ASIG merr pjesë në eventin përmbyllës të projektit SPATIAL II
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në eventin e organizuar më 4-6 Dhjetor 2024, i cili u zhvillua në Beograd, Serbi, për mbylljen e projektit SPATIAL II, organizuar nga agjencia holandeze Kadaster dhe mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës.
Qëllimi i këtij projekti ishte forcimi i aksesit profesional në informacionin mbi tokën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ka mbështetur zhvillimin e infrastrukturës kombëtare të të dhënave hapësinore në Shqipëri dhe shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Eventi për mbylljen e projektit bëri bashkë aktorë kyç nga institucionet qeveritare dhe organizatat ndërkombëtare, përfaqësitë diplomatike të rajonit dhe shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe infrastrukturës gjeohapësinore. Gjatë tre ditëve të eventit u diskutuan përfitimet kryesore të projektit, si dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të ndajnë eksperiencat dhe arritjet e tyre në kuadër të këtij projekti, si dhe të eksplorojnë mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e menaxhimit të informacionit për tokën. Kjo ngjarje ofroi një mundësi të shkëlqyer për të thelluar lidhjet dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të sistemeve të të dhënave gjeohapësinore në rajon.
Ky event shërbeu si një hapësirë e rëndësishme për përfaqësuesit e ASIG në lidhje me forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve dhe përmirësimin e mundësive për zhvillimin e sistemeve të të dhënave gjeohapësinore në Shqipëri.
ASIG merr pjesë në takimin e parë të Komitetit Koordinues Teknik për projektin NFFIS-NbS DRR mes AKMC dhe JICA
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor ASIG morën pjesë dje në takimin e parë të Grupit Teknik Koordinues, ku bën pjesë dhe ASIG, të projektit “Ndërtimi i Kapaciteteve për Sistemin Kombëtar të Informacionit për Zjarret në Pyje (National Forest Fire Information System, NFFIS) dhe Zgjidhjeve të bazuara në Natyrë për Zvogëlimin e Risqeve nga Fatkeqësitë (Nature based Solution -Disaster Risk Reduction, NbS-DRR)”.
Temat e këtij takimi ishin;
- Prezantimi i planit, progresi i aktiviteteve dhe qëllimi i projektit i cili ka të bëjë me ngritjen e kapaciteteve të institucioneve publike në lidhje me reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë (DRR) nga zjarret dhe erozionin në pyje nëpërmjet krijimit të Sistemit Kombëtar të Informacionit për Zjarret në Pyje (NFFIS),
- Aplikimi i zgjidhjeve të bazuara në natyrë për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë (NbS-DRR).
Gjatë prezantimeve u paraqitën dy nga komponentët e këtij projekti, NFFIS i cili është një sistem i integruar Web-GIS për parandalimin, paralajmërimin e hershëm, grumbullimin dhe shpërndarjen e te dhënave për zjarret në pyje, me agjencitë përkatëse dhe publikun, dhe NbS-DRR i cili shërben për kontrollin e erozionit në Basenin e Pellgut Ujëmbledhës të Bovillës ku u shpjegua ecuria e këtij komponenti dhe plani në vijim.