Në ambientet e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit është duke u zhvilluar workshop –i me temë: “Ndërtimi i kapaciteteve në fushën e edukimit të lartë, projekti BESTSDI”.
Në ditën e parë të këtij workshop-i Drejtori i Përgjithshëm i ASIG z.Lorenc Çala mbajti një prezantim mbi rolin, përgjegjësitë dhe arritjet e ASIG në krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor (NSDI) në Republikën e Shqipërisë.
Në prezantim u evidentua nevoja e rritjes së kapaciteteve të profesionistëve të fushës së gjeoinformacionit, roli i kurikulës universitare në këtë drejtim dhe nevoja e përshtatjes së saj me zhvillimet e vrullshme teknologjike.
Projekti BESTSDI (Evolimi i edukimit akademik në Ballkanin Perëndimor dhe trajnimi i vazhdueshëm profesional për infrastrukturën e informacionit gjeohapësinor), është ndërmarrë në kuadër të programit Erasmus + për të mbështetur edukimin e lartë dhe ngritjen e kapaciteteve në nivelet e kërkuara ndërkombëtare për implementimin e direktivës evropiane 2007/2/EC “INSPIRE”.
Kontributi i drejtpërdrejtë i këtij workshop-i është ndryshimi dhe përmirësimi i kurikulave universitare për të përgatitur profesionistë që do të do të krijojnë dhe përdorin informacion gjeohapësinor, të standardeve evropiane.