Mbledhje e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor, datë 22.06.2023
Më 22.06.2023 u zhvillua në ambientet e Kryeministrisë mbledhja e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor (BIG), nën drejtimin e Kryetarit të këtij bordi z. Ermal Nufi, Drejtor i Kabinetit të Zëvendës Kryeministrit.
Në këtë mbledhje ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e BIG.
Z. Nufi në fjalën e tij hapëse falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre dhe theksoi rëndësinë që ka ky bord në zhvillimin e Infrastrukturës së Informacionit Gjeohapësinor si dhe prioritetin dhe vëmendjen e veçantë që Qeveria Shqiptare i ka dhënë ndjekjes së projektit mbi Shërbimet Satelitore dhe përfitimet që pritet të kenë institucionet nga ky projekt.
Drejtori i përgjithshëm i ASIG, znj. Vilma Tomço i njohu të pranishmit me strukturën e re të ASIG, ecurinë e deri tanishme të projektit “Monitorimi i territorit me teknologji të avancuar” dhe hapat e hedhur nga ASIG për krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor (NSDI).
Përgjegjësi i sektorit të GIS-it Kombëtar z. Erin Mlloja në prezantimin e tij paraqiti modulet që do të ketë në përbërje GIS-i Kombëtar si dhe të dhënat gjeohapësinore, sistemet tematike dhe shërbimet që do të bëjnë të mundur ofrimin e informacionit për përdoruesit.
Pas këtij prezantimi anëtarët e BIG shprehën aprovimin e tyre për miratimin e dokumentit Standardet Shtetërore të GIS-it Kombëtar.
ASIG merr pjesë në Takimin Bilateral të Kapitullit 27 mbi Mjedisin dhe ndryshimet klimatike
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) i përfaqësuar nga Z. Klaudio Çollaku, Drejtor i Drejtorisë së GIS-it Kombëtar dhe Gjeoportalit dhe Ivis Noçka, Drejtore e Drejtorisë së Kërkimit, Zhvillimit dhe Inovacionit, mori pjesë në Takimin Bilateral të Kapitullit 27, mbi Mjedisin dhe ndryshimet klimatike, i cili po zhvillohet në Bruksel në datat 19-23 qershor 2023.
Direktiva INSPIRE, 2007/2/EC e përafruar nga ligji nr. 72/2012, “Për Organizimin dhe Funksionimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, është pjesë e nën kapitullit Legjislacioni Horizontal, të Kapitullit 27. Z. Çollaku prezantoi në këtë takim hapat e ndërmarrë për përafrimin e legjislacionit dhe implementimin e Direktivës INSPIRE në Shqipëri.
Ai bëri një paraqitje të detajuar të gjithë ecurisë së këtij procesi duke filluar me standardet e gjeoinformacionit të miratuara me Vendim të Këshillit të Ministrave, për 31nga 35 temat e nenit 11, të ligjit nr.72/2012, punën e bërë për implementimin e këtyre standardeve, bashkëpunimin dhe suportin për autoritet publike përgjegjëse për gjeoinformacionin si dhe rolin e rëndësishëm që kanë pasur bashkëpunëtoret ndërkombëtar të ASIG në mbarëvajtjen e këtij procesi. Z. Çollaku gjithashtu prezantoi shërbimet që ofrohen në Gjeoportalin Kombëtar të ASIG, informacionin gjeohapësinor që mundësohet në këtë gjeoportal si dhe numrin gjithnjë e në rritje të përdoruesve të tij.
Në mbyllje të prezantimit u paraqitën planet dhe objektivat që ASIG ka në të ardhmen për zhvillimin e Infrastrukturës së Informacionit Gjeohapësinor.
Vijojnë takimet mbi ecurinë e implementimit të projektit “Monitorimi i territorit me teknologji të avancuar”
Vijojnë takimet e organizuara nga Drejtoria e Përpunimit të Informacionit të Territorit me Teknologji të Avancuar pranë Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, me qëllim implementimin e suksesshëm të projektit “Monitorimi i territorit me teknologji të avancuar” si dhe përfshirjen dhe rritjen e kapaciteteve teknike të autoriteteve publike përgjegjëse, përfituese të këtij projekti.
Gjatë kësaj jave kjo drejtori zhvilloi takime me institucionet si më poshtë:
- Kryeministria;
- Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore;
- Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural;
- Ministria e Brendshme;
- Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit;
- Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin;
- Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile;
- Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.
ASIG merr pjesë në konferencën e Rrjetit Panevropian të Arsimit dhe Kërkimit, TNC23
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor mori pjesë në një nga aktivitetet e organizuara në kuadër të konferencës 5-ditore të Rrjetit Panevropian të Arsimit dhe Kërkimit, TNC23, ku këtë vit ishin pjesëmarrës rreth 730 përfaqësues nga 58 shtete të ndryshme të botës.
Ky aktivitet u organizua më 9 qershor, në ambientet e Universitetit Politeknik të Tiranës nga Rrjeti Akademik Shqiptar i cili ishte edhe mikpritësi i TNC23, një nga rrjetet më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm në fushën teknologjisë së informacionit.
Fokusi i këtij aktiviteti ishte përdorimi i platformave të ndryshme digjitale në Shqipëri.
Drejtori i drejtorisë së GIS-it Kombëtar dhe Gjeoportalit z. Klaudio Çollaku, i njohu të pranishmit me funksionalitet e Gjeoportalit Kombëtar të ASIG dhe lehtësirat që krijojnë shërbimet që ofron kjo platformë për të gjithë përdoruesit e gjeoinformacionit.
Ecuria e implementimit të projektit “Monitorimi i territorit me teknologji të avancuar”
Drejtoria e Përpunimit të Informacionit të Territorit me Teknologji të Avancuar pranë Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, me qëllim implementimin e suksesshëm të projektit “Monitorimi i territorit me teknologji të avancuar” si dhe në kuadër të nismës për përfshirjen dhe rritjen e kapaciteteve teknike të autoriteteve publike përgjegjëse përfituese të projektit, zhvilloi në ambientet e sallës Europa, më 08.06.2023 një takim me autoritetet publike në lidhje me ecurinë e implementimit të këtij projekti.
Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësues të institucioneve të cilat kanë shprehur interes për projektin e shërbimit satelitor, si më poshtë:
- Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes ;
- Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile;
- Agjencia Kombëtare e Mjedisit;
- Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura;
- Agjencia Shtetërore e Kadastrës;
Grupi i punës i kryesuar nga Drejtori i Drejtorisë së Përpunimit të Informacionit të Territorit me Teknologji të Avancuar z. Dritan Prifti i njohu të pranishmit me:
- Ecurinë e implementimit të projektit “Monitorimi i territorit me teknologji të avancuar”.
- Analizimin e avancuar të imazheve me anë të inteligjencës artificiale;
- Përdorimin e imazheve satelitore për çështje të veçanta.
- Vizualizimin e të dhënave nga autoritetet publike përgjegjëse.
Gjatë këtij takimi pati diskutime interaktive mbi gjendjen aktuale të infrastrukturës teknike të institucioneve të interesuara mbi projektin e shërbimit satelitor.
ASIG në retreat
Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) organizoi më 02 qershor 2023, në ambientet e restorant OAZI, në Belsh,një retreat “Team Building”, në kuadër të realizimit të analizës së punës të stafit të ASIG, për periudhën e 4 mujorit të parë të vitit 2023, me fokus diskutimin bashkërisht të ecurisë së deri tanishme dhe një planifikim më të mirë të punës.
Me qëllim:
- Nxitjen dhe krijimin e marrëdhënieve të mira në ekip;
- Largimin e përkohshëm nga rutina e punës;
- Reflektimin mbi sfidat e reja;
- Diskutim për çështjet të ndryshme institucionale, në një nivel shumë më të thellë sesa mundet në mjediset e zyrës;
Ky aktivitet shërbeu si çelës suksesi për krijimin e një mjedisi pune gjithëpërfshirës, të besueshëm, ku inkurajohet vazhdimisht komunikimi & bashkëpunimi i hapur.
Dinamikat e reja të punës në ASIG kërkojnë shpirt të fortë skuadre dhe ne jemi gati për të përballuar çdo sfidë.
ASIG merr pjesë në Simpoziumin EUREF 2023
Në simpoziumin e organizuar nga nënkomisioni i Shoqatës Ndërkombëtare të Gjeodetëve për Europën “EUREF”, i cili u mbajt në Gothenburg të Suedisë, më 23-26 maj 2023, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), u përfaqësua nga z. Oltjon Balliu, përgjegjës i sektorit të Kornizës Referuese Gjeodezike dhe z. Luçiano Kasneci specialist i këtij sektori. Qëllimi i këtij simpoziumi ishte mbulimi i aktiviteteve të EUREF të tilla si realizimi, mirëmbajtja dhe përdorimi i sistemeve europiane ETRS89, EVRS dhe Rrjetit Permanet Europian EPN si dhe mbështetja për vendet Ballkanit në zhvillimin e Kornizave Referuese Gjeodezike.
Përfaqësuesit e ASIG në prezantimet e tyre në këtë takim, sollën për të pranishmit informacion mbi statusin aktual të Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare dhe objektivat që ka ASIG në të ardhmen për ndërtimin dhe zhvillimin e 5 (pesë) rrjeteve kryesore që përbëjnë KRGJSH-në.
Gjithashtu në simpoziumin EUREF 2023 u miratuan rezolutat mbi:
- Përmisimin e konsistencës midis realizimit të fundit ETRS89, veçanërisht midis ETRF2014 dhe ETRF2020 duke njohur përftimet e harmonizimit të kornizave referencave të përdorura nga vendet brenda Evropës.
- Produktet (koordinatat dhe seritë kohore) e Kornizës Referencë EUREF të shprehen në realizimin e fundit të ITRS/IGS20.
- Arzhurnimi i metadatave të stacioneve referencë EPN (koordinatat dhe produktet troposferike) në mënyrë që të bëhet e mundur llogaritja e fushatës së tretë të rrjetit permanent EUREF “ EPN-Repro3” nga qendrat e analizave të EPN.
Vijojnë trajnimet e autoriteteve publike përgjegjëse mbi përdorimin e Gjeoportalit Kombëtar dhe standardizimin e të dhënave gjeohapësinore
Ekspertë të Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) nga sektorët e GIS-it Kombëtar, Gjeoportalit Kombëtar dhe sektori i Standardeve të Gjeoinformacionit, vijojnë trajnimet në kuadër të nismës për rritjen e kapaciteteve teknike, të stafeve të autoriteteve publike përgjegjëse për gjeoinformacionin me agjencitë e mëposhtme:
- Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit;
- Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore;
- Institutin e Transporteve;
- Agjencinë Kombëtare të Pyjeve;
- Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile; (ASHK);
Takim me ekspertë lokal dhe ndërkombëtar të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC)
Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor znj. Vilma Tomço zhvilloi në ambientet e ASIG, një takim pune me eksperten zvicerane znj. Lea Moser dhe z. Rikard Luka.
Objekti i këtij takimi ishte ndarja e pikëpamjeve mbi përmirësimin mëtejshëm të zbatimit të projektit Build Back Better në Shqipëri.
Ky projekt u implementua për herë të parë në kuadër të ndihmës që Qeveria Zvicerane ofroi për vendin tonë gjatë periudhës së rindërtimit, për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti i vitit 2019, në bashkitë e Shijakut dhe Kurbinit.
Ky projekt vijon misionin e tij për të rivlerësuar nevojat aktuale prioritare të Shqipërisë, në nivel kombëtar dhe vendor dhe në të njëjtën kohë të identifikojë fushat për të kontribuar me asistencë teknike, masa/veprime për ngritjen e kapaciteteve për të përmirësuar më tej politikat dhe kuadrin institucional në përputhje me kodet e ndërtimit të BE-së si dhe për të mbështetur zbatimin e legjislacionit në lidhje me ndërtimin e ndërtesave të banimit në mënyrë që të përmirësohet parandalimi dhe të zvogëlohet rreziku.
Ndërhyrja e mundshme, që do të mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), do të jetë plotësisht në përputhje me objektivat dhe prioritetet strategjike të vlerësimit kombëtar të rrezikut dhe Strategjisë Kombëtare për Reduktimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë 2023-2030, e cila u miratua së fundmi nga Qeveria Shqiptare.
ASIG merr pjesë në workshop-in e organizuar nga EUROSEA
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), mori pjesë në workshop-in e organizuar online, në kuadër të projektit EUROSEA, projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian i cili ka për synim koordinimin në shkallë të gjerë, në kontinentin Evropian të agjencive kombëtare që menaxhojnë të dhënat oqeanografike dhe detare, duke kombinuar kapacitetet dhe përmbushur mangësitë ekzistuese në funksion të një sistemi vëzhgues ndërkombëtar.
Ky ishte edicioni i dytë i cili u zhvillua online më 4 dhe 5 maj në bashkëpunim me European Global Ocean Observing System (EuroGOOS). Nga ASIG morën pjesë në këtë workshop specialistë të sektorit të Kornizës Referuese Gjeodezike dhe sektorit të Infrastrukturës së Sistemeve CORS.
Gjatë këtij eventi u trajtuan çështjet e mëposhtme:
- Pasqyra globale e rrjeteve, bazës së të dhënave dhe portaleve të të dhënave;
- Statusi dhe mundësitë e ardhshme të teknikës GNSS-IR;
- Rastet studimore të bazuara në të dhënat e matësve të baticës-zbaticës (Zona e Mesdheut);
- Kontrolli automatik i cilësisë dhe përpunimit të të dhënave (në kohë reale dhe modaliteti i vonesës).
Grupi i specialistëve të ASIG që morri pjesë në këtë event u njoh me të rejat më të fundit, situatën e përgjithshme dhe angazhimet në të ardhmen duke vendosur gjithashtu kontakte me homologët e tjerë pjesëmarrës në këtë workshop.