.
Zhvillohet workshop-i “Albania Satellite Service Workshop”
Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) mori pjesë në workshop-in me temë “Albania Satellite Service Workshop” të organizuar nga kompania Satellogic, më 26.05.2026, në ambientet e Xheko Imperial, Tiranë.
Qëllimi i këtij workshop-i ishte prezantimi dhe diskutimi i ecurisë së shërbimit satelitor në Shqipëri, arritjet e programit ASIG–Satellogic gjatë periudhës 2022–2026, si dhe mundësitë e mëtejshme për zgjerimin e përdorimit të të dhënave satelitore nga institucionet publike.
Në këtë workshop ASIG prezantoi arritjet e shërbimit satelitor në Shqipëri, duke theksuar përvojën e krijuar për monitorim satelitor, përdorimin e dy satelitëve të dedikuar për territorin shqiptar, rritjen e kapaciteteve për përpunim të pavarur të të dhënave satelitore në sistemet GIS, si dhe infrastrukturën teknologjike të avancuar për analizimin dhe përpunimin e të dhënave.
Ky aktivitet shërbeu si një platformë teknike për shkëmbimin e informacionit ndërmjet ASIG, Satellogic, AKMC dhe stafeve teknike të institucioneve përfituese, me fokus kryesor te kapacitetet aktuale të shërbimit satelitor, si dhe tek produktet e krijuara nga ASIG nëpërmjet këtij shërbimi.
Gjithashtu përfaqësues të Satellogic prezantuan profilin e kompanisë, kapacitetet teknike dhe produktet kryesore të shërbimeve satelitore që ofron kjo kompani.
ASIG zhvillon trajnim për stafet teknike të Shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Berat
Ekspertë të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilluan më 26 maj 2026, një trajnim me stafet teknike të Shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Berat, në kuadër të mbështetjes për rritjen e kapaciteteve në përdorimin dhe administrimin e të dhënave gjeohapësinore.
Trajnimi u fokusua në rëndësinë e mbledhjes, strukturimit dhe publikimit të të dhënave sipas standardeve teknike të gjeoinformacionit, me vëmendje të veçantë tek standardi “Infrastruktura Urbane dhe Shërbimet Qeveritare”. Gjithashtu, pjesëmarrësit u njohën me funksionalitetet kryesore të Gjeoportalit Kombëtar, si instrument për aksesimin, kërkimin dhe menaxhimin e informacionit gjeohapësinor.
Përmes këtij trajnimi, ASIG synon të mbështesë institucionet në përmirësimin e cilësisë së të dhënave, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe forcimin e praktikave të standardizuara në administrimin e informacionit gjeohapësinor në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve.






