
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), zhvilloi më datë 05.11.2025, në ambientet e sallës Europa, trajnimin me temë “Hyrje në Remote Sensing” dedikuar stafeve teknike të Institucioneve Publike dhe Njësive të Vetqeverisjes Vendore.
ASIG për herë të parë ka realizuar hartimin e kurrikulave të specializuara me kontributin e ekspertëve të tij për rritjen e kapaciteteve të stafeve teknike në fushën gjeoinformacionit për administratën publike. Ky aktivitet synoi të zhvillojë kapacitetet themelore të pjesëmarrësve për të kuptuar konceptet, komponentët dhe funksionimin e teknologjisë Remote Sensing, si dhe për të aplikuar njohuritë e fituara në mbledhjen, interpretimin dhe përdorimin e të dhënave gjeohapësinore në vendimmarrje. Pjesëmarrësit u njohën me rëndësinë e spektrit elektromagnetik, dallimin mes sensorëve, ndikimin e atmosferës, si dhe përzgjedhjen e produkteve të përshtatshme për nevojat institucionale.
Ky trajnim kontribuon në rritjen e përdorimit të teknologjive Remote Sensing për planifikim urban, menaxhim mjedisor, monitorim territorial duke mbështetur vendimmarrjen institucionale me të dhëna të sakta dhe të besueshme. Pjesëmarrësit në trajnim do të pajisen me certificatë nga ASPA.
