ASIG dhe ASPA organizojnë trajnimin “Hyrje në Remote Sensing”
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), zhvilloi më datë 05.11.2025, në ambientet e sallës Europa, trajnimin me temë “Hyrje në Remote Sensing” dedikuar stafeve teknike të Institucioneve Publike dhe Njësive të Vetqeverisjes Vendore.
ASIG për herë të parë ka realizuar hartimin e kurrikulave të specializuara me kontributin e ekspertëve të tij për rritjen e kapaciteteve të stafeve teknike në fushën gjeoinformacionit për administratën publike. Ky aktivitet synoi të zhvillojë kapacitetet themelore të pjesëmarrësve për të kuptuar konceptet, komponentët dhe funksionimin e teknologjisë Remote Sensing, si dhe për të aplikuar njohuritë e fituara në mbledhjen, interpretimin dhe përdorimin e të dhënave gjeohapësinore në vendimmarrje. Pjesëmarrësit u njohën me rëndësinë e spektrit elektromagnetik, dallimin mes sensorëve, ndikimin e atmosferës, si dhe përzgjedhjen e produkteve të përshtatshme për nevojat institucionale.
Ky trajnim kontribuon në rritjen e përdorimit të teknologjive Remote Sensing për planifikim urban, menaxhim mjedisor, monitorim territorial duke mbështetur vendimmarrjen institucionale me të dhëna të sakta dhe të besueshme. Pjesëmarrësit në trajnim do të pajisen me certificatë nga ASPA.
Trajnim për stafet teknike të Bashkisë Himarë
Ekspertë të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilluan në datat 27–28 tetor, një trajnim të dedikuar për stafin teknik të Bashkisë Himarë, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nismës për rritjen e kapaciteteve në menaxhimin dhe përdorimin e informacionit gjeohapësinor, ASIG.
Gjatë trajnimit u ofrua asistencë teknike për ndërtimin e bazës së të dhënave gjeohapësinore të bashkisë Himarë në përputhje me standardet kombëtare, si dhe u trajtuan funksionalitetet e Gjeoportalit Kombëtar, përfshirë aksesin dhe vizualizimin e hartave ortofoto dhe të shtresave tematike që lidhen me infrastrukturën, ndërtimet, zonat e mbrojtura dhe elemente të tjera të territorit.
Këto iniciativa synojnë forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e cilësisë dhe aksesueshmërisë së të dhënave gjeohapësinore, në përputhje me kuadrin ligjor dhe standardet kombëtare të qeverisjes së informacionit gjeohapësinor.
Workshop i TAIEX në bashkëpunim me ASIG mbi zbatimin e Direktivës INSPIRE në Shqipëri
Një grup ekspertësh nga TAIEX zhvilluan në bashkëpunim me Autoritetin Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në datat 30 Shtator – 2 Tetor 2025, në ambientet e Hotel Monarc në Tiranë, një workshop tre ditor me synimin mbështetjen e Shqipërisë zbatimin e kuadrit ligjor për infrastrukturën kombëtare të të dhënave gjeohapësinore (NSDI) dhe implementimin e Direktivës INSPIRE të Bashkimit Evropian.
Çështjet kryesore të trajtuara gjatë workshop-it ishin:
- Gjendja aktuale e zbatimit të Direktivës INSPIRE në nivel BE dhe praktikat më të mira nga Autoriteti i Hartografisë së Republikës së Sllovenisë dhe Autoriteti Holandez i Kadastrës.
- Prezantimi nga ekspertët e ASIG i ecurisë së deritanishme të zhvillimit të NSDI në Shqipëri, bashkëpunimi me Autoritetet Publike Përgjegjëse për mbledhjen, përpunimin dhe publikimin e të dhënave gjeohapësinore për temat e gjeoinformacionit.
- Procedurat dhe mjetet për kontrollin e cilësisë së të dhënave gjeohapësinore në vendin tonë.
- Zbatimi i Direktivës së BE për të Dhënat e Hapura dhe publikimi i të dhënave me vlerë të madhe, si dhe përshtatja e tyre me standardet dhe specifikimet e INSPIRE.
- Përvoja e shteteve anëtare të BE për ofrimin e të dhënave përmes API-ve të standardizuara (WMS/WMTS, OGC API Features).
- Tendencat ndërkombëtare dhe evropiane për zhvillimin e NSDI, përfshirë vizionin e UN-GGIM dhe strategjitë e interoperabilitetit të BE.
- Diskutime të hapura mbi modelin ligjor dhe financiar më të përshtatshëm për Shqipërinë në ndërtimin e një NSDI funksionale dhe të qëndrueshme.
- Ndërtimi i kapaciteteve, rritja e ndërgjegjësimit dhe përdorimi i metodave të trajnimit në distancë në fushën e gjeoinformacionit.
Ekspertët e TAIEX vlerësuan punën e bërë nga ASIG mbi mbledhjen, përpunimin dhe publikimin e të dhënave gjeohapësinore në Gjeoportalin Kombëtar si dhe hartimin dhe miratimin e standardeve të gjeoinformacionit konform Direktivës INSPIRE.
Në përfundim të këtij workshop-i dhanë rekomandime konkrete për përmirësimin e cilësisë, harmonizimit dhe publikimit të të dhënave dhe praktika nga vende të BE që mund të përshtaten me Shqipërinë.
Trajnim për stafet teknike të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës–Kanalizime Durrës
Më 16 shtator 2025, ASIG zhvilloi në Durrës një trajnim të specializuar për stafet teknike të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës–Kanalizime Durrës, me fokus në harmonizimin e procedurave për krijimin, përpunimin dhe publikimin e të dhënave të rrjetit ujësjellës–kanalizime sipas standardit teknik “Infrastruktura Urbane dhe Shërbimet Qeveritare” dhe integrimin e tyre në Gjeoportalin Kombëtar.
Programi adresoi modelimin e të dhënave, hartimin e metadatave, dhe rrjedhat e punës nga grumbullimi në terren, tek publikimi i kontrolluar në platformë. Ky aktivitet kontribuoi në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe në rritjen e cilësisë, aksesueshmërisë dhe ndërveprueshmërisë së të dhënave gjeohapësinore.
Publikimi i modelit kombëtar të Gjeoidit ALBGEOID2024 në serinë shkencore ndërkombëtare “IAG Symposia”
Në simpoziumin e fundit shkencor “IAG Symposia” të Shoqatës Ndërkombëtarë të Gjeodezisë IAG (International Association of Geodesy), botim i Springer Nature, është publikuar modeli kombëtar i gjeoidit të Shqipërisë, ALBGEOID2024.
Ky publikim tregon se ALBGEOID2024 ka kaluar me sukses procesin e vlerësimit nga ekspertë të huaj të fushës, duke certifikuar besueshmërinë, cilësinë dhe vlefshmërinë shkencore të tij.
Seria “IAG Symposia” përfshin kontributet më të spikatura të simpoziumeve të Shoqatës Ndërkombëtarë të Gjeodezisë (IAG) dhe trajton temat themelore të gjeodezisë globale si:
– Kornizat referuese gjeodezike,
– Fusha e gravitetit të Tokës,
– Gjeodinamika dhe rrotullimi i Tokës,
– Pozicionimi dhe aplikimet inxhinierike.
Publikimi i Modelit ALBGEOID2024 në këtë seri prestigjioze e vendos Shqipërinë në hartën e kontributeve ndërkombëtare në fushën e gjeodezisë dhe përfaqëson një hap të madh përpara drejt ndërtimit të një infrastrukture gjeohapësinore kombëtare të unifikuar dhe të besueshme.
Ky model do të shërbejë si baza mbështetëse për një referencë gjeodezike vertikale moderne me një saktësi të lartë, e cila do të përmirësohet më tej përmes:
– Dendësimit të rrjetit gravimetrik të rendit të tretë,
– Shtrirjes së rrjetit të nivelimit të rendit të parë.
Duke mbuluar të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë në përputhje me standardet më të avancuara evropiane dhe ndërkombëtare, Modeli ALBGEOID2024 është rezultat i përdorimit të teknikave bashkëkohore për modelimin e fushës së gravitetit, si dhe integrimit të të dhënave nga burime të ndryshme, përfshirë:
– Matjet gravimetrike tokësore,
– Modelet gjeopotenciale globale dhe altimetrike,
– Modelet dixhitale të terrenit (DTM) lokale dhe globale,
– Matjet GNSS dhe të nivelimit.
Ky kombinim i të dhënave ka mundësuar ndërtimin e një modeli me cilësi të lartë shkencore dhe besueshmëri të plotë, të përshtatshëm për një gamë të gjerë aplikimesh praktike dhe shkencore.
Tekstin e plotë shkencor mund ta lexoni në link-un më poshtë. https://link.springer.com/chapter/10.1007/1345_2025_289

Pjesëmarrja e ASIG në Asamblenë Shkencore të Shoqatës Ndërkombëtare të Gjeodezisë IAG 2025 — Rimini, Itali
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në Asamblenë Shkencore të Shoqatës Ndërkombëtare të Gjeodezisë (International Association of Geodesy, IAG 2025), e cila u zhvillua në Rimini, Itali, në datat 1 deri më 5 Shtator.
Ky aktivitet ndërkombëtar me temë “Gjeodezia për një mjedis në ndryshim ofroi një platformë unike për shkëmbimin e ideve dhe praktikave më të avancuara në fushën e gjeodezisë, duke përfshirë sfidat e ndryshimeve mjedisore dhe ngjarjet ekstreme të natyrës.
Tematikat e asamblesë u trajtuan në katër komisione të IAG-së:
- Korniza Referuese,
- Fusha e Gravitetit,
- Orientimi dhe Gjeodinamika,
- Pozicionimi dhe Aplikimet.
Gjë që siguroi që diskutimet dhe prezantimet të fokusoheshin në të gjitha aspektet kyçe të shkencës së gjeodezisë nga referencat dhe fusha gravitacionale, deri tek gjeodinamika dhe aplikimet e avancuara të pozicionimit.
ASIG i përfaqësuar nga z. Oltjon Balliu, Përgjegjës i Sektorit të Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH) dhe z.Dylber Peposhi Specialist në Sektorin e Infrastrukturës së Sistemeve CORS (ALBCORS), prezantoi modelin e Gjeoidit Gravimetrik dhe Hibrid të Shqipërisë — ALBGEOID 2024, si një instrument thelbësor për ndërtimin e një reference gjeodezike vertikale moderne. Ky model, i cili u ndoq me interes dhe u vlerësua nga ekspertë të lartë evropianë dhe ndërkombëtarë, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës gjeohapësinore të vendit dhe krijimit të bazave të qëndrueshme për aplikime shkencore dhe inxhinierike.
Ky aktivitet tregoi dhe njëherë suksesin e arritur deri më tani nga stafi i ASIG, fazat që ka kryer ASIG për ndërtimin e infrastrukturës gjeodezike , metodologjinë dhe krijimin me sukses të një strukture të të dhënave gjeodezike kombëtare bazuar në të dhëna të rëndësishme për KRGJSH.
Pjesëmarrja e ASIG në IAG 2025 forcon rolin e Shqipërisë në arenën shkencore ndërkombëtare dhe e pozicionon vendin si një aktor aktiv në përballimin e sfidave mjedisore globale. Ky angazhim mbështet objektivat strategjike për integrim evropian dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të infrastrukturës gjeohapësinore kombëtare, në përputhje me Direktivën INSPIRE dhe prioritetet e zhvillimit të qëndrueshëm.
Gjithashtu pjesëmarrja në një event të këtyre përmasave ishte e rëndësishme për rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe profesionale, përmes diskutimeve mbi rrjetet gjeodezike, referencat horizontale dhe vertikale, modelet gjeoidale dhe metodat e avancuara të matjes, shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin me autoritete dhe ekspertë ndërkombëtarë, duke forcuar lidhjet institucionale dhe hapur perspektiva për projekte të përbashkëta.
Thirrje për pjesëmarrje në konkursin ndërkombëtar “Ecoview 2025”, një mundësi për të rinjtë mbi mjedisin dhe teknologjitë satelitore
Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) sjell në vëmendje të nxënësve të shkollave të mesme dhe komunitetit arsimor mundësinë për të marrë pjesë në konkursin ndërkombëtar “Ecoview 2025”, një nismë edukative në nivel global që synon të promovojë angazhimin e të rinjve në çështje të mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm përmes përdorimit të teknologjive Remote Sensing dhe të dhënave satelitore me akses të lirë.
Konkursi organizohet nga Qendra Kombëtare “Junior Academy of Sciences of Ukraine” dhe i drejtohet nxënësve të moshës 14–18 vjeç, të cilët ftohen të zhvillojnë projekte kërkimore mbi tema të zgjedhura mjedisore si ndryshimet klimatike, ndotja e ajrit, mbrojtja e pyjeve dhe e ujërave apo përdorimi i tokës, duke përdorur të dhëna reale nga burime satelitore.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të përfitojnë nga materiale orientuese, kurse online dhe trajnime virtuale të ofruara nga organizatorët përmes platformave të dedikuara.
Konkursi zhvillohet tërësisht online, në gjuhën angleze, dhe pjesëmarrja është falas.
Afatet e konkursit:
- Deri në 31 tetor 2025: Regjistrimi dhe dorëzimi i projektit
- 1 – 20 nëntor 2025: Vlerësimi i projekteve nga juria ndërkombëtare
- 5 dhjetor 2025: Prezantimi online i finalistëve në platformën Zoom
Si të aplikoni?
- Regjistrimi bëhet përmes formularit:
https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSdoE_nhrdalgARfVNfpCqfFoY7lA9DXz0RAYVFj228_yqXAIA/viewform
- Projektet dorëzohen me email në adresën: gis_rs@man.gov.ua
- Për më shumë informacion, udhëzuesin zyrtar dhe burimet e trajnimit:
https://man.gov.ua/en/contests/mizhnarodnij-konkurs-ekopoglyad
ASIG bëhet pjesë e Thirrjes X të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës
Në kuadër të edicionit 2025 të këtij programi, Autoriteti Shtetëror për Informacion Gjeohapësinor do të mirëpresë praktikantë të rinj, të cilët janë të interesuar të fitojnë përvojë praktike në një institucion publik dhe të kontribuojnë në fushën e teknologjisë dhe informacionit gjeohapësinor.
✅ Jeni 21–29 vjeç?
✅ Jeni të diplomuar në një program studimi të ciklit të parë (Bachelor) apo të ciklit të dytë (Master), të ofruar nga një institucion i arsimit të lartë?
✅ Doni të përfitoni eksperiencë?
🗓 Praktika zhvillohet nga shtatori deri në dhjetor 2025.
📍 Aplikimet janë të hapura nga 27 qershori deri më 10 gusht vetëm online në: 🔗 praktika.riniafemijet.gov.al
💡 Nëse jeni të interesuar për një praktikë pranë ASIG, mos hezitoni të aplikoni!
ASIG organizon workshop-in me temë “Katalizatori i njohurive të UAS”
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilloi me sukses më 19 Qershor workshop-in me temë “Katalizatori i njohurive të UAS”, në kuadër të projektit SOFTMOVE i dedikuar rolit të Sistemeve Ajrore Pa Pilot (UAS) në nxitje të njohurive, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik në zonën e Adriatikut Jugor.
ASIG si partner së bashku me DTA Distretto Tecnologico Aerospaziale (Lead Partner, Rajoni i Puglias, Itali) dhe NVU Digital Den (Mal i Zi) bëri bashkë në këtë aktivitet profesionistë nga sektori publik, privat, akademik, SME-të dhe Startup-et, duke krijuar një hapësirë bashkëpunimi ndër sektoriale për të eksploruar përdorimin e teknologjisë së dronëve në kontekste të ndryshme zhvillimi.
Pjesëmarrësit në këtë workshop u njohën me llojet dhe komponentët kryesorë të UAS, funksionimin teknik të tyre si dhe mënyrën sesi kjo teknologji mund të shërbejë si katalizator për efikasitetin dhe qëndrueshmërinë në fusha si transporti, industria, arsimi dhe kërkimi shkencor.
Në fokus të këtij takimi ishin gjithashtu mbledhja dhe analizimi i të dhënave përmes sistemeve GIS, inteligjencës artificiale dhe shërbimeve të avancuara, si dhe kuadri ligjor që rregullon këto teknologji.
Workshop-i shërbeu si një platformë frymëzuese për rritjen e kapaciteteve, promovimin e aplikacioneve novatore dhe përshpejtimin e tranzicionit digjital, duke theksuar rolin kyç të UAS në përballimin e sfidave të kohës.
Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet ASIG dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës
U nënshkrua dje më 02.06.2025, në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës marrëveshja e bashkëpunimit mes Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), i përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm znj. Vlima Tomço dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) i përfaqësuar nga Rektori z. Fatbardh Sallaku.
Kjo marrëveshje konsiston në disa pika kyçe si;
- Angazhim i përbashkët në projektin “Krijimi i Qendrës së Gjeoinformacionit për Zhvillim të Qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor”,
- Zbatim i projekteve kërkimore kombëtare dhe ndërkombëtare,
- Nxitje dhe realizim i veprimtarive të përbashkëta në fushën e arsimit të lartë,
- Shkëmbim i njohurive, përfshirë literaturë profesionale, tekste mësimore dhe botime universitare,
- Shkëmbim i materialeve dhe rezultateve të punës studimore dhe kërkimore,
- Sigurim i hapësirave për zhvillimin e praktikave profesionale mësimore.
Me qëllimi formalizimin e kuadrit të bashkëpunimit ndërmjet ASIG dhe UBT falë kësaj marrëveshje synohet përdorimi dhe shkëmbimi sa më efikas i informacionit ndër institucional, forcimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore nëpërmjet përgatitjes së specialistëve të rinj në përputhje me prioritetet e zhvillimit kombëtar si dhe promovimi i përdorimit të teknologjisë bashkëkohore në fushën e gjeoinformacionit.






























