U zhvillua sot më 28.03.2024, në ambientet e Kryeministrisë mbledhja e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor (BIG), nën drejtimin e Kryetarit të këtij bordi z. Ermal Nufi.
Në prezantimin e mbajtur nga Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), znj. Vilma Tomço, u evidentuan arritjet kryesore të ASIG gjatë vitit 2023 dhe objektivat punës për vitin 2024.
Në përfundim të prezantimit, kryetari i BIG z. Ermal Nufi vlerësoi arritjet e ASIG dhe kërkoi bashkëpunimin e institucioneve që përfaqësojnë anëtarët e BIG si aktorë të rëndësishëm në fushën e gjeoinformacionit.
Gjithashtu në këtë mbledhje u prezantuan dy projekt akte të parashikuara nga ASIG për vitin 2024:
- Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 72/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë””
- Projekt vendimi për një ndryshim në dokumentin “Standardet Shtetërore për Specifikimet Teknike të Informacionit Gjeohapësinor në Shqipëri –Tema: Imazhi i hartës bazë”.
Pas prezantimeve dhe diskutimeve të zhvilluara anëtarët e BIG shprehën miratimin e tyre për këto projekt akte.
Një pikë tjetër e rendit të ditës në këtë mbledhje ishte prezantimi i projekteve dhe rolit të Institutit të Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake në fushën e gjeoinformacionit në Shqipëri.
Përfaqësuesit e IGJIU bënë një ekspoze të historikut të hartografisë në Shqipëri dhe projekteve të IGJIU në fushën e gjeoinformacionit.