Trajnim në kuadër të bashkëpunimit ASIG-ASPA “Aplikimet e Imazherisë Satelitore për Përpunimin e të Dhënave Gjeohapësinore”

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), zhvilloi më datë 12.03.2026 trajnimin me temë “Aplikimet e Imazherisë Satelitore për Përpunimin e të Dhënave Gjeohapësinore”, me pjesëmarrjen e stafeve teknike nga institucione të administratës publike.

Ky trajnim është pjesë e kurrikulave të specializuara të hartuara nga ekspertët e ASIG për rritjen e kapaciteteve të administratës publike në përdorimin dhe menaxhimin e të dhënave gjeohapësinore.

Gjatë sesioneve të këtij trajnimi, u trajtuan konceptet kryesore të imazherisë satelitore dhe aftësimi i stafeve teknike të institucioneve pjesëmarrëse, në përdorimin praktik dhe analizimin e këtyre imazheve përmes metodave të avancuara dhe integrimit të tyre me sistemet GIS.

Ekspertët e ASIG zhvilluan trajnimin në mbështetje të administratës publike në drejtim të zhvillimit të aftësive të avancuara për analizë, interpretim dhe përdorim të të dhënave gjeohapësinore në funksion të vendimmarrjes së bazuar në evidencë.

Të gjithë pjesëmarrësit në trajnim do të pajisen me certifikatë nga ASPA.

 

 

Trajnim me stafet teknike të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nismës për rritjen e kapaciteteve në menaxhimin dhe përdorimin e informacionit gjeohapësinor, zhvilloi sot më 12.03.2026, një trajnim të dedikuar për stafin teknik të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK). Qëllimi i trajnimit ishte të forconte kapacitetet e stafit për menaxhimin dhe standardizimin e të dhënave gjeohapësinore në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, në përputhje me kuadrin ligjor dhe standardet e gjeoinformacionit.

Gjatë trajnimit u trajtua përdorimi i funksionaliteteve të Gjeoportalit Kombëtar për aksesimin e të dhënave të publikuara, analiza dhe harmonizimi i të dhënave ekzistuese nga dokumentet e planifikimit dhe shoqëritë rajonale, standardizimi i të dhënave për rrjetin e shpërndarjes së ujit dhe kanalizimeve, si dhe përdorimi praktik i modulit Editor për krijimin dhe përditësimin e të dhënave.

 

Trajnim në kuadër të bashkëpunimit ASIG-ASPA “Infrastruktura Kombëtare e Ofrimit të të Dhënave dhe Shërbimeve Gjeohapësinore”

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), zhvilloi më datë 05.03.2026 trajnimin me temë “Infrastruktura Kombëtare e Ofrimit të të Dhënave dhe Shërbimeve Gjeohapësinore”, me pjesëmarrjen e stafeve teknike nga institucione të administratës publike dhe njësive të vetëqeverisjes vendore.

Ky trajnim është pjesë e kurrikulave të specializuara të hartuara nga ekspertët e ASIG për rritjen e kapaciteteve të administratës publike në përdorimin dhe menaxhimin e të dhënave gjeohapësinore. Gjatë sesionit u trajtuan konceptet kryesore mbi funksionimin e Infrastrukturës Kombëtare të të Dhënave Gjeohapësinore (NSDI), rolin e saj në standardizimin dhe shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve, si dhe rëndësia e metadatave dhe e shërbimeve të rrjetit për publikimin dhe shpërndarjen e të dhënave gjeohapësinore.

Në pjesën praktike të trajnimit u prezantuan funksionalitetet kryesore të Gjeoportalit Kombëtar, duke përfshirë kërkimin, vizualizimin dhe përdorimin e të dhënave gjeohapësinore. Të gjithë pjesëmarrësit në trajnim do të pajisen me certifikatë nga ASPA.

Trajnim me stafin teknik të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nismës për rritjen e kapaciteteve në menaxhimin dhe përdorimin e informacionit gjeohapësinor, zhvilloi sot një trajnim të dedikuar për stafin teknik të sektorit të Administrimit të Regjistrit Kombëtar të Adresave, të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.

Gjatë këtij trajnimi, ASIG ofroi asistencë teknike për standardizimin dhe saktësimin e të dhënave GIS për temën “Sistemi i adresave”, si dhe trajtoi aspektet e përdorimit praktik të Gjeoportalit Kombëtar për aksesimin, menaxhimin dhe vizualizimin e të dhënave gjeohapësinore.

Zhvillohet trajnimi “Infrastruktura Kombëtare e Ofrimit të të Dhënave dhe Shërbimeve Gjeohapësinore” nga ASIG dhe ASPA

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe Shkolla Shqiptare e Administratës Publike(ASPA) zhvilluan dje më 20.11.2025, trajnimin me temë “Infrastruktura Kombëtare e Ofrimit të të Dhënave dhe Shërbimeve Gjeohapësinore”.

ASIG dhe ASPA në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit  ndërmjet tyre kanë realizuar hartimin e kurrikulave të specializuara për rritjen e kapaciteteve të stafeve teknike në fushën e gjeoinformacionit për administratën publike.

Trajnimi ishte i fokusuar në strukturën dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të të dhënave gjeohapësinore (NSDI), rolin e saj në harmonizimin dhe shpërndarjen e të dhënave, si dhe përgjegjësitë institucionale në këtë proces. Gjatë këtij sesioni u demonstruan në mënyrë praktike funksionalitetet kryesore të Gjeoportalit Kombëtar, duke përfshirë kërkimin, vizualizimin, përdorimin dhe shkarkimin e të dhënave gjeohapësinore, si dhe mënyrat e standardizimit të të dhënave për publikim, vizualizim dhe menaxhim përmes përdorimit të shërbimeve të rrjetit. Pjesëmarrësit u njohën me rëndësinë e strukturimit të saktë të metadatave, si dhe rolin që NSDI luan në rritjen e cilësisë, interoperabilitetit dhe aksesueshmërisë së të dhënave gjeohapësinore në nivel kombëtar.

Ky trajnim kontribuon në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe në zgjerimin e përdorimit të infrastrukturës kombëtare të të dhënave gjeohapësinore për planifikim, menaxhim të territorit dhe zhvillimin e shërbimeve publike digjitale të bazuara në të dhëna të sakta dhe të qëndrueshme.

ASIG dhe ASPA organizojnë trajnimin “Aplikimet e imazherisë satelitore për përmirësimin e të dhënave gjeohapësinore”

Vijojnë trajnimet në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet ASIG dhe ASPA. Dje u zhvillua në ambientet e sallës Europa trajnimi me temë: “Aplikimet e imazherisë satelitore për përmirësimin e të dhënave gjeohapësinore”.

Qëllimi i këtij trajnimi është aftësimi i stafeve teknike të insititucioneve të ndryshme publike në përdorimin praktik të imazherisë satelitore për analizën dhe përmirësimin e të dhënave gjeohapësinore përmes aplikimit të metodave të avancuara dhe integrimit të tyre me sistemet GIS.

Ekspertët e ASIG zhvilluan trajnimin e parë të kësaj kurrikule në mbështetje të administratës publike në drejtim të zhvillimit të aftësive të avancuara për analizë, interpretim dhe përdorim të të dhënave gjeohapësinore në funksion të vendimmarrjes së bazuar në evidencë.

ASIG dhe ASPA organizojnë trajnimin “Hyrje në Remote Sensing”

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), zhvilloi më datë 05.11.2025, në ambientet e sallës Europa, trajnimin me temë “Hyrje në Remote Sensing” dedikuar stafeve teknike të Institucioneve Publike dhe Njësive të Vetqeverisjes Vendore.

ASIG për herë të parë ka realizuar hartimin e kurrikulave të specializuara me kontributin e ekspertëve të tij për rritjen e kapaciteteve të stafeve teknike në fushën gjeoinformacionit për administratën publike. Ky aktivitet synoi të zhvillojë kapacitetet themelore të pjesëmarrësve për të kuptuar konceptet, komponentët dhe funksionimin e teknologjisë Remote Sensing, si dhe për të aplikuar njohuritë e fituara në mbledhjen, interpretimin dhe përdorimin e të dhënave gjeohapësinore në vendimmarrje. Pjesëmarrësit u njohën me rëndësinë e spektrit elektromagnetik, dallimin mes sensorëve, ndikimin e atmosferës, si dhe përzgjedhjen e produkteve të përshtatshme për nevojat institucionale.

Ky trajnim kontribuon në rritjen e përdorimit të teknologjive Remote Sensing për planifikim urban, menaxhim mjedisor, monitorim territorial duke mbështetur vendimmarrjen institucionale me të dhëna të sakta dhe të besueshme. Pjesëmarrësit në trajnim do të pajisen me certificatë nga ASPA.

 

 

Trajnim për stafet teknike të Bashkisë Himarë

Ekspertë të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilluan në datat 27–28 tetor, një trajnim të dedikuar për stafin teknik të Bashkisë Himarë, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nismës për rritjen e kapaciteteve në menaxhimin dhe përdorimin e informacionit gjeohapësinor, ASIG.

Gjatë trajnimit u ofrua asistencë teknike për ndërtimin e bazës së të dhënave gjeohapësinore të bashkisë Himarë në përputhje me standardet kombëtare, si dhe u trajtuan funksionalitetet e Gjeoportalit Kombëtar, përfshirë aksesin dhe vizualizimin e hartave ortofoto dhe të shtresave tematike që lidhen me infrastrukturën, ndërtimet, zonat e mbrojtura dhe elemente të tjera të territorit.

Këto iniciativa synojnë forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e cilësisë dhe aksesueshmërisë së të dhënave gjeohapësinore, në përputhje me kuadrin ligjor dhe standardet kombëtare të qeverisjes së informacionit gjeohapësinor.

Trajnim për stafet teknike të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës–Kanalizime Korçë

Ekspertë të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) zhvilluan në datat  22–23 shtator 2025, në Korçë një trajnim intensiv me stafet teknike të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës–Kanalizime Korçë.

Ky trajnim ishte i përqendruar në rritjen e aftësive praktike për mbledhjen, përpunimin dhe publikimin e informacionit gjeohapësinor. Programi u fokusua në krijimin dhe standardizimin e të dhënave të rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve sipas standardit teknik të gjeoinformacionit “Infrastruktura Urbane dhe Shërbimet Qeveritare”, si edhe në përdorimin e Gjeoportalit Kombëtar në lidhje me ngarkimin, përditësimin dhe shpërndarjen e të dhënave gjeohapësinore.

Seancat praktike konsoliduan metodat për modelimin e shtresave tematike, kontrollin e cilësisë, plotësimin e metadatave, unifikimin e skemave, dhe qartësimin e hapave të publikimit në Gjeoportalin Kombëtar, duke garantuar ndërveprueshmëri dhe përputhje me legjislacionin në fuqi.

Trajnimi mbuloi të gjithë ciklin “nga terreni në publikim”, duke pajisur ekipet teknike me mjete konkrete për menaxhimin efikas të të dhënave të infrastrukturës së ujit dhe kanalizimeve. Hapat vijues parashikojnë asistencë teknike për konsolidimin e skemave të të dhënave dhe integrimin e plotë të rrjedhave të punës në Gjeoportalin Kombëtar.

Trajnim për stafet teknike të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR)

Ekspertë të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilluan më 19 shtator 2025, në ambientet e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), një trajnim të dedikuar për përdorimin e platformës së Gjeoportalit Kombëtar.

Fokus i këtij trajnimi ishin funksionalitetet operative të platformës, përfshirë kërkimin tematik, vizualizimin dhe kombinimin e shtresave, përdorimin e shërbimeve të rrjetit, shkarkimin e të dhënave dhe menaxhimin e aksesit sipas roleve të përdoruesve. Gjatë trajnimit u demonstruan skenarë praktikë të përdorimit në mbështetje të proceseve të punës së AZHBR-së dhe u theksuan praktikat për të siguruar gjurmueshmëri, transparencë dhe cilësi të të dhënave.

Aktiviteti kontribuoi në forcimin e kapaciteteve teknike të stafit dhe në zbatimin e praktikave të mira të përdorimit të Gjeoportalit Kombëtar si infrastrukturë qendrore për informim dhe vendimmarrje.