U nënshkrua sot marrëveshja e bashkëpunimit ndërinstitucional mes Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA).
Drejtuesit e këtyre dy institucioneve Znj. Vilma Tomço, Drejtor i Përgjithshëm i ASIG dhe Znj. Arlinda Hoti, Drejtor i Deleguar i ASPA nënshkruan në ambientet e ASIG këtë marrëveshje bashkëpunimi dy palëshe, e cila përfaqëson një hap thelbësor në rritjen e aftësive teknike në fushën e gjeoinformacionit brenda Administratës Publike të Shqipërisë.
Në sajë të këtij bashkëpunimi synohet;
- Ofrimi e programeve të përbashkëta të trajnimit, duke marrë parasysh ekspertizën e kombinuar të këtyre institucioneve;
- Zhvillimi i kurrikulave në fushën e gjeoinformacionit, për të përmbushur nevojat specifike të profesionistëve të Administratës Publike.
- Rritja e kapaciteteve, në sajë të organizimit të programeve të trajnimeve për të forcuar kompetencat e punonjësve të Administratës Publike në fushën e gjeoinformacionit.
Ky bashkëpunim i bazuar në kuadrin ligjor, siguron zbatimin efektiv dhe përfitimin reciprok për të dy institucionet. ASIG dhe ASPA janë të përkushtuar për të avancuar aftësitë e sektorit publik përmes zgjidhjeve inovative dhe të integruara të fushës së gjeoinformacionit.