Zhvillohet një vizitë studimore në Itali mbi vlerësimin e dëmeve dhe humbjeve pas fatkeqësive natyrore

Në datat 17–19 Qershor 2026, një përfaqësues i Autoritetit Shtetëror të Informacionit Gjeohapësinor mori pjesë në aktivitetin ndërkombëtar “Damage and Loss Assessment in Emergency Context after Flood Events”, organizuar nga Departamenti Italian i Mbrojtjes Civile, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Palestina.

Në fokus të këtij aktiviteti ishte menaxhimi i proceseve të vlerësimit të dëmeve dhe humbjeve pas përmbytjeve, procedurave ligjore dhe institucionale të menaxhimit të emergjencave, si dhe praktikat e planifikimit dhe koordinimit ndërinstitucional në fazën pas emergjencës.

Gjatë kësaj vizite studimore pjesëmarrësit u njohën me sistemin kombëtar italian të mbrojtjes civile, procedurat për shpalljen e gjendjes së emergjencës, mekanizmat e vlerësimit të nevojave dhe masave për tejkalimin e situatave emergjente.

Programi vijoi në Rajonin Emilia-Romagna dhe Val di Sambro ku delegacioni zhvilloi takime institucionale me Agjencinë Rajonale të Mbrojtjes Civile dhe vizita në zonat e prekura nga përmbytjet e viteve 2023–2024. Pjesëmarrësit u njohën nga afër me ndërhyrjet e realizuara në lumenjtë Idice dhe Lamone, proceset e vlerësimit pas ngjarjes, praktikat e koordinimit mes autoriteteve lokale dhe rajonale  si dhe menaxhimin e rrëshqitjeve të dheut dhe masat e marra për reduktimin e rrezikut.

Pjesëmarrja në këtë aktivitet kontribuon në forcimin e kapaciteteve profesionale të institucioneve pjesëmarrëse në fushën e vlerësimit të dëmeve, planifikimit të rimëkëmbjes dhe menaxhimit të rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore.

ASIG dhe ASPA organizojnë trajnimin “Hyrje në Remote Sensing”

Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), më 22 qershor 2026 u zhvillua trajnimi me temë: “Hyrje në Remote Sensing”.

Ky aktivitet bëri bashkë përfaqësues të institucioneve të administratës publike, me synim rritjen e njohurive dhe aftësive të tyre mbi përdorimin e teknologjisë Remote Sensing në analizën e të dhënave gjeohapësinore dhe në mbështetje të vendimmarrjes së bazuar në të dhëna.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me parimet bazë të teknologjisë Remote Sensing, funksionin e saj në mbledhjen dhe analizën e informacionit mbi sipërfaqen e Tokës, si dhe me komponentët kryesorë të këtij sistemi, përfshirë sensorët, platformat dhe ndërveprimin e rrezatimit elektromagnetik me objektet dhe fenomenet territoriale.

Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të spektrit elektromagnetik në identifikimin dhe interpretimin e mbulesës së tokës, përdorimit të të dhënave satelitore në analizat territoriale, si dhe ndikimit të atmosferës në cilësinë dhe saktësinë e të dhënave të përftuara nga teknologjitë e vrojtimit nga distanca.

Nëpërmjet trajtimit të këtyre tematikave, u evidentua rëndësia e Remote Sensing si një instrument bashkëkohor për monitorimin e territorit, analizën e fenomeneve natyrore dhe njerëzore, përmirësimin e informacionit gjeohapësinor dhe mbështetjen e proceseve të planifikimit dhe vendimmarrjes në administratën publike. Pjesëmarrësit në këtë trajnim do të pajisen me certifikatë nga ASPA.

Zhvillohet takim mbi ecurinë e projektit të fotografimit ajror në Shqipëri

U zhvillua dje në ambientet e ASIG takimi i radhës ndërmjet përfaqësuesve të kompanisë turke “Mescioğlu Mühendislik ve Müşavirlik A.Ş.” dhe grupit të punës përgjegjës nga ASIG, në kuadër të projektit “Fotografimi ajror digjital i territorit të Republikës së Shqipërisë, prodhimi i imazheve ajrore të orientuara nadir dhe oblik, skanimin LIDAR, DTM, trueOrtofoto, ortofoto”.

Në takim morën pjesë Drejtoresha e Përgjithshme e ASIG, znj. Vilma Tomço, si dhe Drejtoresha e Përgjithshme e AZHBR, znj. Ardita Kuçi.

Gjatë takimit u prezantua ecuria e deritanishme e projektit si dhe aktivitetet e planifikuara për realizimin e projektit.

Projekti i fotografimit ajror përbën një hap të rëndësishëm për krijimin, përditësimin dhe përmirësimin e të dhënave gjeohapësinore në Shqipëri, duke mbështetur projekte strategjike dhe proceset e planifikimit e zhvillimit në nivel kombëtar.

Diskutimet gjithashtu u fokusuan edhe në mundësinë e mbështetjes së institucioneve të tjera publike dhe veçanërisht AZHBR dhe projektit të saj LPIS për administrimin e parcelave bujqësore.

Zhvillohet trajnimi ASIG–ASPA me temë “Infrastruktura Kombëtare e Ofrimit të të Dhënave dhe Shërbimeve Gjeohapësinore”

Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), më 11 qershor 2026 u zhvillua trajnimi me temë: “Infrastruktura Kombëtare e Ofrimit të të Dhënave dhe Shërbimeve Gjeohapësinore”.

Ky aktivitet bëri bashkë përfaqësues të institucioneve të administratës publike, me synim rritjen e njohurive dhe aftësive të tyre në administrimin, përdorimin dhe shkëmbimin e informacionit gjeohapësinor.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me parimet themelore të Direktivës INSPIRE, standardet e gjeoinformacionit, autoritetet publike përgjegjëse, si dhe kuadrin ligjor dhe rregullator në Shqipëri për Infrastrukturën Kombëtare të të Dhënave Gjeohapësinore.

Vëmendje e veçantë iu kushtua Gjeoportalit Kombëtar, katalogut të metadatave, të dhënave gjeohapësinore dhe shërbimeve të rrjetit. Në pjesën praktike, pjesëmarrësit përdorën funksionalitetet e Gjeoportalit Kombëtar për aksesimin, vizualizimin, shkarkimin dhe përdorimin e të dhënave gjeohapësinore.

Nëpërmjet trajtimit të këtyre tematikave u evidentua rëndësia e standardizimit, ndërveprueshmërisë dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në mbështetje të planifikimit dhe vendimmarrjes së bazuar në të dhëna gjeohapësinore. Pjesëmarrësit në këtë trajnim do të pajisen me certifikatë nga ASPA.

 

ASIG merr pjesë në asamblenë e përgjithshme “EU Space Networks General Assembly 2026”

Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në asamblenë e përgjithshme “EU Space Networks General Assembly 2026” e cila u zhvillua më 27–28 maj 2026, në Nikozia, Qipro.

Në fokus të asamblesë këtë vit ishin zhvillimet më të fundit në sektorin hapësinor evropian, bashkëpunimi ndërmjet rrjeteve të BE-së dhe përdorimi i teknologjive satelitore në fusha të ndryshme.

Ky aktivitet bëri bashkë përfaqësues të institucioneve evropiane të gjeoinformacionit, organizatave ndërkombëtare dhe botës akademike për të diskutuar temat kryesore që lidhen me sigurinë, inteligjencën artificiale, komunikimet satelitore dhe menaxhimin e trafikut hapësinor.

Një temë e rëndësishme e aktivitetit ishte zhvillimi i Inteligjencës Artificiale dhe përdorimi i saj  për përpunimin e të dhënave të vëzhgimit të tokës (Earth Observation), duke prezantuar projekte dhe modele inovative për analizën e të dhënave satelitore.

Programi i asamblesë u përmbyll me zhvillimin e vizitave teknike në stacionin satelitor të marrjes së të dhënave pranë “Eratosthenes Centre of Excellence”, ku pjesëmarrësit u njohën me aktivitetet operacionale, infrastrukturat e përdorura për monitorimin dhe përpunimin e të dhënave satelitore, si dhe vizita në infrastrukturën satelitore të GOVSATCOM në Kofinou, ku u ofrua një pasqyrë praktike mbi shërbimet evropiane të komunikimit satelitor të sigurt dhe aplikimet e tyre në fushën e sigurisë dhe menaxhimit të emergjencave.

Zhvillohet workshop-i “Albania Satellite Service Workshop”

Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) mori pjesë në workshop-in me temë “Albania Satellite Service Workshop” të organizuar nga kompania Satellogic, më 26.05.2026, në ambientet e Xheko Imperial, Tiranë.

Qëllimi i këtij workshop-i ishte prezantimi dhe diskutimi i ecurisë së shërbimit satelitor në Shqipëri, arritjet e programit ASIG–Satellogic gjatë periudhës 2022–2026, si dhe mundësitë e mëtejshme për zgjerimin e përdorimit të të dhënave satelitore nga institucionet publike.

Në këtë workshop ASIG prezantoi arritjet e shërbimit satelitor në Shqipëri, duke theksuar përvojën e krijuar për monitorim satelitor, përdorimin e dy satelitëve të dedikuar për territorin shqiptar, rritjen e kapaciteteve për përpunim të pavarur të të dhënave satelitore në sistemet GIS, si dhe infrastrukturën teknologjike të avancuar për analizimin dhe përpunimin e të dhënave.

Ky aktivitet shërbeu si një platformë teknike për shkëmbimin e informacionit ndërmjet ASIG, Satellogic, AKMC dhe stafeve teknike të institucioneve përfituese, me fokus kryesor te kapacitetet aktuale të shërbimit satelitor, si dhe tek produktet e krijuara nga ASIG nëpërmjet këtij shërbimi.

Gjithashtu përfaqësues të Satellogic prezantuan profilin e kompanisë, kapacitetet teknike dhe produktet kryesore të shërbimeve satelitore që ofron kjo kompani.

ASIG merr pjesë në Open Geospatial Consortium (OGC), Helsinki 2026

Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor morën pjesë në takimin e 135-të teknik të Open Geospatial Consortium, “OGC Connect Helsinki 2026”, i zhvilluar në Helsinki, Finlandë, nga 1–4 qershor 2026.

Tema kryesore e këtij edicioni ishte “Interoperable Systems, Real-World Impact”, me fokus në ndërtimin e sistemeve të hapura, të besueshme dhe të ndërveprueshme.

Ky aktivitet bëri bashkë institucione publike, kompani, organizata ndërkombëtare dhe ekspertë nga e gjithë bota për të diskutuar zhvillimet më të fundit në fushën e standardeve gjeohapësinore, ndërveprueshmërisë së të dhënave, Digital Twins, GeoAI dhe teknologjive të reja që mbështesin transformimin digjital.

Pjesëmarrja në këtë aktivitet përfaqëson një mundësi të rëndësishme për ASIG në ndjekjen e zhvillimeve më të fundit ndërkombëtare dhe forcimin e angazhimit për harmonizimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor me standardet dhe praktikat më të mira të OGC-së.

ASIG zhvillon trajnim për stafet teknike të Shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Berat

Ekspertë të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilluan më 26 maj 2026, një trajnim me stafet teknike të Shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Berat, në kuadër të mbështetjes për rritjen e kapaciteteve në përdorimin dhe administrimin e të dhënave gjeohapësinore.

Trajnimi u fokusua në rëndësinë e mbledhjes, strukturimit dhe publikimit të të dhënave sipas standardeve teknike të gjeoinformacionit, me vëmendje të veçantë tek standardi “Infrastruktura Urbane dhe Shërbimet Qeveritare”. Gjithashtu, pjesëmarrësit u njohën me funksionalitetet kryesore të Gjeoportalit Kombëtar, si instrument për aksesimin, kërkimin dhe menaxhimin e informacionit gjeohapësinor.

Përmes këtij trajnimi, ASIG synon të mbështesë institucionet në përmirësimin e cilësisë së të dhënave, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe forcimin e praktikave të standardizuara në administrimin e informacionit gjeohapësinor në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve.

ASIG realizon aplikacionin digjital “Monitorimi i serrave bujqësore 2023 – 2025” , për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) ka realizuar aplikacionin digjital “Monitorimi i serrave bujqësore 2023-2025”, për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Ky aplikacion është i dedikuar vetëm për përdorim nga institucionet, duke garantuar akses të kontrolluar dhe përdorim në funksion të ushtrimit të funksioneve të tyre.

Dashboard-i “Monitorimi i serrave bujqësore 2023–2025” ofron një analizë të detajuar të zhvillimit të serrave bujqësore në Shqipëri. Ky produkt është rezultat i përpunimit  dhe analizimit të imazheve satelitore me rezolucion të lartë dhe aplikimit të modeleve të inteligjencës artificiale për detektimin automatik të serrave bujqësore, me një saktësi prej 70%.

Ai ofron një pasqyrë të detajuar mbi numrin dhe sipërfaqen e serrave për çdo bashki, ndryshimet ndër vite dhe tendencat e zhvillimit të aktivitetit bujqësor.

Përmes filtrimit dinamik, hartave interaktive dhe vizualizimeve grafike, platforma shërben si një mjet mbështetës për institucionet publike në planifikimin dhe analizën e politikave bujqësore, si dhe në proceset e vendimmarrjes  bazuar në të dhëna.

Në videon më poshtë gjeni një tutorial ilustrues mbi përdorimin e këtij aplikacioni.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *