Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito nënshkroi sot, marrëveshjen për ndihmën prej 1.2 milion euro, të ofruar nga qeveria Norvegjeze, për krijimin e infrastrukturës kombëtare të të dhënave gjeohapësinore (National Spatial Data Infrastructure, NSDI-së).
Kjo marrëveshje do të mundësojë së pari, ngritjen e Autoritetit Shqiptar të Infrastrukturës Gjeohapësinore si institucioni përgjegjës për implementimin e direktives INSPIRE; Ndërtimin e Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH-2010) si referencë e standardeve europiane për “GIS-in Kombëtar”; Ndërtimin e “Gjeoportalit Kombëtar”, nëpërmjet të cilit do aksesohen të dhënat gjeohapësinore dhe shërbimet e lidhura me këto të dhëna.
Në përshëndetjen për të pranishmit, Ministrja Harito vlerësoi se “Nënshkrimi i kësaj marrëveshje nuk është vetëm shenjë e miqësisë dhe mbështetjes reciproke të qeverive të dy vendeve, por dhe një indikator për rëndësinë shumë të madhe që ka zhvillimi i infrastrukturës, përpunimi dhe përdorimi i të dhënave gjeohapësinore. »
Në këtë kontekst, Harito theksoi se krijimi i infrastrukturës kombëtare moderne të të dhënave gjeohapësinore NSDI me standarde Europiane, paraqitet si një domosdoshmëri, në kuadrin angazhimeve të qeverisë, në procesin e integrimit.
Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në mjediset e AKSHI-t, në tematikën « Shqipëria në axhendën dixhitale europiane ». Për palën norvegjeze kjo marrëveshje u firmos nga zoti Helge Onsrud, Drejtor nga Qendra për Zhvillimin, lidhur me të Drejtat e Pronësisë, pranë “Statens kartverk”.