Në takimin e organizuar sot nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, në kuadër të projektit “Krijimi i qendrës së gjeoinformacionit në Ballkanin Perëndimor” mori pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor znj. Vilma Tomço.
Ky projekt po zhvillohet nga Universiteti Bujqësor i Tiranës në bashkëpunim me Institutin Gjerman IAMO dhe me financim të Qeverisë Gjermane, misioni i krijimit të kësaj qendre është të mbështesë sektorët bujqësor të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e anëtarësimit në BE përmes përmirësimit të kapaciteteve njerëzore në analizën e të dhënave gjeohapësinore, përdorimin e Sistemeve të Informacionit Gjeografik (GIS) dhe teknologjive remote sensing.
Znj. Tomço në fjalën e saj bëri një paraqitje të hapave të hedhur nga ASIG në krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor në Shqipëri, duke theksuar gjithashtu bashkëpunimin gjithnjë e në rritje të ASIG me botën akademike.