Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në konferencën “NSDI Day 2024” e cila u zhvillua në Shkup, Maqedonia e Veriut, më 21 – 22 Shkurt.
Kjo konferencë u organizua nga Agjencia e Kadastrës për Pasuri të Paluajtshme e Maqedonisë së Veriut (AREC) dhe kishte në fokus tendencën dhe risitë rajonale në fushën e infrastrukturës kombëtare për të dhënat gjeohapësinore. Konferenca u organizua në 5 sesione, ku pjesëmarrës nga vendet e rajonit si Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Sllovenia, Bosnje -Hercegovina dhe Kroacia, prezantuan zhvillimet e tyre në fushën e NSDI.
Përfaqësuesit e ASIG nga Sektori i Koordinimit dhe Çështjeve Ligjore dhe Sektori i GIS-it Kombëtar prezantuan në këtë konferencë përmbushjet e objektivave sipas fushave strategjike duke përfshirë kornizën ligjore, infrastrukturën, bashkëpunimin dhe koordinimin me institucionet përgjegjëse, ndërtimin e Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare, zhvillimin dhe përditësimin i GIS-it dhe Gjeoportalit Kombëtar. Gjithashtu u evidentuan risitë në fushën e gjeoinformacionit duke përfshirë monitorimin e territorit me teknologji të avancuar, projektet në vazhdim si dhe planet dhe objektivat e ASIG për të ardhmen për zhvillimin e infrastrukturës së informacionit gjeohapësinor në Shqipëri.