Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në trajnimin e zhvilluar nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), nga data 27 Maj deri më 7 Korrik 2018, në Japoni, lidhur me “Menaxhimi dhe shfrytëzimi i pikave të kontrollit kombëtar për efikasitetin e punimeve gjeodezike”.
Ky trajnim synonte zgjerimin e njohurive dhe rritjen e kapaciteteve në menaxhimin dhe shfrytëzimin e Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare. Programi i tij ishte i shumanshëm, duke nisur nga njohuritë bazë mbi sistemin administrativ dhe aktivitetet gjeodezike në Japoni deri në njohuritë e thelluara teorike dhe praktike mbi sistemet GNSS, CORS, Gravimetri etj.
Përveç njohurive të mësipërme, pjesëmarrësit e ASIG, z.Arian Lasku nga Sektori i KRGJSH-së dhe z.Rudens Konomi nga Sektori i Infrastrukturës së Sistemeve CORS realizuan një studim me mbështetjen e ekspertëve japonezë, për zgjidhjen dhe përmirësimin e problemeve ekzistuese që lidhen me Kornizën Referuese Gjeodezike në Shqipëri.