ASIG merr pjesë në asamblenë e përgjithshme “EU Space Networks General Assembly 2026”
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në asamblenë e përgjithshme “EU Space Networks General Assembly 2026” e cila u zhvillua më 27–28 maj 2026, në Nikozia, Qipro.
Në fokus të asamblesë këtë vit ishin zhvillimet më të fundit në sektorin hapësinor evropian, bashkëpunimi ndërmjet rrjeteve të BE-së dhe përdorimi i teknologjive satelitore në fusha të ndryshme.
Ky aktivitet bëri bashkë përfaqësues të institucioneve evropiane të gjeoinformacionit, organizatave ndërkombëtare dhe botës akademike për të diskutuar temat kryesore që lidhen me sigurinë, inteligjencën artificiale, komunikimet satelitore dhe menaxhimin e trafikut hapësinor.
Një temë e rëndësishme e aktivitetit ishte zhvillimi i Inteligjencës Artificiale dhe përdorimi i saj për përpunimin e të dhënave të vëzhgimit të tokës (Earth Observation), duke prezantuar projekte dhe modele inovative për analizën e të dhënave satelitore.
Programi i asamblesë u përmbyll me zhvillimin e vizitave teknike në stacionin satelitor të marrjes së të dhënave pranë “Eratosthenes Centre of Excellence”, ku pjesëmarrësit u njohën me aktivitetet operacionale, infrastrukturat e përdorura për monitorimin dhe përpunimin e të dhënave satelitore, si dhe vizita në infrastrukturën satelitore të GOVSATCOM në Kofinou, ku u ofrua një pasqyrë praktike mbi shërbimet evropiane të komunikimit satelitor të sigurt dhe aplikimet e tyre në fushën e sigurisë dhe menaxhimit të emergjencave.
Zhvillohet workshop-i “Albania Satellite Service Workshop”
Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) mori pjesë në workshop-in me temë “Albania Satellite Service Workshop” të organizuar nga kompania Satellogic, më 26.05.2026, në ambientet e Xheko Imperial, Tiranë.
Qëllimi i këtij workshop-i ishte prezantimi dhe diskutimi i ecurisë së shërbimit satelitor në Shqipëri, arritjet e programit ASIG–Satellogic gjatë periudhës 2022–2026, si dhe mundësitë e mëtejshme për zgjerimin e përdorimit të të dhënave satelitore nga institucionet publike.
Në këtë workshop ASIG prezantoi arritjet e shërbimit satelitor në Shqipëri, duke theksuar përvojën e krijuar për monitorim satelitor, përdorimin e dy satelitëve të dedikuar për territorin shqiptar, rritjen e kapaciteteve për përpunim të pavarur të të dhënave satelitore në sistemet GIS, si dhe infrastrukturën teknologjike të avancuar për analizimin dhe përpunimin e të dhënave.
Ky aktivitet shërbeu si një platformë teknike për shkëmbimin e informacionit ndërmjet ASIG, Satellogic, AKMC dhe stafeve teknike të institucioneve përfituese, me fokus kryesor te kapacitetet aktuale të shërbimit satelitor, si dhe tek produktet e krijuara nga ASIG nëpërmjet këtij shërbimi.
Gjithashtu përfaqësues të Satellogic prezantuan profilin e kompanisë, kapacitetet teknike dhe produktet kryesore të shërbimeve satelitore që ofron kjo kompani.
ASIG zhvillon trajnim për stafet teknike të Shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Berat
Ekspertë të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilluan më 26 maj 2026, një trajnim me stafet teknike të Shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Berat, në kuadër të mbështetjes për rritjen e kapaciteteve në përdorimin dhe administrimin e të dhënave gjeohapësinore.
Trajnimi u fokusua në rëndësinë e mbledhjes, strukturimit dhe publikimit të të dhënave sipas standardeve teknike të gjeoinformacionit, me vëmendje të veçantë tek standardi “Infrastruktura Urbane dhe Shërbimet Qeveritare”. Gjithashtu, pjesëmarrësit u njohën me funksionalitetet kryesore të Gjeoportalit Kombëtar, si instrument për aksesimin, kërkimin dhe menaxhimin e informacionit gjeohapësinor.
Përmes këtij trajnimi, ASIG synon të mbështesë institucionet në përmirësimin e cilësisë së të dhënave, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe forcimin e praktikave të standardizuara në administrimin e informacionit gjeohapësinor në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve.
ASIG realizon aplikacionin digjital “Monitorimi i serrave bujqësore 2023 – 2025” , për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) ka realizuar aplikacionin digjital “Monitorimi i serrave bujqësore 2023-2025”, për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ky aplikacion është i dedikuar vetëm për përdorim nga institucionet, duke garantuar akses të kontrolluar dhe përdorim në funksion të ushtrimit të funksioneve të tyre.
Dashboard-i “Monitorimi i serrave bujqësore 2023–2025” ofron një analizë të detajuar të zhvillimit të serrave bujqësore në Shqipëri. Ky produkt është rezultat i përpunimit dhe analizimit të imazheve satelitore me rezolucion të lartë dhe aplikimit të modeleve të inteligjencës artificiale për detektimin automatik të serrave bujqësore, me një saktësi prej 70%.
Ai ofron një pasqyrë të detajuar mbi numrin dhe sipërfaqen e serrave për çdo bashki, ndryshimet ndër vite dhe tendencat e zhvillimit të aktivitetit bujqësor.
Përmes filtrimit dinamik, hartave interaktive dhe vizualizimeve grafike, platforma shërben si një mjet mbështetës për institucionet publike në planifikimin dhe analizën e politikave bujqësore, si dhe në proceset e vendimmarrjes bazuar në të dhëna.
Në videon më poshtë gjeni një tutorial ilustrues mbi përdorimin e këtij aplikacioni.
ASIG merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të EuroGeographics
Drejtues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor morën pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të EuroGeographics e cila u zhvillua në Ostend, Belgjikë, më 17–20 Maj 2026.
Ky takim bëri bashkë mbi 130 përfaqësues të lartë, nga 42 vende evropiane, përfshirë drejtues të autoriteteve kombëtare të hartografisë, kadastrës dhe regjistrimit të tokës, për të diskutuar mbi rolin strategjik të të dhënave gjeohapësinore autoritative, që janë thelbësore për sistemet dinamike në mbështetje të vendimmarrjes të cilat sigurojnë gatishmërinë, qëndrueshmërinë dhe reagimin evropian ndaj krizave.
Qëllimi kryesor i pjesëmarrjes në këtë aktivitet ishte shkëmbimi i eksperiencave dhe praktikave më të mira, me synimin për të sjellë në Autoritetin Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) modele dhe qasje që kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të institucionit.
Në takimet bilaterale të zhvilluara nga Drejtori i Përgjithshëm i ASIG me drejtues të organizatave dhe agjencive evropiane, u diskutuan çështje që lidhen me sfidat aktuale të vendit tonë, si dhe me të ardhmen e veprimtarisë së ASIG në drejtim të implementimit të Direktivës INSPIRE dhe ndërtimit të Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor (NSDI) në Shqipëri.
Në kuadër të këtij takimi, pjesëmarrësit patën mundësinë të zhvillojnë diskutime dhe të forcojnë bashkëpunimin me organizatat simotra evropiane, si dhe të krijojnë lidhje me aktorë kyç të fushës së informacionit gjeohapësinor.
Asambleja e Përgjithshme shërbeu gjithashtu si një platformë e rëndësishme për ndjekjen e prezantimeve nga folës dhe ekspertë të njohur ndërkombëtarë, të cilët trajtuan një gamë të gjerë temash që lidhen me informacionin gjeohapësinor.
Trajnim për stafet teknike të Shoqërisë Ujësjellës – Kanalizime Tiranë
Ekspertët e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilluan sot, më 12 maj 2026, një trajnim të dedikuar për stafet teknike të Shoqërisë Ujësjellës – Kanalizime Tiranë.
Trajnimi synoi rritjen e kapaciteteve teknike në menaxhimin dhe administrimin e informacionit gjeohapësinor, duke u fokusuar në proceset e mbledhjes, organizimit dhe publikimit të të dhënave në sektorin e ujësjellës – kanalizimeve. Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit u njohën me kërkesat e standardit teknik të gjeoinformacionit “Infrastruktura Urbane dhe Shërbimet Qeveritare”, si edhe me përdorimin e Gjeoportalit Kombëtar në administrimin e të dhënave gjeohapësinore, përfshirë funksionalitetet e tij për aksesimin, kërkimin dhe menaxhimin e informacionit të publikuar.
Ky trajnim kontribuon në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe në rritjen e ndërveprueshmërisë ndërmjet institucioneve, duke mbështetur administrimin e standardizuar të informacionit gjeohapësinor në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve.
ASIG organizoi aktivitetin “Mapathon në kuadër të Ditës së Tokës 2026”
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) organizoi më datë 22 prill 2026 aktivitetin “Mapathon në kuadër të Ditës së Tokës 2026”, me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave të mesme të qytetit të Tiranës.
Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Universitetit Politeknik të Tiranës dhe synoi të afrojë nxënësit me përdorimin e hartave, të dhënave gjeohapësinore dhe Gjeoportalit Kombëtar, në funksion të mbrojtjes së mjedisit dhe ndërgjegjësimit në kuadër të Ditës së Tokës. Në këtë veprimtari morën pjesë nëntë institucione arsimore.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit punuan në ekipe për realizimin e disa hartave tematike, duke zbatuar njohuri praktike mbi elementet e hartës, përdorimin e të dhënave gjeohapësinore dhe interpretimin e informacionit të përpunuar. Në përfundim, punimet e përgatitura u prezantuan përpara jurisë, e cila bëri vlerësimin e tyre mbi bazën e kritereve të përcaktuara për aktivitetin. Në përfundim të vlerësimit, Gjimnazi “Sinan Tafaj” u rendit i pari, me punimin më të mirë të paraqitur në këtë konkurs.
Ky aktivitet shërbeu si një mundësi konkrete për të nxitur interesin e të rinjve ndaj teknologjive gjeohapësinore dhe për të promovuar përdorimin e tyre në kuptimin e territorit, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm. ASIG falënderon të gjithë nxënësit pjesëmarrës, mësuesit shoqërues, institucionet arsimore pjesëmarrëse, Universitetin Politeknik të Tiranës, si dhe stafin e angazhuar për kontributin në realizimin me sukses të këtij aktiviteti.
Trajnim për stafet teknike të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës–Kanalizime Sarandë
Ekspertët e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilluan më 7 – 8 prill 2026, në qytetin e Sarandës, një trajnim dyditor me stafet teknike të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës–Kanalizime Sarandë. Aktiviteti synoi forcimin e kapaciteteve teknike në menaxhimin e informacionit gjeohapësinor, me fokus të veçantë te mbledhja, strukturimi dhe publikimi i të dhënave që lidhen me rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve. Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me kërkesat e standardit teknik të gjeoinformacionit “Infrastruktura Urbane dhe Shërbimet Qeveritare”, si edhe me procedurat që lidhen me përdorimin e Gjeoportalit Kombëtar për administrimin dhe shpërndarjen e të dhënave gjeohapësinore.
Pjesa praktike e trajnimit u përqendrua në organizimin e shtresave tematike, kontrollin e cilësisë së të dhënave, plotësimin e metadatave dhe harmonizimin e skemave sipas kërkesave teknike për publikim. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe hapave që duhen ndjekur për integrimin e të dhënave në Gjeoportalin Kombëtar, në funksion të rritjes së ndërveprueshmërisë dhe përputhshmërisë me kuadrin ligjor në fuqi.
Në vijim, ASIG do të ofrojë asistencë teknike për konsolidimin e mëtejshëm të skemave të të dhënave dhe për integrimin e plotë të tyre në Gjeoportalin Kombëtar.
ASIG organizoi aktivitetin “Gratë në Teknologjitë Gjeohapësinore – Histori Suksesi”
Më 2 prill 2026, në ambientet e Europe House, Tiranë, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) organizoi aktivitetin “Gratë në Teknologjitë Gjeohapësinore – Histori Suksesi”, në kuadër të nismave për promovimin e rolit dhe kontributit të grave në fushën e teknologjive gjeohapësinore.
Aktiviteti mblodhi së bashku përfaqësuese nga institucionet publike, akademia dhe sektori privat, të cilat ndanë përvojat e tyre profesionale, sfidat e hasura gjatë rrugëtimit të tyre, si dhe perspektivat mbi zhvillimin e kësaj fushe në Shqipëri. Përmes këtij bashkëbisedimi u vunë në pah jo vetëm arritjet individuale dhe institucionale, por edhe rëndësia e përfshirjes së grave në sektorë të lidhur ngushtë me teknologjinë, inovacionin dhe përdorimin e të dhënave gjeohapësinore.
Për ASIG, ky aktivitet përbënte një mundësi të rëndësishme për të sjellë në vëmendje kontributin e grave në zhvillimin e gjeoinformacionit, si dhe për të nxitur interesin e vajzave dhe grave për t’u orientuar drejt kësaj fushe. Nëpërmjet historive të suksesit, përvojave konkrete dhe mesazheve frymëzuese të ndara gjatë aktivitetit, u promovua një qasje më inkurajuese dhe më gjithëpërfshirëse ndaj pjesëmarrjes së grave në teknologjitë gjeohapësinore.
ASIG mbetet i angazhuar për të mbështetur nisma që promovojnë zhvillimin e kapaciteteve, fuqizimin profesional dhe krijimin e mundësive të reja për përfshirjen e grave në fusha me rëndësi strategjike për zhvillimin e vendit.






















