ASIG merr pjesë në Konferencën “NSDI Day 2024” në Shkup, Maqedonia e Veriut

Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në konferencën “NSDI Day 2024” e cila u zhvillua në Shkup, Maqedonia e Veriut, më 21 – 22 Shkurt.

Kjo konferencë u organizua nga Agjencia e Kadastrës për Pasuri të Paluajtshme e Maqedonisë së Veriut (AREC) dhe kishte në fokus tendencën dhe risitë rajonale në fushën e infrastrukturës kombëtare për të dhënat gjeohapësinore. Konferenca u organizua në 5 sesione, ku pjesëmarrës nga vendet e rajonit si Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Sllovenia, Bosnje -Hercegovina dhe Kroacia, prezantuan zhvillimet e tyre në fushën e NSDI.

Përfaqësuesit e ASIG nga Sektori i Koordinimit dhe Çështjeve Ligjore dhe Sektori i GIS-it Kombëtar prezantuan në këtë konferencë përmbushjet e objektivave sipas fushave strategjike duke përfshirë kornizën ligjore, infrastrukturën, bashkëpunimin dhe koordinimin me institucionet përgjegjëse, ndërtimin e Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare, zhvillimin dhe përditësimin i GIS-it dhe Gjeoportalit Kombëtar. Gjithashtu u evidentuan risitë në fushën e gjeoinformacionit duke përfshirë monitorimin e territorit me teknologji të avancuar, projektet në vazhdim si dhe planet dhe objektivat e ASIG për të ardhmen për zhvillimin e infrastrukturës së informacionit gjeohapësinor në Shqipëri.

   

Praktikë mësimore në ASIG

 

Një grup studentësh të vitit të parë Master Profesional, profili Gjeomatikë, Fakulteti i Gjeologji Minierave të Universitetit Politeknik të Tiranës, zhvilluan dje një praktikë mësimore në ambientet e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG).

Ekspertët e Sektorit të Fotogrametrisë të ASIG i njohën studentët me teknologjinë që ASIG disponon për rilevimin fotogrametrik 3Dimensional, u shpjeguan atyre hapat që duhen të ndiqen për krijim e një projekti Fotogrametrik, teknikat e rilevimit Fotogrametrik 3 Dimensional dhe rilevimi me metodën Niveli 2 i detajeve (level of details 2, LOD2).

Takim mes ASIG dhe pedagogëve të Departamentit të Gjeodezisë

 

Në ambientet e sallës Europa u zhvillua një takim mes përfaqësuesve të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) të kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm znj. Vilma Tomço dhe një grupi profesorësh të Departamentit të Gjeodezisë, në Fakultetin të Inxhinierisë së Ndërtimit, të Universitetit Politeknik të Tiranës, në funksion të realizimit të doktoraturave të cilat kanë të bëjnë me Referencat Gjeodezike Horizontale dhe Vertikale.

Gjatë këtij takimi u diskutua situata aktuale e rrjeteve përbërëse të KRGJSH-së si dhe njohja me realizimin për herë të parë në Republikën e Shqipërisë të llogaritjes së gjeodit gravimetrik “ALB-Geoid23.v1”.

Përfaqësuesit e ASIG shprehën gjithashtu gatishmërinë për bashkëpunimin e vazhdueshëm me kandidatët për doktorantë nga ky departament.

 

Llogaritja e gjeoidit gravimetrik në Republikën e Shqipërisë

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) në funksion të realizimit të objektivave të tij për ndërtimin e rrjeteve përbërëse të Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), në kuadër të projektit “Ndërtimi i Kornizës Referuese Gjeodezike, FAZA III” zhvilloi në ambientet e Sallës Europa një takim me ekspertë të fushës së gravimetrisë dhe gjeoidit, nga Universiteti Aristotle i Selanikut (AUTh), Greqi.

Ekspertët e ASIG nga Sektori i Kornizës Referuese Gjeodezike, Drejtoria e Gjeodezisë dhe Hartografisë diskutuan me profesorët e AUTh situatën aktuale të të dhënave gravimetrike, teknikat e llogaritjes dhe vlerësimit të gjeoidit sipas metodave bashkëkohore, dhe realizimin e matjeve gravimetrike relative, për rrjetin e rendit të II-të, me qëllim llogaritjen e gjeoidit gravimetrik “ALB-Geoid23.v1”.

Takim mes ASIG dhe përfaqësuesve të International Telecommunication Union

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Shtetëror për Informacionit Gjeohapësinor (ASIG), znj. Vilma Tomço zhvilloi një takim pune me përfaqësues të International Telecommunication Union.

Qëllimi i këtij takimi ishte mundësia e bashkëpunimit rreth përmirësimit të BroadBand Mapping në Republikën e Shqipërisë.  

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ekspertë të ASIG të cilët diskutuan mbi mundësitë e zhvillimit të projekteve të ndryshme për gjeoinformacionin të cilat mund të ndikojnë në sektorin e telekomunikacionit.

ASIG merr pjesë në workshop-in e 4-ët ndërkombëtar me temë “Cilësia e të dhënave gjeohapësinore”

Në workshop-in e 4-ët ndërkombëtar për “Cilësinë e të dhënave gjeohapësinore” i cili u zhvillua më 11 – 12 Tetor 2023, në Bruksel, nga EuroGeographics dhe EuroSDR, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), nga Sektori i Standardeve për Gjeoinformacionin.

Qëllimi i këtij workshop-i ishte njohja e pjesëmarrësve me praktikat më të mira për rritjen e besueshmërisë së burimit të të dhënave gjeohapësinore dhe cilësisë së tyre.

Përfaqësuesit e ASIG në prezantimin e tyre sollën për të pranishmit informacion mbi cilësinë e të dhënave gjeohapësinore, mënyrën se si kontrollohen këto të dhëna, software-ët që përdoren, si dhe objektivat e së ardhmes mbi rritjen e sigurisë së të dhënave gjeohapësinore.

Twitter

ASIG merr pjesë në workshop-in me temë “Integrimi i të dhënave gjeohapësinore dhe statistikore”

Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor morën pjesë në Workshopin e organizuar nga UNECE, Eurostat dhe UN-GGIM Europe, me temë “Integrimi i të dhënave gjeohapësinore dhe statistikore”, i cili u zhvillua më 04-05 Tetor 2023, në Beograd. Ky workshop ishte i fokusuar në prezantimin dhe ndarjen e praktikave inovative, nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet agjencive kombëtare gjeohapësinore dhe statistikore, në promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar duke pëdorur standarde të përbashkëta, si dhe identifikimin e fushave për bashkëpunimet e ardhshme.

Temat që u trajtuan në këtë workshop ishin;

  • Qeverisja efektive,
  • Të dhënat dhe teknologjia,
  • Publiku dhe partneritetet.

ASIG si pjesë e Task Forcës “Problematika e Standardizimi”, paraqiti në këtë workshop prezantimin mbi Infrastrukturën Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor për zhvillimin e sektorit të statistikave në Shqipëri.

Twitter

ASIG merr pjesë në Konferencën Rajonale për Kadastrën dhe Infrastrukturën e të Dhënave Gjeohapësinore

Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, nga sektorët e Standardeve për Gjeoinformacionin dhe Sektori i Përpunimit të Imazheve Satelitore, morën pjesë në Konferencën Rajonale për Kadastrën dhe Infrastrukturën e të Dhënave Gjeohapësinore e cila u zhvillua në Beograd, në datat 04 – 06 Shtator 2023.

Tematikat e trajtuara në këtë konferencë ishin:

  • Kontributi i NSDI në tranzicionin e gjelbër dhe qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike,
  • Mbështetja e tregut të Pasurive të Paluajtshme dhe e-planifikimit,
  • Avancimi i të dhënave dhe shërbimeve gjeohapësinore,
  • Bashkëpunimi rajonal i NSDI-së – Diskutim në panel.

Gjatë punimeve të kësaj konference u theksua rëndësia që kanë të dhënat gjeohapësinore në planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e arritjeve për një zhvillim të qëndrueshëm të shoqërisë.

Përfaqësuesit e ASIG, në prezantimet e tyre i njohën të pranishmit me ecurinë e krijimit të NSDI-së në Shqipëri, rolin dhe e ndikimin që ka NSDI në vendimmarrje për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, si dhe objektivat e ASIG në fushën e gjeoinformacionit, për të ardhmen.

Twitter

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *