
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe Shkolla Shqiptare e Administratës Publike(ASPA) zhvilluan dje më 20.11.2025, trajnimin me temë “Infrastruktura Kombëtare e Ofrimit të të Dhënave dhe Shërbimeve Gjeohapësinore”.
ASIG dhe ASPA në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet tyre kanë realizuar hartimin e kurrikulave të specializuara për rritjen e kapaciteteve të stafeve teknike në fushën e gjeoinformacionit për administratën publike.
Trajnimi ishte i fokusuar në strukturën dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të të dhënave gjeohapësinore (NSDI), rolin e saj në harmonizimin dhe shpërndarjen e të dhënave, si dhe përgjegjësitë institucionale në këtë proces. Gjatë këtij sesioni u demonstruan në mënyrë praktike funksionalitetet kryesore të Gjeoportalit Kombëtar, duke përfshirë kërkimin, vizualizimin, përdorimin dhe shkarkimin e të dhënave gjeohapësinore, si dhe mënyrat e standardizimit të të dhënave për publikim, vizualizim dhe menaxhim përmes përdorimit të shërbimeve të rrjetit. Pjesëmarrësit u njohën me rëndësinë e strukturimit të saktë të metadatave, si dhe rolin që NSDI luan në rritjen e cilësisë, interoperabilitetit dhe aksesueshmërisë së të dhënave gjeohapësinore në nivel kombëtar.
Ky trajnim kontribuon në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe në zgjerimin e përdorimit të infrastrukturës kombëtare të të dhënave gjeohapësinore për planifikim, menaxhim të territorit dhe zhvillimin e shërbimeve publike digjitale të bazuara në të dhëna të sakta dhe të qëndrueshme.






