Analizimi i imazheve satelitore në zonën e prekur nga zjarri Selishtë, Dibër

Vijon puna e ekspertëve të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në mbështetje të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) për përgatitjen e hartës tematike për zonën e prekur nga zjarri, bazuar në analizimin dhe interpretimin e imazheve satelitore.

Nga analizimi i imazheve satelitore, nëpërmjet përdorimit të teknologjive të avancuara, është përgatitur një hartë landcover (Mbulesë e Tokës) e cila evidenton zonat e prekura nga zjarri, duke bërë një analizim të gjithë shtresave të dëmtuara për zonën e interesit Selishtë, Dibër.

Kjo analizë mundëson evidentimin dhe dokumentimin e sipërfaqeve të prekura, duke ofruar informacion të vlefshëm për monitorimin e situatës dhe vlerësimin e ndikimit të zjarrit në territor.

Zona e dëmtuar rezulton me një sipërfaqe të djegur prej rreth 48.57 ha, e ndarë sipas kategorive të lancover (Mbulesës së Tokës) në:

  • 12.84 ha sipërfaqe me bimësi;
  • 23.93 ha sipërfaqe pa bimësi;
  • 11.8   ha sipërfaqe pyjore.

Nis fotografimi i ri ajror i territorit të Shqipërisë

Sot ka nisur zyrtarisht procesi i fotografimit të ri ajror të territorit të Republikës së Shqipërisë, një projekt me rëndësi të veçantë i cili realizohet në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), me synim përditësimin e informacionit gjeohapësinor dhe forcimin e kapaciteteve për monitorimin, planifikimin dhe administrimin e territorit të Republikës së Shqipërisë.

Faza e parë e projektit ka nisur me fotografimin ajror të 680 km² të zonave urbane, duke sjellë një nivel të ri cilësie dhe saktësie në mbledhjen e të dhënave gjeohapësinore.

Risia e këtij projekti është përdorimi i teknologjive me rezolucion shumë të lartë, 5 cm GSD si dhe skanimi LIDAR me densitet 10 pika/m².

Qëllimi kryesor i projektit është përditësimi dhe zhvillimi i Hartës Bazë për të gjithë  territorin e Republikës së Shqipërisë, e cila mundëson krijimin e një informacioni hartografik të saktë, të detajuar dhe të përditësuar.

Për herë të parë në këtë projekt do të përfshihet edhe fotografimin ajror oblik, i cili mundëson krijimin e produkteve të avancuara gjeohapësinore, përfshi modele dhe imazhe 3D të zonave urbane (3D City). Këto të dhëna krijojnë mundësi të reja për analizën, vizualizimin dhe administrimin e hapësirave urbane, mjedisit, bujqësisë etj.

Analizimi i imazheve satelitore për zonat e prekura nga zjarri

Në mbështetje të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), ekspertë të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) nga Drejtoria e Përpunimit të të Dhënave Remote Sensing kanë realizuar harta tematike, me analiza gjeohapësinore për disa nga zonat e prekura nga zjarret në territorin e vendit: Krujë; Halil,Krujë, Mali i Dardhës, Librazhd; Ribë, Mallakastër; Lurë, Dibër dhe Kavajë.

Nëpërmjet krahasimit të imazheve satelitore dhe të dhënave të mbulesës së tokës para dhe pas zjarrit, janë evidentuar sipërfaqet e dëmtuara dhe kategoritë kryesore të prekura, si:

  • Sipërfaqet pyjore;
  • Sipërfaqet me pemëtore;
  • Sipërfaqet me bimësi;
  • Sipërfaqet pa bimësi;
  • Infrastruktura rrugore dhe elemente të tjerë brenda zonave të analizuara.

Për çdo zonë janë përgatitur harta tematike, statistika të sipërfaqeve të prekura dhe analiza krahasuese para dhe pas zjarrit, duke krijuar një pasqyrë të qartë të ndikimit të zjarreve në territor.

Nëpërmjet këtyre produkteve synohet monitorimi dhe vlerësimi i dëmeve në territor si dhe vendimmarrja institucionale, duke shfrytëzuar potencialin e teknologjive Remote Sensing dhe GIS në menaxhimin e situatave emergjente.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *