Telefon: +355 4 223 6762

Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në eventin e organizuar më 4-6 Dhjetor 2024, i cili u zhvillua në Beograd, Serbi, për mbylljen e projektit SPATIAL II,  organizuar nga agjencia holandeze Kadaster dhe mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës.

Qëllimi i këtij projekti ishte forcimi i aksesit profesional në informacionin mbi tokën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ka mbështetur zhvillimin e infrastrukturës kombëtare të të dhënave hapësinore në Shqipëri dhe shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Eventi për mbylljen e projektit bëri bashkë aktorë kyç nga institucionet qeveritare dhe organizatat ndërkombëtare, përfaqësitë diplomatike të rajonit dhe shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe infrastrukturës gjeohapësinore. Gjatë tre ditëve të eventit u diskutuan përfitimet kryesore të projektit, si dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të ndajnë eksperiencat dhe arritjet e tyre në kuadër të këtij projekti, si dhe të eksplorojnë mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e menaxhimit të informacionit për tokën. Kjo ngjarje ofroi një mundësi të shkëlqyer për të thelluar lidhjet dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të sistemeve të të dhënave gjeohapësinore në rajon.

Ky event shërbeu si një  hapësirë e rëndësishme për përfaqësuesit e ASIG në lidhje me forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve dhe përmirësimin e mundësive për zhvillimin e sistemeve të të dhënave gjeohapësinore në Shqipëri.